Cmimi i naftes rritet serish pa asnje arsye

Cmimi i naftes rritet serish, pa asnje arsye

Çmimi i naftës u rrit këtë fundjavë edhe me tre lekë për litër. Çmimi me pakicë e një litëri naftë u shit dje me 177 lekë nga 174 lekë që ishte ditën e shtunë. Rritja në këto nivele këtë herë ngelet e pambështetur në faktorë të jashtëm dhe të brendshëm, pasi taksa e shtuar 10 lekë u reflektua më herët gjatë muajit shkurt, ndërkohë që çmimi i naftës në tregjet ndërkombëtare mbetet në nivelin e 63 dollarëve për fuçi. Çmimi i naftës që nga muaji janar është rritur me 18 lekë për litër, ose 11.3 për qind.

Distributori më i madh i shumicës dhe pakicës, Kastrati po e shet një litër naftë aktualisht 177 lekë, ndërkohë që pikat e Alpet po e shesin me 179 lekë një litër eurodiezel. Tani kur politika e dhe opinioni publik kanë spostuar vëmendjen tek dekriminalizimi dhe tek zgjedhjet lokale, tregu i karburanteve po aplikon strategjinë e rritjes së çmimeve edhe kur arsyet mungojnë.

Pak kohë më parë, pas një hetimi të thelluar mbi tregun e karburanteve, Autoriteti i Konkurrencës doli me konkluzionin se tregu nuk operon në kushtet e monopolit. Nga ana tjetër nevojat e tregut vendas po plotësohen në rreth 30 përqind me naftës vendase, që po përpunohet nga ARMO dhe importet e naftës kanë rënë më shumë se 20 për qind në dy muajt e parë.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama