Si u kurorezua mbret Ahmet Zogu dhe pse injoroi Qemal Ataturku

'Si u kurorezua mbret Ahmet Zogu dhe pse injoroi Qemal Ataturku'
Duke marrë shkas nga deklaratat e kryeministrit Berisha për ridemensionimin e figurës së mbretit, gazeta zgjedh këtë pjesë me detaje dhe të panjohura rreth ceremonisë së kurorëzimit të  Ahmet Zogut, për herë të parë si mbret i shqiptarëve, por edhe reagimet e shumta që erdhën nga qeveritë evropiane ndaj këtij akti dhe se si erdhi në pushtet Zogu.

Ceremonia e kurorëzimit ishte planifikuar për në orën pesë, por në katër e gjysmë dhoma e bardhë e parlamentit ishte mbushur plot. Nga dritaret e lartë rrezet e diellit binin mbi deputetët, punonjësit civilë, kryetarët e fiseve frakët dhe festet prej leshi të bardhë. Krerët e misioneve të huaja ishin gjithashtu të pranishëm, edhe pse përpiqeshin të mos binin në sy. Rasti ngrinte pyetje të vështira protokolli, ndaj duke reflektuar verdiktet pezull të qeverive të tyre, diplomatët kishin zgjedhur veshje mëngjesi, pa dekorime. Për të dëshmuar se pjesëmarrja e tyre ishte informale ato u rrasën në turmën e mbledhur në hollin modest, duke ua lënë hapësirën e rezervuar për to korrespondentëve të “Associated Press”. Vështrimet kapën mbërritjen e tetë makinave të mbushur me zyrtarë italianë të veshur me uniformat ngjyrë vjollcë dhe floriri. Verdikti i qeverisë së tyre s’ishte vënë ndonjëherë në dyshim.

Ministri jugosllav, Dr Mikhajloviç nuk dukej gjëkundi ndërkohë – mesa duket po bënte akoma pushimet e verës – ndaj kjo s’linte shumë dyshime për qëndrimin e qeverisë së tij. Pak më tej një trumbetë oshtinte dhe një makinë e hapur me një eskortë kalorësiake filloi të afrohej përmes rrugëve të ngushta nën një sërë harqesh triumfale të zbukuruara me monogramin “AZ”. Nga një anë qëndronte Xhemal Aranitasi, Komandant i Përgjithshëm i Ushtrisë dhe nga tjetra Luan Xhilardi, Inspektor-Gjeneral i Ushtrisë. Qindra flamuj të lirë ishin importuar nga Italia në mënyrë që çdo familje të mund të kishte mundësi të zbukurohej me shqiponjën e zezë në sfondin e përgjakur: standard i Skënderbeut. Degët me gjethe të gjelbra, të sjella nga malet dhe që kishin filluar të zbeheshin zbukuronin dyert e dritaret e kasolleve prej balte. Qilimat shumëngjyrësh turq, vareshin nga ballkonet e vilave më të begata.

 Posterat e pikturuar me dorë që shtriheshin në gjerësinë e rrugës shkruanin “Asambleja Kushtetuese dhe Monarkia”. Bëhej fjalë për detaje të një procesioni të zakonshëm, por ato që s’ishin mësuar me mënyrat e “Shpëtimtarit të Kombit” e shihnin skenën si një spektakël kurizo, duke qenë se përveç rreshtave të ushtarëve rrugët ishin thuajse bosh. Ishte e çuditshme që një njeri gjoja i ngjitur në fron me vullnetin e njerëzve nuk kishte qenë në gjendje të hynte në kontakt më të afërt me to, por Zogu duhej të kujdesej për sigurinë. Ai e linte të kuptohej këtë duke mbërritur ose shumë herët ose shumë vonë në angazhimet publike.

Parada e shkurtër hyri në sheshin “Skënderbej” dhe u ndal në pjesën jugore. Tashmë ishte pesë pa njëzet. Një njeri i hollë në një uniformë ngjyrë ulliri zbriti nga makina, u përshëndet me presidentin e Asamblesë Kushtetuese dhe eci gjallërisht në shkallët e korridorit qendror. I zbehtë dhe nervoz ai u ngjit në podium duke zgjatur dorën e djathtë për të mbajtur kushtetutën. Dhoma u mbush me britma gëzimi, të cilat ai i përshëndeti me përkulje të lehta nga e djathta në të majtë. Më pas, teksa nderimi i armëve jashtë krijonte një zhurmë shurdhuese ai bëri betimin mbi Kuran dhe Bibël.

“Unë, Zogu i Parë, Mbreti i Shqiptarëve, me rastin e ngjitjes në fronin e mbretërisë së Shqipërisë dhe marrjes në duar të pushteti mbretëror betohem përpara zotit të plotfuqishëm që të ruaj unitetin kombëtar, pavarësinë dhe integritetin territorial. Unë do t’i bindem kushtetutës dhe do veproj konform dispozitave të saj dhe ligjeve në fuqi, duke mbajtur gjithnjë parasysh vullnetin e njerëzve. Zoti më ndihtë”

Në këtë moment të së shtunës së 1 shtatorit 1928, presidenti Ahmed Zogu u bë Madhëria i tij Mbreti Zogu I dhe Evropa fitoi mbretërinë e saj më të re dhe mbretin e vetëm mysliman. Ai kishte menduar seriozisht të vetëquhej Skandërbegu III, por pasardhësit e tij direkt në Itali kishin pretenduar të drejtë ekskluzive mbi emrin. Mbreti Ahmed ngjante shumë islamik, ndaj ai zgjodhi të adoptonte mbiemrin e tij. Në mënyrë të pashmangshme, Zogu I Mbret i Shqiptarëve, nganjëherë përkthehej si “Zogu i Parë, Mbreti i Bijve të Shqiponjës”. Sipas rregullave gramatikore shqiptare, kur emri Zog paraprihej nga një titull ose pasohej nga një numër rendor përfton formë të pashquar dhe humb shkronjën fundit.

Monarku i ri e firmosi betimin dhe mbajti një fjalim të shkurtër me tone të thella sinqeriteti. Ai shprehu qëllimin dhe nderin për t’i shërbyer Shqipërisë sa më mirë të jetë e mundur dhe nëse shfaqej e nevojshme të jepte jetën për të. “Bota e ka kuptuar se nëse Bijtë e Shqiponjës lihen në paqe ata mund të ndërtojnë një shtet”. Fjala e tij ishte e shkurtër por efektive. “Zotërinj, dalshim faqebardhë në sytë e historisë”. Nuk kishte mbërritur akoma ora pesë kur mes brohoritjeve “Rroftë Mbreti”, ai shpejtoi hapat në korridor me ndihmësit që përplaseshin me njëri tjetrin duke u përpjekur të ruanin ritmin. Në atë që tani ishte Pallati i Ri Mbretëror, e prisnin gjysmë duzine princesha dhe nëna e tij. Gjashtë ditë pushimi publik pasuan. Fishekzjarrët shkëlqyen terrin para pallatit.

Delet u therën në prag të pallatit. Aeroplanët italianë hodhën shirita dhe konfeti. Gjashtë kolonelë u promovuan në rang gjeneralësh. Dy mijë të burgosur u falën dhe punonjësit e shtetit morën një rrogë mujore shpërblim. Qytetet e mëdha nxituan t’i ofrojnë mbretit prona që të mos dukeshin jo besnikë. Çdo dyqan dhe kafe vari në mur foton e tij, nëse nuk bënte kështu merrte një gjobë prej 50 frangash. Edhe myslimanët e devotshëm duhej të tejkalonin kundërshtimin e tyre ndaj riprodhimit të imazheve njerëzore dhe të blinin një portret standard. Çdo shenjë entuziazmi të vërtetë errësohej nga përpjekjet e sforcuara për të marrë aprovimin e publikut me forcë.

Disa kritika të pritshme morën jetë jashtë vendit. Nga Mynihu, Vilhelm Vidi pretendoi se ishte akoma Princ i Shqipërisë. Nga Vjena, peshkopi Fan Noli e denoncoi si “një krim i urryeshëm ndaj shqiptarëve”. Monarkia zogiste ishte një “një farsë e përgatitur në Romë dhe e vënë në jetë në Tiranë”. Noli, i cili së fundmi kishte përkthyer Makbethin dhe Ju Çezarin, foli për “KONARE”, grupi i emigrantëve që kishte vendosur të çlironte Shqipërinë nga imperializmi, feudalizmi dhe Ahmed Zogu. Bejlerët e dëbuar në lëvizjen rivale “Bashkimi Kombëtar” ishin po aq të indinjuar. Më interesanti ishte reagimi i Jugosllavisë. Për disa javë ambasadori jugosllav në Tiranë ishte i padisponueshëm për komente dhe ministri i Jashtëm jugosllav deklaroi se ishte shumë i zënë për t’u takuar me të dërguarin shqiptar në Beograd. Ato përdorën si pretekst faktin se Zogu kishte zgjedhur titullin “Mbret i Shqiptarëve” dhe jo “Mbret i Shqipërisë” çka interpretohej si deklaratë autoriteti edhe mbi shqiptarët etnikë në Kosovë.

 Ky kundërshtim ishte parashikuar dhe diplomatët francezë veçanërisht kishin lobuar për titullin që do shkaktonte reagim. “Froni më është ofruar nga shqiptarët prandaj unë s’kam si quhem ndryshe veçse mbret i shqiptarëve”, argumentonte ai dhe në fakt kishte një pikë plus në arsyetimin e tij. Beograd e njohu mbretërinë më 18 shtator. Një tjetër krisje në marrëdhëniet jugosllavo-shqiptare do kishte qenë një kartë në duart e Musolinit.

 Njohja italiane kishte qenë aq e shpejtë, si për të theksuar sponsorizimin e italian të regjimit. Vizitori i parë zyrtar në pallatin mbretëro ishte Ugo Sola, i cili dha mesazhin e papërmbajtur, i cili s’kishte shumë lidhje me Traktatin e Tiranës: Qeveria ime pa me kënaqësi të madhe ndryshimin e statusit të Shqipërisë, që i solli madhërisë suaj fronin, i cili ishte lënë bosh për pesë shekuj nga aleati besnik i Italisë, Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Jam i sigurt se madhëria juaj do gjejë frymëzim në traditat e këtij paraardhësi të madh, në forcimin e mëtejshëm të një aleance, vlera, forca dhe zgjatja e së cilës lidhen më shumë nga traditat historike dhe konsideratat gjeografike”.

Zogu u përgjigj se aleanca do “të zgjasë tej termave; në fakt do zgjasë gjithmonë”. Duçes ai i ofroi miqësinë dhe mirënjohjen e tij. Mbretit të shqiptarëve nuk i pëlqeu aspak që Britania dhe Franca pritën tre javë përpara se të njihnin mbretërinë. Sër Robert Hodgson, ambasadori i ri britanik raportoi se njerëzit e varfër nuk do përballeshin me lehtësira më të mëdha meqë diktatori i tyre kishte marrë mundimin të quante veten mbret, megjithëse “Sigurisht shqiptarët kuptojnë më mirë një mbret sesa një president”. Në terma formale Zogu e kishte vënë veten mbi krerët e fiseve dhe bejlerët dhe kishte zgjeruar reputacionin e tij jashtë vendit. Shumë krerë shtetesh reaguan ndaj krijimit të mbretërisë me më pak mirësjellje. Mustafa Kemali, presidenti i Turqisë goditi me grusht tryezën kur mësoi lajmin:

Çfarë! Ta pranoj? Jo, jo. Unë s’do e njoh kurrë1 Mbase do jem i vetmi në botë. Kjo s’ka rëndësi. Ju betohem,ju jap fjalën që s’kam për ta njohur. Duhet dhënë shembulli. Një njeri i zgjedhur nga njerëzit nuk duhet ta tradhtojë kurrë betimin e tij. Kurrë!”

Ataturku i ardhshëm, i cili mund të mos ketë qenë krejtësisht esëll urdhëroi që fjalët e tij të botoheshin fije e për pe. Më vonë, ai e përshëndeti një diplomat shqiptarë me pyetjen: “Asaf Bej, shoh shumë piktura qesharake nëpër gazeta. Çfarë po ndodh në Shqipëri? Po vini në skenë ndonjë operetë? Kemali kishte shumë të përbashkëta me Zogun. Ai ishte pjesërisht me origjinë shqiptare, ishte arsimuar në Manastir dhe Stamboll. Heroi i tij ishte Napoleoni. Ai vizitoi Vjenën në vitin 1917. Ai kishte udhëhequr rezistencën ndaj ndarjes së vendit të tij dhe kishte marrë pozicionin e një diktatori të përkushtuar ndaj modernizimit. Gjithsesi turku ishte nënçmues ndaj arritjeve të vogla të shqiptarit dhe veçanërisht ndaj aleancës së tij me Italinë. Marrëdhëniet diplomatike mes Shqipërisë dhe Turqisë u ngrinë për tre vjet. Mbreti Zog shfaqi indiferencë të tejskajshme; pas shekujsh dominimi osman, Shqipëria kishte arsye të distancohej nga Turqia. Në fakt, i ndjehej thellësisht i fyer.Sunduesi i Shqipërisë donte të ishte njësoj si fqinjët e tij ballkanikë.

Jugosllavia, Rumania dhe Bullgaria kishin mbretër, por mbreti u ri përball me të njëjtën tallje siç përballen të pasuruarit e menjëhershëm. Thuhej se Ettore Bugatti refuzoi t’i shiste mbretit një limuzinë “Royale” nga frika se mos zhvlerësonte markën.Edhe pse ai ishte shumë i ndjeshëm ndaj mospërfilljeve edhe më të parëndësishme, mbreti Zog mund të ngushëllonte veten me reflektimin se këto ishin thjesht pasojat e një suksesi të jashtëzakonshëm.

Jason Tomes ka dhënë mësim lëndën e historisë dhe politikës moderne në universitetet e Oksfordit, Varshavës dhe Bostonit. Interesi i tij mbi Shqipërinë daton 25 vjet më parë, kur ai dëgjoi për herë të parë në valë të shkurtra radio Tiranën. Ai është autori i librave “Balfour” dhe “Foreign Policy” si dhe mbi pesëdhjetë artikujve për “Oxford Dictionary of National Biography”.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama