Te ardhurat nga emigrantet bien 10 perqind ne T IV rriten 1 ne 2015-n

Te ardhurat nga emigrantet bien 10 perqind ne T IV, rriten 1% ne 2015-n

Të ardhurat që emigrantët dërgojnë tek të afërmit e tyre në Shqipëri ranë për të dytin tremujor radhazi në tetor-dhjetor 2015, duke reflektuar efektet e krizës në Greqi, ku jetojnë pjesa më e madhe e tyre. Sipas statistikave të bilancit të pagesave të Bankës së Shqipërisë remitancat në tremujorin e fundit 2015 ishin 154 milionë euro, 10% më pak se e njëjta periudhë e vitit të kaluar.

Ndërsa në tremujorin e tretë, kur kriza greke kulmoi dhe shteti helen rrezikoi deri daljen nga euro e shumë emigrantë mbetën pa punë, remitancat ranë me 15% me bazë vjetore.

Megjithatë, për gjithë 2015-n trendi ka mbetur pozitiv për të dytin vit radhazi, pas rënies së vazhdueshme që prej vitit 2008, kur filloi kriza ekonomike globale. Në total, paratë e dërguara nga emigrantët në shtëpi për vitin 2015 ishin 589 milionë euro, ose 1% më shumë se një vit më parë. Në 2014-n ato u rritën me gati 9%.

Ekspertët e shpjegojnë rikthimin e tendencës rritëse të remitancave me fluksin e ri emigrator të viteve të fundit. Për herë të parë në vitet e fundit, në 2014-n diferenca neto e emigracionit (numri i atyre që ikin e atyre që ktheheshin) filloi të thellohej sërish. Ndërsa në 2015-n, numri i kërkesave për azil në vendet e Bashkimit Europian u rrit ndjeshëm nga 12 mijë në 2014-n në 66 mijë. Ndonëse një pjesë e madhe a tyre rrezikojnë kthimin sërish shumë mbeten dhe janë potencial për të dërguar para te familjet e tyre që lënë pas.

Në 6 muajt e parë të 2015-s, remitancat u rritën me 18% më bazë vjetore, por trendi u përmbys në gjysmën e dytë për shkak të krizës greke.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama