Gerdeci Mihal Delijorgji demshperblehet me 15 mije euro

'Gerdeci', Mihal Delijorgji demshperblehet me 15 mije euro

"Gabimet” e drejtësisë shqiptare çojnë mijëra euro në llogarinë bankare të biznesmenit Mihal Delijorgji. Dje në Fletoren Zyrtare u botua vendimi i gjykatës së Strasburgut, që e dëmshpërbleu pronarin e “Albademil”, kompania që kryente demontimin në Gërdec ku ndodhi dhe tragjedia e 15 marsit 2016, me 15 mijë e 600 euro.

Sipas vendimit të Strasburgut, ankuesi Delijorgji u mbajt nën arrest edhe pse kishin përfunduar afatet ligjore, çka është konsideruar shkelje e konventës. Në vendimin e gjykatës, renditen rrethanat e çështjes. “Më 15 mars 2008, në një objekt demontimi ndodhi një shpërthim masiv. Shpërthimi mori 26 jetë. 265 persona të tjerë u plagosën rëndë ose lehtë dhe një sërë ndërtesash që gjendeshin përreth u dëmtuan rëndë. Procesi i demontimit realizohej nga një kompani tregtare private, administrator i së cilës ishte ankuesi. Pas shpërthimit, prokurori nisi procedimet penale kundër ankuesit dhe 28 personave të tjerë.

Më 17 mars 2008, ankuesi mbeti në arrest. Gjykata e Rrethit nuk vendosi asnjë limit kohor në lidhje me kohën e ndalimit të tij. Dukej se ai ishte i dyshuar për kryerjen e veprave penale të ‘vrasjes në rrethana rënduese të më shumë se dy personave’, ‘shkatërrimin e pronës me lëndë shpërthyese’ dhe ‘shkeljen e rregullave për eksplozivët, substancat ndezëse dhe ato radioaktive’”, thuhet në vendim. Dosja “Gërdeci” u dorëzua në mars 2009, në Gjykatën e Lartë, me 29 të pandehur, pasi i akuzuar ishte dhe ish­ministri i Mbrojtjes, deputeti Fatmir Mediu.

Gjykata supreme vendosi të mbajë Mediun për shqyrtim dhe të pandehurit e tjerë ia dërgoi për kompetencë Gjykatës së Tiranës. Mes tyre ishte dhe biznesmeni Delijorgji. Delijorgji kërkoi disa herë radhazi lirimin e tij, duke këmbëngulur se afatet e paraburgimit kishin përfunduar. Avokati i Delijorgjit, argumentoi se periudha e tij e ndalimit përpara procesit gjyqësor ishte zgjatur me 81 ditë. Pas disa tentativash të dështuara, më 7 shkurt 2011, Gjykata e Tiranës e liroi nga burgu, duke e çuar në arrest
shtëpie. Në mars 2012, Delijorgji u dënua me 10 vite burg dhe vendimi u la në fuqi nga Apeli. Më 19 mars 2013, ankuesi u lirua nga burgu, pasi rezultoi se e kishte vuajtur dënimin.

VLERËSIMI I ANKIMIT


Për mbajtjen jashtë afateve në burg, Delijorgji u ankua në Strasburg. Qeveria nga njëra anë dhe Delijorgji nga ana tjetër, paraqitën pretendimet e tyre para gjykatës. “Qeveria ia atribuoi vonesën në procedime ankuesit dhe avokatit të tij; shpesh ata mungonin në seancat dëgjimore të gjykatës. Duke paraqitur apelime, ankuesi ishte i ndërgjegjshëm se shqyrtimi i çështjes së tij nga gjykatat e larta kërkonte kohë. Ankuesi parashtroi se kishte pasur vonesë në shqyrtimin e kërkesës së tij për lirim. Edhe
pse u dhanë pesë vendime vendase brenda një periudhe pesëmujore, gjykatat nuk morën një vendim për ligjshmërinë e ndalimit të tij të vazhduar. Ankuesi u mbajt ‘peng’ i gjyqësorit, i cili veproi kundër shtetit
ligjor”, theksohet në vendimin e gjykatës.

“Duke u kthyer në çështjen në fjalë, Gjykata vëren se ankuesi paraqiti kërkesën e tij të parë për lirim më 19 korrik 2010. Gjykatës së Lartë iu deshën pothuajse tre muaj të shpallte vendimin e saj të datës 3


nëntor 2010. Gjykata nuk shpjegoi se përse Gjykatës së Lartë iu desh një kohë kaq e gjatë të shqyrtonte apelin e ankuesit. Gjykata vëren se vonesa të tjera ishin shkaktuar për shkak se gjykatat më të ulëta nuk kishin vepruar në përputhje me vendimin e Gjykatës së Lartë të datës 3 nëntor 2010. Gjykatës i vjen keq që Gjykata e Apelit, e cila kishte juridiksion mbi faktet dhe ligjin, nuk realizoi një vlerësim të fakteve dhe një shqyrtim të kërkesës së ankuesit për lirim më 17 dhjetor 2010.

Kthimet e vazhdueshme si edhe mospërputhja me vendimin e Gjykatës së Lartë të datës 3 nëntor 2010, shkaktuan një vonesë të pajustifikueshme në procedime. Një vonesë e tillë i atribuohet shtetit, përgjegjësia e të cilit është të organizojë sistemin ligjor në mënyrë të tillë që të përmbushet kërkesa ‘e përshpejtuar’ bazuar në nenin 5 § 4 të Konventës. Për sa i përket sa më sipër, Gjykata vlerëson se ka pasur një shkelje të nenit 5 § 4 të Konventës në lidhje me mosshqyrtimin ‘e përshpejtuar’ nga ana e autoriteteve të kërkesës së parë të ankuesit për lirim më 19 korrik 2010”, thuhet në vendim.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama