Një ngjarje e paprecedentë është shënuar me gazetarin e kronikës në televizionin A1 Report i cili është shoqëruar nga policia ndërsa raportonte për një konflikt në Farkë të Vogël. Gazetari Dashamir Biçaku ka njoftuar redaksinë se efektivët e Policisë Rrugore të Tiranës dhe njësitë e Kontrollit të Transportit rrugor e ndaluan me argumentin se nuk ka të drejtë të filmojë. Një paradoks kjo kur detyra e gazetarit është të përcjellë ngjarjen tek publiku përmes pamjeve.
Menjëherë pas bërjes publike të lajmit të shoqërimit në ekranin e A1 Report, policia e ka lënë të lirë gazetarin, madje edhe duke kërkuar ndjesë pasi sipas tyre kishin dyshime nëse Dashamir Bicaku ishte gazetar – kjo edhe në mungesë të dokumentit të identifikimit.
Por për çfarë po raportonte gazetari Biçaku?
Në Farkë të Vogël protestohej kundër vendimit të kryekomunarit të Farkës Fatbardh Plaku i cili i ka hequr licencën “Sara Trans” për linjën e autobusëve rreth komunës Farkë. Kjo sipas përfaqësuesve të kësaj linje, ka ndodhur në mënyrë të njëanshme nga kryekomunari Plaku i cili ja ka dhënë licencën djalit të xhaxhait të tij.