Kredi me te lira per shtepi ku mund t’i gjeni dhe si t’i merrni

Kredi me te lira per shtepi, ku mund t’i gjeni dhe si t’i merrni
Normat e interesave të kredive për apartamente kanë pësuar një ulje të lehtë gjatë muajve të verës, ulje e cila ka nisur që në qershor të këtij viti. Gjatë muajve të verës rezultojnë disa banka që ofrojnë çmime më të ulëta për huat e reja, por duke vazhduar të mbajnë të shtrënguar kushtet për miratimin e kredive. Megjithatë, ofertat e hedhura këto kohë në treg, të kuptueshme për këtë fazë të vitit që përkon me kthimin e emigrantëve për pushime, kanë nxitur njëfarë gjallërie nëpër sportelet e bankave të nivelit të dytë.

Përgjatë një vëzhgimi të shtrirë në të gjitha bankat e nivelit të dytë, shihet një gjallërim që mbetet më së shumti në planin “e interesimit, pa arritur të përkthehet në kredi të reja”. Përsa i përket uljes së normës bazë të interesit nga ana e Bankës së Shqipërisë në masën 5%, bankierët shprehen se efekti i këtij veprimi nuk është ndjerë ende në uljen e çmimit të kredive dhe se do të duhet të kalojnë disa kohë përpara se kjo masë të reflektohet nga sistemi ynë bankar.

 Gjithsesi, në ankandin e fundit të bonove të thesarit, yield-i 12-mujor dhe 3-mujor i bonove shënoi një rënie të lehtë, duke sjellë kështu automatikisht reduktim të interesave të huas në lekë (bankat përgjithësisht i indeksojnë normat e kredive në lekë me yield-in e bonove të thesarit, duke u shtuar 3-4%). Yield-i i bonove 12-mujore zbriti në 7.88% në ankandin fundit, nga 7.94% në ankandin e mëparshëm, çka nënkupton se interesat e kredisë në lekë luhaten midis 11 dhe 12%.

Ofertat e bankave

Banka Raiffeisen është e vetmja që vazhdon të mbajë të bllokuar kreditimin në euro, për t’ua rezervuar vetëm pak klientëve përmes një miratimi të posaçëm. Banka financon 100% të shumës së kërkuar me hua, shlyerja maksimale e të cilave zgjatet deri në periudhën 25-vjeçare. Për kreditë në monedhën tonë kombëtare norma e interesit përcaktohet nga banka përmes formulës tribor+1.75 (10.25%). Përsa u përket atyre klientëve që u miratohet kreditimi në euro, banka e përllogarit interesin me formulën Euroribor+7% (8.3%). Banka Kombëtare Tregtare është ndër të paktat që vepron në treg me paketa të posaçme që shënjestrojnë emigrantët. Deri më 31 dhjetor të këtij viti, të gjithë shqiptarëve me banim jashtë shtetit u ofrohet kredi me normën e interesit 7.5%.

Për vitet në vijim norma e interesit llogaritet me formulën Euroribor+3.5%. Për klientët standardë banka ofron norma interesi 8% deri ditën e fundit të këtij viti, të cilat për periudhën në vazhdim do të përllogariten me formulën Euroribor+4.5%. Banka aplikon ulje normash interesi edhe për huat në monedhën tonë kombëtare. Të gjithë klientëve u ofrohen norma interesi të bazuara te formula Bth+0% për tre vitet e para të shlyerjes. Për vitet në vazhdim norma e interesit përllogaritet me formulën Bth+2.2% për klientët preferencialë, dhe + 3.3% për klientët standardë. Për kreditë për apartamente, Intesa San Paolo, prej pak ditësh ka prezantuar ofertën e vet.

Normat e interesave për kreditë hipotekare në ofertën në fjalë janë 7% në rast se huaja jepet në monedhën e përbashkët europiane. Norma e interesit qëndron në këtë kuotë për dy vitet e para për t’u llogaritur me formulën Euribor+5%, me kufirin minimal 8.5%, për vitet pasardhëse. E njëjta ofertë aplikohet edhe për kreditë e dhëna në lek. Gjatë dy viteve të para, norma e interesit që aplikon banka bazohet te formula Bth+0%, ndërsa për vitet në vazhdim llogaritja e normës së interesit bëhet në bazë të formulës Bth+3%. Banka mbulon 70% të vlerës së apartamentit që do blihet, ndërkohë që afati i shlyerjes shtrihet deri në periudhën maksimale 20 vjeçare. Edhe Banka “Alpha” ka vendosur të përdorë kohëzgjatjen e shlyerjes së kredive si një element shtesë për të ngjallur interesin e klientëve. Aktualisht banka ofron kredi me kohëzgjatje 25 vjeçare, nga 20 deri pak kohë më parë.

Për huat në monedhën e përbashkët europiane banka aplikon normën fikse të interesit prej 7%. Gjatë viteve të mëpasshme, kostoja e kredisë llogaritet në bazë të formulës Prime Rate+3% (aktualisht 8.5%). Për kreditë në lekë banka ofron disa mundësi zgjedhjeje. Klienti mund të zgjedhë normën e interesit fiks prej 11.5% për vitin e parë, apo 12.5% për tre vitet e para. Për vitet në vazhdim norma e interesit përllogaritet me formulën Prime Rate+3% (aktualisht 12.45%). Për kreditë në monedhën e përbashkët europiane, Banka “Credins” ofron norma interesi të bazuara të formula Euribor+7-9%. Ndërsa norma e interesave të kredive në lek llogaritet me formulën Repo+6.5-10%. Banka i jep rëndësi raportit në cilësi dhe kohë me klientët, që do të thotë se normat më të ulëta të interesave u rezervohen atyre klientëve që kanë histori të gjatë dhe kredi të përsëritura në bankë.

Banka Kombëtare Greke vazhdon të mbajë në fuqi ofertën “PUM” për kredi hipotekare të nisur që në pranverën e këtij viti. Klientëve të kësaj banke u ofrohen hua me kohëzgjatje maksimale 25 vjeçare me normën 9.2%, e përcaktuar me formulën BLR (Base Landing Rate)+4.7%. Për kreditë hipotekare me të njëjtën kohëzgjatje në lek banka ofron normën e interesit 13.4%, e përcaktuar përmes formulës BLR+4.5%. Objekti që kërkohet nga banka si garanci duhet të vlejë të paktën sa 145% e huas, ndërkohë që banka mbulon 70% të blerjes. Banka ProCredit aplikon normat e interesave fleksibël, përcaktimi i të cilave varet nga raporti dhe historia e huamarrësit me bankën. ProCredit krediton deri në 90% të shumës së blerjes me afate shlyerjeje deri 20 vjet. Për kreditë në euro llogaritja e normave të interesave bëhet në bazë të formulës Euroribor+5-7%, ndërsa ato në monedhën tonë kombëtare me formulën Bth+3-5%. Banka “Emporiki” ka bërë publike ofertën “Safe Home” (shtëpi e sigurt).

Përmes saj ky institucion ofron hua në monedhën e përbashkët europiane me normën fikse të interesit 7.9% për tre vitet e para, e cila për vitet në vazhdim përllogaritet me formulën BLR+4, aktualisht 9.53%. për ta bërë edhe më joshëse ofertën banka ka shtuar në 25 vite kohëzgjatjen e shlyerjes së huas, e cila për kreditë hipotekare është 20 vite. Banka mbulon 70% të shumës së blerjes, por oficerja e kredisë shpjegon se për klientë preferencialë mund të financohet edhe 100% e saj.

Norma më e ulët e interesit në treg gjendet në sportelet e Bankës Popullore, e cila në monedhën e përbashkët europiane ofron hua me çmim 6.9% për vitin e parë. Për vitet e mëpasshme norma e interesit llogaritet me formulën Euroribor+4.5%, por me kuotën dysheme 6.9%. Për huatë në monedhën vendase kjo bankë ofron normën e interesit të llogaritur me formulën Bth+3%. Kohëzgjatja e shlyerjes së kredive është 20 vjeçare, ndërkohë që garancia e kërkuar nga banka në këmbim duhet të ketë të paktën 130% të vlerës së huasë.

Kohëzgjatjen më të shtrirë të kredive e gjejmë në Bankën e Parë të Investimeve, e cila ofron afate shlyerjeje deri në 30 vjet. Normat e interesit që ofron banka për kreditë në monedhën e përbashkët europiane janë 9.2%, ndërsa ato në lekë 12.5%.

Oferta edhe në kushtet e kreditimit

Bankat e nivelit të dytë kanë lehtësuar edhe disa prej kushteve të miratimit të kredive në kërkim të rritjes së ofertës. Kjo kryesisht duke ofruar lehtësira që kanë të bëjnë me kohëzgjatjet dhe me përqindjet e financimeve, por edhe përmes uljeve të normave të interesave për klientët preferencialë. Ajo që u vërejt gjatë vëzhgimit qe se, pavarësisht kuotave zyrtare, të gjitha bankat ofrojnë ulje interesash veçanërisht për klientët preferencialë. Kohëzgjatja e kredive është një element tjetër që bankat po përdorin për t’u lehtësuar disi konsumatorëve kushtet e kreditimit. Në të kundërt të një viti më parë, bankat nuk i orientojnë më klientët drejt kredive të shtrira në afate të shkurtra kohore, pesë deri dhjetëvjeçare, por ofrojnë kushte për kohëzgjatje 20 deri 25-vjeçare – madje një prej bankave e shtrin afatin e shlyerjes deri 30 vjet.

Lehtësim është vërejtur edhe përsa i përket masës së financimit që marrin përsipër bankat. Nëse në çastet kur kriza financiare globale arriti kulmin bankat e ulën kuotën e financimit edhe deri në masën 60-70% të shumës, sot kjo kuotë vërtitet në shifrat 70-80%, dhe në rastet e klientëve preferencialë edhe më shumë. Disa banka marrin përsipër edhe mbulimin e plotë të blerjes për klientët me historik të mirë.


Tabela
Interesat mesatare të kredive për shtëpi

Në lekë Në euro
10-13% 7-9%

Tabelat me kushtet e huave për shtëpi

Raiffeisen Bank

Shuma maksimale e financuar: 100 mijë euro ose ekuivalenti në lekë dhe USD.
Afati i shlyerjes së huas: 25 vjet.
Përqindja maksimale e vlerës së shtëpisë që financohet: 70%.
Normat e interesit:
Në lekë: Tribor+1.75 (10.25%)
Në euro: Euroribor+7% (8.3%)
Garancia që kërkohet: Hipoteka e pronës që do të blihet ose e një prone ekzistuese, në vlerën 135% të huas.

Intesa SanPaolo Bank

Shuma maksimale e financuar: 100 mijë USD ose ekuivalenti në euro dhe lekë.
Financimi: Jo më shumë se 70% e vlerës së apartamentit dhe jo më shumë se 50% e vlerës së dyqanit.
Monedha: EURO / USD / LEKË
Normat e interesit:
Në euro; 7%, për dy vitet e para llogaritet me formulën Euribor+5% me kufirin minimal 8.5%, për vitet pasardhëse
Në lek: 7%, për dy vitet e para llogaritet me formulën Euribor+5% me kufirin minimal 8.5%, për vitet pasardhëse
Afati i shlyerjes: periudha maksimale 20 vjet
Garancia: Shtëpia, dyqani që do të blihet/rikonstruktohet/mobilohet ose një pasuri tjetër provizore.
Të ardhurat mujore: Jo më shumë se 60% e të ardhurave duhet të shkojnë për pagesën e kredisë.

Banka Kombëtare Tregtare

Shuma maksimale e financuar: 500 mijë USD ose ekuivalenti në euro dhe lekë.
Afati maksimal i shlyerjes së huas: 20 vjet për huat në lekë, 10 vjet për huat në valutë.
Përqindja maksimale e vlerës së shtëpisë që financohet: 80%.
Normat e interesit:
Në lekë: Bth+0% për tre vitet e para të shlyerjes. Për vitet në vazhdim norma e interesit Bth+2.2% për klientët preferencialë, dhe + 3.3% për klientët standardë.
Në euro: Euroribor+3.5% në vit.
Për klientët standardë: interesi 8% deri në fund të vitit, në vazhdim me formulën Euroribor+4.5%.
Garancia që kërkohet: Hipoteka e shtëpisë ose e një pasurie tjetër të paluajtshme.
(Norma aktuale e bonove të thesarit është 9.4 për qind.)

Alpha Bank

Kohëzgjatja e kredisë: maksimumi 25 vjet
Norma e interesit:
Në euro, normë fikse prej 7%
Në lekë, normë fikse prej 11.5% për vitin e parë ose 12.5% për tre vitet e para. Për vitet në vazhdim norma e interesit përllogaritet me formulën Prime Rate+3% (12.45%).
Kolaterali 140% e shumës së kredisë

Banka “Credins”

Norma e interesit:
Në euro, Euribor+7-9%
Në lek, Repo+6.5-10%

NBG Bank

Shuma maksimale e financuar: 250 mijë euro.
Afati maksimal i shlyerjes së huas: 25 vjet.
Përqindja maksimale e vlerës së shtëpisë që financohet: 70%.
Normat e interesit:
Në euro, 9.2% në vit e përcaktuar me formulën BLR+4.7%
Në lekë, 13.4% në vit e përcaktuar përmes formulës BLR+4.5%
Garancia që kërkohet: Hipoteka e pronës që do të blihet ose e një prone të paktën sa 145% e huas

Banka ProCredit

Normat e interesit:
Në euro, Euroribor+5-7%
Në lekë, Bth+3-5%
Kreditim deri në 90% të shumës së blerjes
Afati i shlyerjes së kredisë: maksimumi deri 20 vjet

Banka “Emporiki”

Norma e interesit:
Në euro, 7.9% për tre vitet e para, për vitet në vazhdim BLR+4 (9.53%)
Afati i shlyerjes së kredisë: maksimumi 25 vite
Banka mbulon 70% të shumës së blerjes, për klientë preferencialë edhe 100% e saj

Banka Popullore

Shuma maksimale e financuar: -
Kohëzgjatja e shlyerjes së kredisë: maksimumi 20 vjet
Përqindja e vlerës së shtëpisë që financohet: 80%.
Normat e interesit:
Në euro, Euribor 12-mujor + 6.9% në vitin e parë, për vitet e mëpasshme Euroribor+4.5%, por me kuotën dysheme 6.9%.
Në lek: Bono thesari 12-mujore + 3% në vit, (për dy vitet e para vetëm Bono Thesari- BTH+0%).
Garancia që kërkohet: Pasuri e patundshme, në vlerën 130% të huas.

Banka e Parë e Investimeve

Afati maksimal i shlyerjes së kredisë: deri në 30 vjet
Normat e interesit: për kreditë në euro 9.2%, ndërsa ato në lekë 12.5%.

Tirana Bank

Shuma maksimale e financuar: 100 mijë euro ose ekuivalenti në lekë dhe dollarë amerikanë.
Afati maksimal i shlyerjes së huas: 25 vjet.
Përqindja maksimale e vlerës së shtëpisë që financohet: Në lekë 70%, në euro 60%.
LEKË = Bono thesari (12m) + 3 %
EURO = Euribor (3m) + 5.5% (me një minimum prej 9%)
Garancia që kërkohet: Hipoteka e pronës që do të blihet ose e një prone ekzistuese, në vlerën 143% të huas.

Union Bank

Shuma maksimale e financuar: -
Afati maksimal i shlyerjes së huas: 20 vjet.
Përqindja maksimale e vlerës së shtëpisë që financohet: 70%.
Normat e interesit: Në lekë BTH 1v + 3.5%
Në euro: Euribor 1v + 6.1%
Garancia që kërkohet: Hipoteka e pronës që do të blihet ose e një prone ekzistuese


BOX
A duhet marrë kredi tani?

Ndryshimet në tregjet financiare kanë shkaktuar pasiguri të madhe. Po ashtu, edhe zhvillimet në ekonomitë e brendshme kushtëzojnë marrjen e huas. Në vendin tonë gjërat duken më optimiste sipas statistikave të brendshme apo ato të institucioneve financiare ndërkombëtare. FMN-ja, BERZH-i dhe BB kanë rishikuar edhe një herë ritmet e rritjes ekonomike vjetore për Shqipërinë, duke e çuar në masën 3 për qind. Duke parë ndryshimet e vazhdueshme të kursit të lekut me euron, dhe paqëndrueshmërinë e vendeve të punës, çdo kush heziton për të marrë një kredi. Po ashtu, një dilemë e madhe është nëse kredia duhet të merret në euro apo në lekë.

Në një perspektivë afatgjatë, kur pritet që brenda 5 apo dhjetë vjetësh Shqipëria të bëhet anëtare e Bashkimit Europian, një kredi në euro për çdo klient do të ishte e favorshme. Por kush duron deri atëherë? Gjërat janë më të sigurta në një perspektivë afatshkurtër ose afatmesme nëse merr një kredi në lekë. Përtej këtyre dilemave ka edhe sugjerime për klientët nga këshilluesit e mirë të bankave. Tani për tani ekspertët këshillojnë që të mbajnë fort të ardhurat që kanë siguruar; po ashtu, të mos bëjnë këmbime nga njëra valutë në tjetrën. E njëjta praktikë sugjerohet edhe në rast se do të marrësh një kredi.

Ndonëse Banka Qendrore e uli normën e interesit për herë të dytë brenda një periudhe 1-vjeçare, kjo nuk po reflektohet me ulje të normave të interesit në lekë. Kjo po ndodh për shkak të pasigurive që kanë edhe vetë bankat. Prandaj, disa ekspertë sugjerojnë që të pritet një kohë më e mirë. Kjo nuk i pengon të guximshmit dhe të suksesshmit në biznes apo punë që të marrin kredi edhe në këto momente.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama