Tekstet shkollore falas perfituesit

Tekstet shkollore falas, perfituesit

Familjet me më shumë se dy fëmijë do të përfitojnë tekstet shkollore falas për fëmijën më të vogël. Po ashtu, nga vendimi i qeverisë, për sezonin e ri shkollor, lëndët mësimore do të jenë pa pagesë edhe për romët, viktimat e trafikimit, fëmijët që kanë të paktën një prind invalid etj. Fondi 2.2 milionë euro, i dhënë nga qeveria, duket se është në rendin e premtimeve të mbajtura për arsimin, dhe ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, në daljen e saj për shtyp, ka zbardhur kategoritë që përfitojnë, si dhe angazhimin për ta përmbushur këtë vendim në masën 100 për qind.

“Dy vjet më parë në programin qeverisës të “Aleancës për Shqipërinë Evropiane”, premtuam se do të ndihmonim me tekste falas edhe familjet shqiptare me më shumë se dy fëmijë. Konkretisht, një familje me tre fëmijë do të përfitonte falas libra shkollorë për fëmijën e tretë në radhën e shkollimit, sikundër çdo familje shqiptare me katër fëmijë do të përfitonte librat falas për fëmijën e tretë, të katërt e kështu me radhë. Sot ky premtim konsiderohet i mbajtur falë Vendimit të Këshillit të Ministrave që vë në dispozicion 2.2 milionë euro për të mbështetur me tekste falas edhe më shumë kategori familjesh shqiptare”, tha ajo. Prej fondit të mësipërm përfitojnë gjithashtu edhe fëmijët e komunitetit egjiptian, të cilët njësoj si fëmijët e komunitetit rom do të kenë mundësi të marrin libra falas për të gjithë kohëzgjatjen e arsimimit të tyre, në arsimin bazë. Tekste falas përfitojnë të gjithë ata fëmijë që konsiderohen viktima të trafikimit apo viktima të mundshme të trafikimit, fëmijët që vijnë nga familje ku ka një person me aftësi të kufizuar apo ku kryefamiljari përfiton pension invaliditeti.

Një kategori tjetër që nuk mund të lihej jashtë vëmendjes së qeverisë është ajo e fëmijëve të të gjithë punonjësve të policisë të vrarë në krye të detyrës dhe në shërbim të komunitetit. Këta fëmijë, krahas bursës së studimit, përfitojnë falas edhe tekstet shkollore për gjithë periudhën e tyre të shkollimit në arsimin bazë. Vendimi Për tekstet shkollore të fëmijëve egjiptianë që do të ndjekin arsmin 9-vjeçar, çmimi i blerjes së tyre të mbulohet 100 për qind nga buxheti i Ministrisë së Arsimit dhe Sportit. Drejtoritë përkatëse të shkollave, ku mësojnë nxënës egjiptianë, duhet të dorëzojnë në njësitë arsimore vendore (drejtoritë arsimore rajonale), brenda muajit mars, listën e nxënësve të kësaj kategorie.

Pika 6/11 e vendimit të qeverisë, e shtuar, përcakton se “Për tekstet shkollore të fëmijëve nga klasa I deri IX, të cilët janë përfitues në institucionet e përkujdesjes sociale rezidenciale publike, në Qendrën Kombëtare të Pritjes së Viktimave të Trafikimit, Qendrën Kombëtare të Viktimave të Dhunës në Familje dhe Qendrën Kombëtare Transitore të Emergjencës, çmimi i blerjes së tyre të mbulohet 100 për qind nga buxheti i MAS. Drejtoritë përkatëse të shkollave, ku mësojnë kjo kategori nxënësish, duhet të bashkërendojnë punën me drejtoritë e institucioneve të sipërpërmendura dhe të dorëzojnë në zyrat arsimore përkatëse, brenda muajit mars të vitit që vjen, listën e nxënësve të kësaj kategorie.”

Kategoritë

1. Fëmijët e moshës shkollore të arsimit bazë, viktima të trafikimit.

2. Fëmijët që gëzojnë statusin e viktimës së mundshme të trafikimit.

3. Individët që janë në institucionet e paraburgimit.

4. Fëmijët e shtruar në Shërbimin Onkologjik, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.

5. Fëmijët e policëve të rënë në detyrë.

6. Tekste falas do të ndahen për çdo fëmijë që është i treti e më lart në radhën e shkollimit të fëmijëve të së njëjtës familje.

7. Fëmijët që vijnë nga familje ku kryefamiljari përfiton pension invaliditeti shteti.

8. Fëmijë nga familje që kanë në përbërjen e tyre anëtarë me aftësi të kufizuara, të lindur ose të bërë të tillë, të cilët deklarohen të paaftë për punë.

Koha e shpërndarjes

Shpërndarja dhe shitja e teksteve shkollore do të nisë më datën 1 shtator dhe do të vijojë për 14 ditë me radhë deri në nisjen e vitit të ri shkollor. Për vitin shkollor 2015-2016, katalogu i teksteve shkollore për klasat II-V dhe VII-XII, përbëhet nga tekstet shkollore më cilësore të përzgjedhura nga mbi 10 për qind e të gjithë mësuesve në sistemin arsimor parauniversitar. Shitja e teksteve do të bëhet nga njësitë tregtare të shitjes së librave. Çdo shkollë për periudhën 25 gusht-13 shtator 2015 u vë në dispozicion falas personave të ngarkuar nga shpërndarësit e rrethit një ose dy klasa të sigurta për shitjen e teksteve”, thuhet në udhëzimin e Ministrisë së Arsimit, ndërsa sa i përket rregullave të shpërndarjes dhe shitjes, ato i ndalojnë nga ky proces punonjësit arsimorë, me përjashtim të shkollave të arsimit profesional dhe të pakicave kombëtare, ku shpërndarja dhe shitja e tekstit shkollor mund të bëhet nga punonjës arsimorë të ngarkuar nga DAR/ZA-ja dhe nga drejtoritë e këtyre shkollave. Drejtoritë Arsimore gjatë dy javëve para fillimit të vitit të ri shkollor dhe një javë pas tij, raportojnë në ministri çdo ditë, në mënyrë të vazhdueshme, për pajisjen e nxënësve me tekste shkollore.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama