Braktisin shkollen 1 mije ne Tirane 7 mije ne rrethe

Braktisin shkollen, 1 mije ne Tirane, 7 mije ne rrethe
Deri në 8 mijë llogaritet numri i nxënësve që kanë braktisur shkollën në të gjitë vendin. E thënë ndryshe ata përbëjnë 4 % të totalit të nxënësve të arsimit parauniversitar. Sipas një studimi në Tiranë numri i nxënësve që nuk shkojnë në shkollë zyrtarisht është 1200, por shifrat reale mendohet se janë më tepër se kaq.

 Nxënësit i përkasin moshës 10-18 vjeç dhe pjesa më e madhe e këtyre fëmijëve banojnë në periferi. Drejtoria Arsimore është detyruar që t’u kërkojë mësuesve që japin mësim nëpër këto shkolla, që të shkojnë shtëpi më shtëpi, dhe t'u kërkojnë prindërve të tyre t'i rikthejnë sërisht në shkolla. Sipas specialistëve pranë zyrës së trajnimit në Drejtorinë Arsimore, një pjesë e mirë e nxënësve figurojnë të regjistruar në regjistrat e klasave të ndryshme, por nuk janë paraqitur asnjëherë në shkollë.

Por një tjetër problem për këta fëmijë është edhe mosha e madhe që kanë, pasi ata nuk mund të futen në një klasë normale, ndaj si e vetmja mundësi është ajo e frekuentimit të klasave të hapura nga disa OJF për fëmijët e komunitetit rom. Në fakt, pikërisht për të ndihmuar këtë kategori fëmijësh, dy vite më parë u prezantua edhe projekti "Shanci i dytë".

Studimet

Sindikata e Arsimit raporton se krahas 8 mijë nxënësve që tashmë e kanë braktisur mësimin, janë edhe 3 mijë të tjerë që konsiderohen problematikë dhe janë një kontingjent i rriskuar për braktisjen. Referuar studimit të kësaj sindikate, vitet e fundit është rritur numri i fëmijëve që braktisin sistemin shkollor parauniversitar. Përfaqësues të Sindikatës së Arsimit janë shprehur se një numër edhe më i madh është i atyre fëmijëve që frekuentojnë me ndërprerje, me orë apo me ditë.

Zonat

Zonat më problematike që kanë një shifër të konsiderueshme të fëmijëve që braktisin shkollën janë zona e Kamzës në Tiranë, Durrësi, Fieri, Korça. “Nga qarku i Tiranës, zona e Kamzës, nga Durrësi, nga Fieri ku ka një kontingjent të madh të nxënësve romë, ku ka mungesa veçanërisht me shkëputje nga shkolla, nga Elbasani, nga Korça dhe nga Shkodra, ku përgjithësisht janë fëmijët e ngujuar”, thuhet në një studim të bërë publik nga Sindikata e Arsimit.

Projekti

Për të frenuar zhvillimin e mëtejshëm të këtij fenomeni, sindikalistët, së bashku me aktorë të tjerë të interesit, kanë filluar një projekt pilot në 21 shkolla të vendit për trajnimin e 120 mësuesve, të cilët po punojnë me rreth 3 mijë nxënës problematikë. Lënia e shkollës fillon në ciklin e ulët. Mësuesit deklarojnë se 5 për qind e nxënësve braktisin shkollën në hapat e parë.

Shkaku

Si shkaqe duket se janë fenomene të tilla si, gjakmarrja, mungesa e kujdesit prindëror, dhuna në familje apo keqtrajtimi në ambientin shkollor. Shifrat e fundit të raportuara nga institucione të vendit, por edhe ndërkombëtare, thonë thjesht dhe qartë se braktisja e arsimit të detyruar jo vetëm që nuk po njeh kurbë në ulje, por po vazhdon të ketë rritje.

Studimet e OJQ-ve: 15 % lënë mësimin

Fenomeni i braktisjes së shkollës në vendin tonë është studiuar edhe nga organizma të huaja. Kështu, sipas një studimi të kryer nga Shoqata Internacionale për Solidaritet, në dy qytetet më të mëdha të vendit, Tiranë dhe Shkodër, rezulton se 15 për qind e nxënësve braktisin bankat sapo përfundojnë ciklin e ulët shkollor. Shifrat pranohen edhe nga vetë mësuesit, që shikojnë si arsye të fortë ambientin familjar në të cilin rritet nxënësi.Në Shkodër, kryeqendrën e Veriut, gjakmarrja është kthyer në shushunjë, e cila po u pi gjakun dita-ditës shkollave. Në malësitë e këtij rrethi ka fshatra ku gjakmarrja ka ngujuar në shtëpi mbi 30 fëmijë, të cilët prej frikës janë të detyruar të qëndrojnë të mbyllur brenda mureve, duke mos arritur të marrin dot edhe njohuritë më elementare mësimore.

 Përgjithësisht fëmijët që braktisin shkollën në Tiranë, por edhe në rrethe të tjera të vendit, jetojnë në familje me 5 anëtarë apo edhe më shumë. Gjakmarrja konsiderohet në raport si një nga shkaqet që sjell për rrjedhojë braktisjen e shkollës nga nxënësit. Por këtu nuk mund të anashkalohen shkaqet e forta ekonomike. Studimi reflekton se fëmijët, të cilët janë piketuar si braktisës të shkollave, vijnë nga familje me të ardhura mujore më pak se 30 mijë lekë në muaj, që, përpjesëtuar me numrin e lartë të anëtarëve, janë të pamjaftueshme për të kaluar të paktën jetë normale.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama