Lista e zeze amerikane Lu Pasoja per ata qe svotojne reformen

Lista e zeze amerikane, Lu: Pasoja per ata qe s'votojne reformen

Ambasadori amerikan Donald Lu e shikon Partinë Demokratike si problemin përse pas 18 muajsh dhe 8 orëve të negociatave të fundit nuk arrihet marrëveshja për reformën në drejtësi.

“Është e qartë se disa politikanë nuk e duan këtë marrëveshje. Dëgjova nga Basha dhe Bylykbashi që do ta votonin reformën nëse do të zgjidhnim pikën 88. Ne e zgjidhëm. Rama u dorëzua, dha atë që donte Basha, pra formulën 6 me 6. Por kjo nuk mjaftoi. Më pas ata nuk pranonin që të huajt të bëjnë vlerësime. Kjo është e çuditshme. Më 19 maj, Basha na tha që ishte dakord që të ishin të huajt ata që do ta pastronin peshkun nga koka. Njerëz të fuqishëm kanë frikë, por ky është moment për të bërë ndryshim”, tha Lu.

I drejtpërdrejtë dhe i ashpër, ambasadori amerikan foli për “listën e zezë” të Shteteve të Bashkuara.

“Do të ketë pasoja negative nga SHBA për të gjithë ata që votojnë kundër. Këto pasoja do të jenë të rënda dhe afatgjata”, tha ai.

Ambasadori amerikan u bëri thirrje deputetëve të opoztës, me të cilët është takuar ditët e fundit, që të votojnë reformën. 

“A do të kenë ata kurajo të votojnë për reformën apo do të kenë frikë nga udhëheqësit e tyre politikë? Miratojeni! Tani është koha”, apeloi kryediplomati amerikan në Tiranë.

Pasoja më e pakët e futjes në “listën e zezë” është ndalimi i udhëtimit drejt Shteteve të Bashkuara dhe duke qenë se qëndrimi mund të rakordohet me Bashkimin Europian, këto pasoja mund të jenë edhe nga vendet anëtare të BE-së. Por pasoja më e rëndë do të jetë njolla që do të vendoset mbi opozitën e djathtë për një afat të pacaktuar.

 

 


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama