Me trishton monologu me pensionin tim 111 Euro!

Me trishton monologu me pensionin tim: 111 Euro!

Intervistë e “Java”-s me Viktor Zhustin, aktorin e njohur të filmave dhe teatrit tonë kombëtar. Intervista ka marrë shumë kohë, por ka qenë disi e mjaftueshme për të treguar perceptimin e aktorit për pjesën e fundit në teatër, rolet e tij të shumta, përballja e tij me politikën, varfërinë shpirtërore të publikut dhe braktisjen e vlerave...

 

Rezistenca e Viktor Zhustit për të mos u intervistuar ka qenë e fortë por edhe disi lozonjare. Ka dashur të intervistohet, pastaj i është “prishur mëndja” dhe pastaj ka pranuar sërish duke derdhur nga vetja shumë gjëra të ngulfatura vitesh. I ka kaluar të 70-tat, por me rolin e fundit te Marati, ku shpalosi shumë përgatitje fizike, tregoi se vullneti nuk i braktis kurrë njerëzit që e duan jetën. Jeton mes dy vendeve fqinje, pasi është edhe shpirtërisht mes tyre: disi më shumë në Shqipëri edhe pse në Greqi ka një shtëpi të këndshme buzë detit. Arsyeja është e thjeshtë: Në Shqipëri ndjehet më mirë me miqtë, publikun dhe sidomos artin...Nuk bën më plane. Ato i mjaftojnë tash për pak muaj. Mosha kuptohet se është fajtore për këtë, por s’i trembet. Në këtë intervistë është folur për gjithçka që ai ka qenë i predispozuar të flasë. Pak për të shkuarën, duke shmangur pyetjen klishe të ndalimit të tij. Është pyetur kryesisht për perceptimin e tij për artin, politikën dhe publikun. Si e shikon prirjen e shoqërisë së sotme, por edhe mendime për teatrin. Për të gjitha ka pasur përgjigje, që e shoqëronte me një qeshje të këndshme. Ka një energji që mund të jetë shembull për më të rinjtë dhe këtë e tregoi menjëherë, kur rierdhi në skenë pas 17 vitesh, pak vite më parë. Pjesët “Të gjithë me huqe” dhe “Kush ka frikë nga Virxhina Woolf “ jo vetëm e kthyen para publikut, aktorin që i kishte munguar skenës, por edhe treguan se aktori që kish filluar ngjitjen në skenë 60 vjet më parë te Genci i  “Shtëpisë në Bulevard” i regjisorit Kujtim Spahivogli, nuk do të zbriste lehtë prej saj. Ka disi siklete me rolet e dikurit, që e bën t’i ndërrojë menjëherë kanalet në Tv, por nuk i hedh poshtë dhe ndaj duket që investimin e bën të fortë për rolet që i besohen...Nuk i shpëton dot patetizmit, por kur e njeh mirë e kupton se ajo ndjenjë është pjesë e nostalgjisë për gjënë e mirë dhe artin, pjesë e të cilës ka qenë për gati më shumë se 60 vjet. Markezi De Sad i vjen në ndihmë për një koncept me jetën: " Që të mund të dimë se ç'është e mirë e ç'është e keqe/ duhet të njohim vetveten. Unë, vetveten, nuk e njoh./ Kur besoj se e kam gjetur një gjë,/ menjëherë e vë në dyshim dhe më duhet t'a shkatërroj sërisht...". Biseda mbyllet këtu. Ndahemi afër mesnatës. 

 

Roli i fundit i de Sadit, nxori edhe një herë në pah përpjekjen dhe sfidën tuaj për teatër cilësor. A mendoni se shfaqja me mesazhe të forta politiko-sociale, ia arriti qëllimit ?

“Së pari, më lejoni t'ju falënderoj për dashamirësinë, konsideratën, kohën e vendin që më rezervoni, për të komunikuar përmes të përjavshmes prestigjioze "JAVA".

Me konkretisht për pyetjen: Sa më shumë që shfaqja po gjallon në skenë-janë mëse trembëdhjetë kontakte me publikun-aq më tepër bindem se shfaqja po ia arrin qëllimeve, por jo vetëm qëllimit. Reagimet direkte brenda sallës dhe ato indirekte jashtë saj, m'a përforcojnë këtë. Për kujtesë, kjo vepër shfaqet 55 vjet pas së bujshmes" "Njollat e murrme". Kjo NGJARJE, bëri e po bën gjithashtu shumë zhurmë, ka ngritur tallaze, ka nxitur mendime kontradiktore, dashamirëse dhe inatçore, "apoteozë" për disa dhe "zhgënjim" për disa të tjerë, e veç këtyre përbashkësive, ka të njëjtë dhe pikënisjen: rrufenë nga lart. Dikur "Zeusi i Kuq", sapo "dalloi njollat, nga Tribuna e Byrosë së K.Q.P.P.SH. lëshoi anatemën për "shthurjen ideologjike" ne teatër. Këtë herë, po nga Tribuna-e Parlamentit-akoma pa e parë, u nis kometa e zjarrtë për të djegur "klanin e aferave korruptive dhe spekulimeve ekonomike" në teatër. Kohë të reja, terma të reja. Bishti i kësaj komete-çuditërisht-vazhdon akoma të zgjatët e ushqehet me turli komentesh në facebook sa herë boton dikush ndonjë imazh nga shfaqja (efekti i shamisë së kuqe të toreadorit). Çdo cunam është pasojë e një tërmeti. Nuk gjej ç'lloj tërmeti e zgjoi këtë cunam !!! Argumentet e përfolur për konflikt interesash, plagjiaturë artistike, megalomani krijuesi... duket ishin tepër të zbehta që të bënin shumë pasues. Kasta e "specialistëve të artit" dhe e "viktimave që e marrin sapunin për djathë", u polarizuan e izoluan shpejt e pa ndikim të dukshëm në opinionin masiv. Ata që kanë rastin të asistojnë për një ore e 40 minuta-sa zgjat jeta e këtij spektakli-diçka të vlertë përjetojnë e marrin me vete, që i detyron të duartrokasin gjatë, të diskutojnë po gjatë, të ecin kokë-ulur, të presin aktorët pas shfaqjes, të komentojnë...

Teatri nuk e ka kapërcyer dot akoma plotësisht statusin e "vënësve në skenë", porse ky spektakël, tregoi se nuk është i tillë, por KRIJIM. Krijim, që ka dhe MESAZH dhe IMAZH. Lavdi Zotit dhe është në nderin e Teatrit Kombëtar dhe atij shqiptar në përgjithësi, që kjo nuk është përpjekja e veçuar në këtë sezon artistik. Teatri i Durrësit me "Elektrën", Kombëtari me "Liri në Bremen" e ndonjë rast tjetër, treguan se ka krijues të shqetësuar-artistë qytetarë-që operojnë me sukses në fushën e regjisë. Këta krijues, individualitete të ndryshme artistike, me pretendimet, shijet dhe estetiken bashkëkohore, kërkojnë një gjuhë tjetër shprehje në skenë, edhe pse në një terren mjaft të disfavorshëm ekonomiko-artistik. Do të isha kundërvënës nëse do pretendoja se shfaqja ia ka arritur plotësisht qëllimit, por ndjej që ka qëlluar në shenjë, derisa edhe politikanë edhe artistë, edhe të angazhuar edhe të paangazhuar, të vakët dhe zemërakë, radikalë dhe të moderuar, nuk ndjehen akoma të qetë,  jo më indiferentë, edhe pse gati një muaj pas premierës”.

 

Kishit një rol të vështirë, ku shquat për përgatitjen fizike dhe disiplinën në rol. A mendoni se mund të zgjidhej pak më ndryshe roli juaj ?

“Roli i Markezit De Sad, mund të zgjidhej edhe pak, edhe shumë më ndryshe. Vetëm disa minuta klikime në YOU TUBE do t'ju dëshmojnë për një gamë të paimagjinueshme trajtimesh (që nga kërkesa skrupuloze për besnikëri e fanatizëm ndaj remarkave të autorit e deri ekstremet me veshje lëkure, kitara elektrike dhe muzikë HEAVY METAL). Gjithçka varet nga këndvështrimi, shija, formimi, temperamenti, estetika, individualiteti dhe pretendimet e regjisorit. Në teatër, ai është ZOTI. Kanë shumë rëndësi kushtet social-ekonomike që e lindën dramën, por po aq e ndofta më përcaktuese, kushtet kur ajo vihet në skenë. Përse ? Çfarë i thotë e me ç'gjuhë i flet kohës? Prej kohësh, por veçanërisht sot, teatri është TEATRI I REGJISË. Ai e zgjedh, e koncepton dhe e trajton autorin. Ai përcakton MESAZHIN dhe IMAZHIN. Ai e bën dhe tablonë dhe kornizën. Aktori interpreton imazhin e regjisë. Vlera e aktorit si bashkëkrijues qëndron tek forca dhe përmbajtja e fjalës së tij, ngopja emocionale që i jep figurës, vërtetësia, organiciteti, aftësia komunikuese, forca bindëse mishëruese... Këto e të tjera e bëjnë krijimin e tij skenik të veçantë e të papërsëritshëm, formësuar së brendshmi e veshur më pas me grimin dhe kostumin. E në gjithë këtë proces delikat e të ndërlikuar, "autori-aktor", nuk vendos dot asgjë "arbitrarisht" e pa kaluar në filtrin e "autorit" regjisor, sepse është një pjesë-edhe pse më e rëndësishmja-në këtë "PUZZLE GAMES" (Lojëra pazlli) që ndërton regjia”.

 

Si e shikoni sot rolin e teatrit në përgjithësi dhe ndikimin e tij në jetën shqiptare? Sa ndikon politika dhe jeta sociale në jetën e publikut të thjeshtë shqiptar? Mendoni se arti e ka të pamundur të ndryshojë jetën e ngarkuar shqiptare ?

“Me traditën dhe nivelin që kish teatri para viteve '90, kish krijuar dhe spektatorin e tij. Spektatorin që sakrifikonte duke zënë radhë pagdhirë në biletari e pastaj vraponte për në punë; spektatorin që mbushte sallën për gjashtë ditë në javë dhe e mbante shfaqjen për disa vjet në repertor, edhe pse Tirana e Kuqe kishte vetëm 1/3 e popullsisë së sotme. Më mungon naiviteti dhe fanatizmi që të mallëngjehem e qaj për të kaluarën... Ndryshimet e thella sociale, burimet e reja të informacionit e argëtimit, ritmi marramendës i kohës, bënë që nga teatri të mos largohet vetëm një masë e vogël e adhuruesve të moçëm, që janë prezent në çdo premierë a shfaqje të radhës.

Zhvendosjet dhe mbivendosjet shoqërore pas viteve '90, shpërngulja dhe arratia nga kryeqyteti e gjithë vendi i masave të tëra, shkëmbimet e përmbysjet demografike, vala e dyndsave nëpër qytete, me shijet, dialektet, formime e pretendime nga më të ndryshme, e bëri dhe teatrin, (akoma zvarriste nga e kaluara tabelën "tribunë e masave"), që për gati dy dekada, të "gatuante" për këtë formacion të ri shtresash heterogjene, ushqim gjysmë të gatshëm e të lehtë-tretshëm. Thjeshtë: argëtues. Më thjeshtë: komercial. Fare thjesht: me vlera të diskutueshme ushqyese. Filloi seleksionimi e përzgjedhja. "Tregu" u nda. Tërhoqi entuziastët e vet "BIG BROTHER-i", mori klientët e vet "AL PAZARI", konkurronte prej kohesh me sukses në tregun e argëtimit

PORTOKALLIA,  teatrot e provincës u zbehën e tkurren, METROPOLI, EKSPERIMENTALI, KOMBËTARI kërkonin mjete e forma ekzistence. Që koha e luftës për mbijetesë. Normale. Kjo ndodhi kudo. Varfërinë e ngopin më shumë ngjarjet se buka. Teatri s'mund të ankohet në këtë situatë. Edhe po e bëri këtë, s'e mëshiron njeri. Duhet të sigurojë vendin e vet, dinjitoz e të merituar, në këtë realitet të ri. Biletat e lira-dy herë në javë-janë politike, jo zgjidhje. Zgjidhje do të ishte një politikë shtetërore nxitëse në favor të kësaj vlere kombëtare dhe një shkolle artistike e ngritur mbi kritere të reja krijuese e konkurruese, por... këto nuk varen prej tij. Le të mbahet pra me PROBLEMATIKËN  dhe NIVELIN ARTISTIK. Si vlerë kulture e kombit, popullor dhe elitar, ai troket në shpirtin dhe mendjen e njerëzve me forcë të parezistueshme dhe mjete e mënyra të ndryshme nga të tjerët. Teatri nuk e ndryshon dot jetën e ngarkuar shqiptare. Kur ai përpiqet t'a ëmbëlsojë, t'i verë balsam plagës së infektuar, të zbutë klithmat e ledhatojë me ngjyra rozë, humbet qëllimin dhe funksionin shoqëror. Teatri nuk e zgjidh problemin. Ai ka forcë e mision t'a zbulojë, nënvizojë e paraqesë atë në një dritë të re. Të drejtojë vëmendjen e dikujt e të zgjojë ndonjë mëndjetopitur. Teatri as nuk duhet t'a fshehë dhe as t'a anashkalojë problemin. Kur ndodh kjo, shndërrohet ai vetë në problem”.

Çfarë shikoni sot si MË IMEDIATE për të ndryshuar ?

“Pensionin tim. Më trishton monologu që bëj sa herë shoh ato tre shifra monotone: 111 euro”.

 

Edhe një herë për politikën. Ju duket normale kjo sjellje politike në vend ? Si e përjetoni ?

“Për mua që e jetova të plotë Diktaturën e Proletariatit, amokun e ambasadave, aq miop sa Sudja m'u duk peri, që mëngjeseve të '97 gjatë rrugës për në Teatër mblidhja në bulevard maja plumbash të shtypur në forma nga më të çuditshmet nga shkrehjet e kallashnikovëve nëpër natë (se helbete në bibliotekë krahas dy Veprave të Kuqe të Udhëheqësit, në vendin bosh duhej vënë për shoqërim ndonjë relike nga Lindje e Demokracisë së Përgjakur, për të kujtuar rrugën e përshkuar), që 7 vjet më parë, në orën 12.05, sapo avioni u ngrit nga Rinasi, të gjithë klithëm të llahtarisur nga zhurma e beftë, se kujtuam që diçka plasi në kabinë, e më pas n'a thanë se atë çast ndodheshim mbi Gërdec, dhe deri më sot, kur s'kemi më armiq po shumë armiqësi, kemi pak filma të xhiruar por shumë video çoroditëse, kur çdo kanal TV garon për të kapur e shpallur më i pari sa më shumë të zeza nga kronika e zezë, pyes veten: KUSH N'A KA MALLKUAR DHE PSE ? Kur prishëm kishat dhe xhamitë, besonim se e keqja n'a vinte si ndëshkim nga Zoti, po tani që i ndreqëm e shumëfishuam ? Mos vallë duhet të gërmojmë tek të vërtetat që n'a thonë "armiqtë tanë" a shkrimet e Konicës? Çfarë skanimi duhet për të parë brenda vetes ? Nuk është as "geni vetëshkatërrues", ndryshe nuk do të kishim rezistuar kaq mijëvjeçarë dhe me këtë vitalitet të frikshëm ? Atëhere, kush ? Ç'po ndodh me ne ? Deri kur ?”

 

Jeni i njohur për disa role në teatër e film. Cilët do vlerësoni më shumë, ata të realizuar para viteve'90 apo ata më pas ?

“Të gjitha krijimet, si para, ashtu dhe pas '90-tës, mbartin entuziazmin dhe mëkatet e krijuesit të tyre. Ka prej tyre që kur i ndesh rastësisht ne TV, i lë disa sekuenca për t'i parë e çmallur (si një të huaj të njohur që e takojmë në rrugë, s'e kemi parë prej kohësh, por s'kemi dhe shumë për të thënë e ndarë), ka dhe role që kur më dalin në ndonjë kanal, shtyp telekomandën për t'i anashkaluar (siç ndërrojmë trotuar për të mos takuar dikë, me të cilin s'ia vlen të humbasësh kohën...). Pas viteve '90, kujdesem veçanërisht që çdo figurë të shënojë një hap-sado të vogël-para, në krahasim me të mëparshmin, dhe të mbartë-sa të jetë e mundur-më pak mëkate. Nuk kam dhe shumë kohë për t'i shlyer”.

 

Cili është ushqimi juaj kulturor?

“Së pari LIBRI. Lexoj mjaft, por jo pa kriter. Më pas FILMI, kryesisht i ndjekur dhe i përzgjedhur në TV. Ngushëllues: TEATRI. Ndjek rregullisht shfaqjet më të reja e cilësore në Greqi si në teatrot e qytetit ashtu dhe ne amfiteatrot jashtë tij. Ngjarje të veçantë përbën "Festivali Ndërkombëtar i Athinës" ku ai më i përzgjedhuri vendas dhe evropian, sjellin e ballafaqojnë teknikat dhe estetikën bashkëkohore të skenës”.

 

Si e keni administruar famën ndër vite? Ju ka bezdisur apo ju ka mikluar?

“Kurrë nuk e kam konsideruar veten të famshëm dhe as jam sjellë ndonjëherë si i tillë. Ndjehem mirë e ngrohtë nga duartrokitjet apo sa herë ndesh vështrimet dashamirëse të kalimtarëve. Aq sa ndjehem dhe keq (vërtet keq) kur dëgjoj a lexoj në media epitete hiperbolike që (pavarësisht nga entuziazmi dhe adhurimi që shprehin) vetëm trishtim më sjellin. Duke e ndarë jetën midis MËMËDHEUT dhe ATDHEUT, ndjehem NJË NUMUR atje, në të parin dhe NJË EMER këtu, në të dytin. Kjo është shumë e mjaftë. Nuk ndjehem as "NJËSH". as "IKONË", as "GJIGAND", por tërësisht i detyruar dhe mirënjohës me dashamirësit artdashës, nga të cilët marr shumë më tepër nga ç'u jap, ndaj çdo herë në skenë e në jetë kam ndrojtje e borxh ndaj tyre.

 

Jo pak nga artistët shqiptarë s'e përballin dot të shkuarën dhe rolet e artit në këtë kohë. Si është përballja juaj me rolet e shumta që keni luajtur aso kohe? Mendoni se kanë vlerë ende një pjese e tyre?

 “Si përgjigje, më vjen ndërmend fillimi i një prej monologëve të Markezit De Sad, që besoj se më mbulon plotësisht si përgjigje: "Që të mund të dimë se ç'është e mirë e ç'është e keqe duhet të njohim vetveten. Unë, vetveten, nuk e njoh. Kur besoj se e kam gjetur një gjë, menjëherë e vë në dyshim dhe më duhet t'a shkatërroj sërisht..."

 

Cilat janë angazhimet tuaja në të ardhmen?

 “I vetëdijshëm se nuk e kam luksin e kohës pa kufi, nuk shikoj më "ëndrra të mëdha" e as "larg në perspektivë". Programimet i shtrij vetëm në afatin një-vjeçar. Brenda muajit, do të xhiroj një mikrosubjekt për reklamë televizive. Brenda vjeshtës, një film me metrazh të shkurtër për jetën e Profesor ZUBERIT, inxhinierit polak, viktimë e diktaturës komuniste në Shqipëri, fatin dhe fundin e të cilit në burgun e Tiranës, e bëri të njohur për herë të parë shkrimtari Petro Marko, dëshmitar okular, që jetoi në të njëjtën qeli, çastet e tij të fundit. Ndërsa, deri në fund të vitit 2015, besoj të nis-për herë të parë si regjisor-punën për inskenimin e dramës së David Harrower: "ZOGU I ZI". Si "talent i ri" në fushën e regjisë, besoj të kem mbështetjen e Teatrit dhe dashamirësinë e publikut. Ju lodha? Epo, më ndjeni. Faleminderit”. 


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama