Greqia do te pajise me dokumente refugjatet siriane

Greqia do te pajise me dokumente refugjatet siriane

Të gjithë refugjatët e ardhur nga Siria që kanë të drejtën e azilit, do të pajisen me dokumente të rregullt, në mënyrë që ata të mund të udhëtojnë në çdo vend të BE-së.

Ky vendim u mor në mbledhjen e qeverisë greke, në kuadrin e një plani masash emergjente, pasi kohët e fundit, vendi po përballet me një fluks të lartë emigrantësh.

Për vite me radhë, Greqia është kthyer në një portë hyrëse për refugjatët nga Iraku, Siria dhe vendet e Afrikës Veriore. Por, siç theksojnë shumë prej ministrave të kabinetit “Tsipras”, infrastrukturat aktuale janë të pamjaftueshme, pasi qeveria e mëparshme e Samarasit nuk realizoi absolutisht asnjë masë dhe la të pashfrytëzuara fondet e BE-së.

Ky plan parashikon që, refugjatët azilantë nga Siria të pajisen urgjentisht me dokumente ligjore, me të cilat mund të udhëtojnë menjëherë në vendet e BE-së, ku ata dëshirojnë të jetojnë, dhe për këtë është bërë edhe kërkesa zyrtare në OKB dhe në BE, për aktivizimin e mekanizmave përkatës.

Pothuajse të gjithë emigrantët, që janë grumbulluar në qendrat e vogla të ishujve grekë, si pasojë e dyndjeve të muajve të fundit, do të strehohen në kampe pritjeje në godina të braktisura të shtetit dhe të ushtrisë, nga ku do të bëhet edhe ndarja e tyre: në azilantë, kur ata vijnë nga Siria dhe do të kenë mundësi Europën, dhe në emigrantë ekonomikë.

Në këtë mënyrë, Athina pretendon ta shtrojë këtë problem në një rrafsh më të gjerë, në atë evropian, në mënyrë që refugjatët të trajtohen në kuadrin e aleancës evropiane, si dhe për të ndarë përgjegjësitë.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama