Zejtaria lista e profesioneve qe do tu shpetoje taksave te biznesit

Projektligji

Regjistër për ata që bëjnë prodhim joindustrial, mirëmbajtje, riparime dhe artizanat shtëpiak

Lista – Në projektligj përcaktohet se zejtaria është prodhimi artizanal i produkteve ose realizimi i shërbimeve artizanale sipas listës së zejtarive.

Zanatçinjtë do të çlirohen nga të gjitha llojet e taksave, me të cilat trajtohen bizneset. Një projektligj për zejtarinë që pritet të miratohet këto ditë nga qeveria parashikon hartimin e listës së profesioneve që në thelb nuk trajtohen si aktivitet tregtie, shërbimesh apo prodhimi industrial. Drafti i përgatitur në bashkëpunim me grupet e interesit përcakton disa kushte për të qenë zejtar apo artizan. Sipas përkufizimit të bërë nga drafti, janë katër lloje aktivitetesh që përmblidhen në zejtari. “Zejtaria prodhuese, është përpunimi dhe prodhimi i produkteve për treg e që nuk kanë veçori të prodhimit industrial. Zejtaria e shërbimit është mirëmbajtja dhe riparimi i prodhimeve, stabilimenteve, objekteve, si dhe kryerja e shërbimeve të tjera. Artizanati është punimi dhe përpunimi i objekteve të artit, cilësia e të cilave varet nga shkathtësia e prodhuesit. Artizanati shtëpiak është punimi me dorë i produkteve të veçanta, të cilat zejtari i punon vetë ose me anëtarët e familjes”, ky është përcaktimi që bën projektligji.

Regjistrimi

Qeveria do t’u caktojë zejtarëve kushtin që të regjistrohen dhe të anëtarësohen në Dhomën Kombëtare të Zejtarisë, krahas regjistrimit në QKR. Sipas draftit, veprimtaria e ndërmarrjeve zejtare rregullohet nga legjislacioni në fuqi në lidhje me regjistrimin, marrëdhëniet e punës, ambientet e punës, shëndetin dhe sigurinë në punë. Zejtarët do të paguajnë kontributet e sigurimeve për vete dhe për të punësuarit. Ushtrimi i veprimtarisë zejtare në mënyrë të pavarur nga një person, organizatë ose nga një shoqëri do të jetë i lejuar vetëm nëse ata janë  regjistruar në Dhomën Kombëtare të Zejtarisë. Ndërmarrja e zejtarisë që është e regjistruar detyrohet të ekspozojë në një vend të dukshëm vërtetimin e regjistrimit, si edhe t´ua tregojnë atë konsumatorëve të produkteve dhe shërbimeve si edhe kontrollorëve nëse ata duan apo kërkojnë ta shohin atë. Ndërkaq, një listë profesionesh pritet të hartohet dhe t’i jepet qeverisë. Sipas draftit, dhoma e zejeve harton listën e veprimtarive zejtare e cila i referohet nomenklaturës së veprimtarive ekonomike dhe profesioneve në zejtari. Subjekti zejtar duhet të ketë seli dhe lokal të veprimtarisë, kur këtë e kërkon natyra e punës. Nëse për kryerjen e veprimtarisë zejtare nuk është i nevojshëm lokali i veprimtarisë zejtare, atëherë selia e zejtarit është vendqëndrimi i tij.

Mjeshtri

Çdo veprimtari zejtare duhet të drejtohet nga një mjeshtër”, përcakton drafti. Certifikata e mjeshtrit jepet pas kalimit me sukses të provimit të kualifikimit për mjeshtër. Provimi i kualifikimit për mjeshtër vërteton nëse ai që i nënshtrohet provimit zotëron njohuritë teorike dhe praktike të nevojshme për të ushtruar zanatin përkatës në mënyrë të pavarur, për të drejtuar një subjekt zejtar dhe për të kualifikuar çirakë. Në provimin për kualifikimin për mjeshtër pranohen personat të cilët kanë ushtruar përgjatë tre viteve zanatin si ndihmësmjeshtër ose që kanë një dëftesë të shkollës së mesme profesionale ose të një niveli më të lartë në zanatin përkatës.

Ndihmësit

Drafti, duke ruajtur traditën e vjetër të zanatçinjve përcakton disa kategori të punonjësve. Të tillë janë ndihmësit (çirakët), persona të cilët punojnë pranë një subjekti zejtar dhe mësojnë një zeje. Çirakët mund të kualifikohen vetëm nga mjeshtrit ose personat që kanë një kualifikim ekuivalent. Mbi ekuivalencën vendos Dhoma Kombëtare e Zejtarisë. Në rastin e çirakërisë moderne, ndihmësit kualifikohen në mjedis të dyfishtë, në institucione arsimore përmes shfrytëzimit të infrastrukturës arsimore (përfshirë edhe mësuesit), dhe në mjedis pune ku procesi i të nxënit realizohet vetëm nga mjeshtrit. Numri i çirakëve përcaktohet mbi bazën e kapaciteteve për kualifikim dhe nevojave që ka subjekti zejtar, por jo më shumë se tre ndihmës njëkohësisht. Afati i kualifikimit, sipas draftit, nuk lejohet të jetë më i shkurtër se tre vjet, por edhe jo më i gjatë se katër vjet. Kontrata mes ndihmësit(çirakut) dhe pronarit të subjektit zejtar do të përcaktohet me Vendim të Këshillit të Ministrave. Shkollimi i çirakëve përfundon me provimin për marrjen e kualifikimit “ndihmës–mjeshtër“. Ndërkohë, Dhoma Kombëtare e Zejtarisë mban regjistrin me emrat e çirakëve që kualifikohen në ndërmarrjet e zejtarisë. Kjo listë dërgohet edhe pranë Agjencisë Kombëtare të Punësimit.

Ndihmësmjeshtri

Sipas draftit, ndihmësmjeshtri është një person, i cili ushtron një zeje në një subjekt zejtar, si i punësuar pranë një mjeshtri dhe jo i pavarur. Ndihmësmjeshtër mund të jetë një ndihmës (çirak) që ka kaluar me sukses provimin për titullin e ndihmësmjeshtrit, ose një person, i cili nuk është kualifikuar si ndihmës në një subjekt zejtar, por që ushtron zejen qysh prej të paktën tre vjetësh dhe ka kaluar me sukses provimin për titullin e ndihmësmjeshtrit. Qeveria, sipas draftit, lë një vit afat që zejtarët të organizohen sipas ligjit të ri.

Z.Alushi

Kush është zejtar?

Procesi – Procesi i punës nuk është i automatizuar në një shkallë të lartë ose nuk është i ndarë në shkallë të lartë në hallka të veçanta ashtu siç është tipike për prodhimin industrial në seri. Kjo kërkon një kualifikim zejtar të punonjësve.

Drejtori – Drejtori i ndërmarrjes e njeh dhe drejton procesin e punës deri në veçoritë më thelbësore dhe e organizon atë në mënyrë të tillë që ai është në gjendje ta mbikëqyrë atë. Drejtori mban titullin mjeshtër

Produktet – Subjekte zejtare është ndërmarrja që prodhon produkte ose realizon shërbime të përcaktuara në indeksin e zejtarive. Produktet prodhohen dhe shërbimet realizohen bazuar në porositë e porositësve të veçantë.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama