Intelektualet nuk jane zhdukur por gjithcka eshte shnderruar ne opinion

Intelektualet nuk jane zhdukur, por gjithcka eshte shnderruar ne opinion

Në një kohë që kudo trumbetohej për cikle reformash apo reformizëm të një lloji të pa parë, këtu e 25 vjet, imazhet e dhimbshme të të varfërve të burgosur e ngandonjëherë të vetëvrarë, më nxiti t’i zbërtheja në bazë të parimeve më të shëndosha të filozofisë politike dhe sociologjisë, gjithë përmbajtjen e këtyre reformave. Kriza, pra, e njeriut shqiptar dhe e  tërësisë së “botëve të vogla” të njerëzve tanë kudo, në çdo vend, më solli në përfundimin se i gjithë sistemi ynë gjendet në një krizë mbi krizë, ndaj duhej hedhur edhe një kushtrim i argumentuar intelektual.

Deri kur vallë shqiptari do t’i përgjigjet përshëndetjes së shoshoqit:  “A je, si je, ku je” me këtë    fjalë gjysmëgojëshe e le të themi dhe shumë pesimiste: “Gjallë, te të gjallët?”. Ku e ka burimin ky lëshim zemre në shqiptarin burrë të zgjuar, të palodhshëm e të pathyeshëm? Kështu pyeste e kështu ligështohej Valentini në 25-vjetorin e vetëqeverimit shqiptar, për njerëzit e këtij vendi që ende nuk kishin besim në veten e tyre dhe vazhdonin si gjithnjë, në format e veta, vajtimin e nisur që prej kohësh të vjetra.

Është sa e dhimbshme, por dhe aq aktuale, kjo gjendje e projektuar me përpikërinë më të madhe në këtë 25-vjetor të Shqipërisë së lirë dhe demokratike, pas periudhës së errët e të tmerrshme të regjimit komunist. Po njëlloj si atëherë, mungesa e shpresës dhe besimit në të ardhmen janë dy nga karakteristikat më përbërëse të së sotmes shqiptare, ndaj dhe misioni që dijetari i përkushtuar pat parashtruar në atë kohë mbetet ende aty, në mes të rrugës sonë, për zgjidhje dhe përmbushje. “Ky lëshim i dhimbshëm zemre, sqaronte ai, është simptoma e një demokracie, e cila duhet të shtyjë sidomos intelektualët tanë të përpiqen me sa fuqi që kanë për ngritjen dhe lartësimin e shpirtit të shqiptarit, në mënyrë që karakteri i tij të fitojë atë shkallë qytetërimi e kulture që ia kërkon koha”.  Një mision të tillë duhet që intelektualiteti shqiptar ta rimarrë e ta vendosë sot si yll polar në gjithë udhën e veprimit të tij. Njerëzit e mpirë dhe të pllakosur nga varfëria dhe shtrëngesat e jetës presin të gjejnë tek ai një thesar dëshirash e aspiratash ideali, presin t’i kthejnë ndaj tij sytë sa herë që kanë nevojë, madje duan ta  ndiejnë vështrimin e tyre gjithmonë pranë, në mënyrë që afshi dhe fryma t’i prijnë, t’i ngrohin, t’i tregojnë shtegun, ashtu si pa u ndierë dhe pa kuptuar. Sepse një imponim i tillë formon fuqinë dhe rrojtjen e vërtetë të individit shqiptar, në lartësinë dhe nivelin që ia dikton gjendja dhe pritshmëritë. Ja, pse intelektualiteti që e gjen konkretizimin e vet në ekzistencën e një elite, apo një opinioni publik përfaqëson jo vetëm pjesën më të çmuar të një kombi, por edhe udhëheqjen e përhershme të shoqërisë për ide, për gjykim e ndryshim kolektiv.  Por shtrohet pyetja: “A kemi një elitë?”. Problemi qëndron në faktin se intelektuali që mund të shërbejë si “ndërgjegjja kritike e shoqërisë” nuk është gazetari, as profesori i mediatizuar i universitetit, por studiuesi kritik, qoftë i një institucioni publik apo privat, që prodhon kundërinformacion.

 

Ky lloj intelektuali mund të jetë i “gjindshëm” në shumë fusha, por nuk është kurrë aty ku e kërkon media; pasi ai nuk e kërkon median, as është i sponsorizuar prej saj apo OJF të ndryshme. Është pikërisht kjo tipologji intelektualësh, që do të jetë protagonist i një “revolucioni”, si të një “intensiteti të ulët”, ose e thënë ndryshe i një revolucioni të vazhdueshëm. Nëse do t’i shëmbëllenim këto tipologji të rolit intelektual në pasqyrën e realitetit shoqëror dhe mediatik shqiptar, do të shikonim se mbizotëron më tepër tipologjia e “ankimtarit” mbi atë të intelektualit “me ndërgjegje të qetë”, e gazetarit – specialist apo e ekspertit-mediatik mbi intelektualin e “ndërgjegjes kritike” të shoqërisë. E gjitha kjo ka bërë që të mos kemi asnjë politikë të mbështetur te fuqia e intelektualitetit dhe asnjë ideologji drejtuese, në kuptimin më të thjeshtë e më të sinqertë të fjalës, që të paraqesë një përmbajtje intelektuale të vlertë e të vërtetë.   Po cila do të qe rruga për të dalë nga ky qorrsokak, që është trashëguar si “kryqi” dhe “kalvari” më i njëmendtë i gjithë jetës sonë mendore përgjatë një shekulli? Ç’na mungon vallë?   Por për të kuptuar sa më mirë se si mund të ndikojnë mbi popullin dhe si duhet ta ndihmojnë atë, së pari nevojitet të kuptohet domethënia e termit “udhëheqje e popullit”.

 

Ajo nuk nënkupton vetëm drejtimin politik, por parësisht një punë edukuese dhe emancipuese pranë popullit. Dhe me udhëheqës “intelektualë”, siç do të shprehej Edith Stein në letrën e saj të famshme drejtuar intelektualëve, nuk nënkuptohen vetëm teoricienët, por të gjithë ata që në bazë të një formimi teorik ushtrojnë një profesion praktik. Kush i flet popullit me një gjuhë  te rrjedhshme, “të lëmuar” prej njerëzve “të kultivuar”, kush “fluturon” shkujdesshëm mbi realitetin e rëndë të luftës së përditshme për të jetuar, në të cilën është ngërthyer sot pjesa dërrmuese e shqiptarëve, ai është i dyshuar që në fillim të rolit të vet udhëheqës. Po kështu edhe një vullnet i lartë sakrifice apo një entuziazëm i madh i shprehur aq fort për të mirën e popullit, streha ku “fshihen” shpesh mjaft programe zgjedhore apo cikle reformash politike dhe shoqërore, përsëri nuk arrijnë t’i shkatërrojnë dot barrierat që ato ngrenë me popullin. Këtë gjë është e nevojshme ta fokusojnë dhe zgjidhin intelektualët tanë, sepse kronika jonë politike, ashtu siç ka bërë gjithmonë, do të mundohet të propozojë me këmbëngulje parësinë e një grupi opinionistësh të përzgjedhur prej saj, të privuar nga kompetencat, por që do të përpiqen vazhdimisht ta “qeverisin” vendin pikërisht nëpërmjet opinioneve. Dhe  sidomos në këto vitet e fundit, zëri i ndërgjegjes kritike të intelektualëve shqiptarë duket të jetë mekur deri në masën e zhdukjes. Njerëzit tanë të kulturës duket të jenë “ngujuar” gjithnjë e më shumë në “fortesat” e profesioneve të tyre, jo vetëm prej shkëputjes së qëllimtë, por edhe pse jeta shqiptare i ka shtrënguar ata t’i binden e për më tepër t’iu përgjigjen ligjeve të shitjes dhe fitimit.

 

Tregu është fuqia që nuk lë të shpëtojë askënd prej këtyre “profesionistëve të kulturës” për të dalë jashtë prej “marifeteve” të tij, falë trysnisë së kllapave që i vendos, të tilla si çelja dhe mbyllja me komandën e pushtetit dhe oligarkisë financiare të kanaleve të spikatjes dhe komunikimit, në favor të shumë të tjerëve të etiketuar si intelektualë, por që vuajnë “dyshimin” popullor të moralit dhe cilësisë. Ndodhi pikërisht ajo që perifrazoi Baumani. Intelektualët “të reduktuar” në cilësinë e interpretuesve, shqetësohen më tepër të  lehtësojnë dhe “lubrifikojnë” ingranazhet e tyre të komunikimit për t’i “shitur” kështu sa më mirë aftësitë dhe resurset e tyre në këtë treg. Ndaj, Shqipëria është kthyer tashmë në një vend aspak “joshës” për të rinjtë, për shkak të pamundësisë së punësimit dhe shpresës që ofron për ta; por, po e njëjta gjë mund të thuhet edhe për intelektualët. Ata nuk janë zhdukur, por janë asgjësuar nga parëndësia që pushteti dhe shoqëria tregon për ta. E vetmja mënyrë për të rezistuar është të bësh pjesë në “trupin e mediave të mëdha” proqeveritare, që gjithsesi kanë shumë pak poste për të ofruar, duke lënë jashtë saj shumë mundësi e kapacitete që duan të rroken e të shfaqen.

 

Aq më tepër që teknologjia dhe rrjetet sociale, kanë krijuar një realitet të ri ose më mirë një realitet të dyfishtë, ku nevojiten kësisoj “mjete” të reja për të ndikuar. Pasi nga njëra anë, demokracia e rrjeteve nisi të  shfuqizojë dalëngadalë intelektualët në cilësinë e tyre vendimtare si pedagogë, edukatorë dhe ndërgjegjja kritike e shoqërisë. Por, nga ana tjetër, “popullsia” e tyre  është gjithmonë në një kërkim të ethshëm për zëra autoritarë, për t’u orientuar sa më drejt në një botë “hipersociale” ku nuk ekziston më një qendër, por një mori qendrash dhe nënqendrash, që përbëjnë labirintin rrjetëzor të bashkëkohësisë.

E veçanta e realitetit të sotëm gjendet pikërisht në këtë “bashkësi qoshesh” të panumërta, por jo komunikuese me shumicën prej tyre. Asnjë intelektual nuk arrin ta zotërojë sot atë lloj “teorie” që përqafon gjithë morinë e këtyre “qosheve” të formimit e informimit që të mund të orientojë sjelljet e qëndrimet apo të fiksojë qëllimet e ardhme. Fjala kyç e rrjeteve sociale nuk është më “autoriteti”, por “reputacioni”. Këtë gjë, duhet të dinë ta përdorin njerëzit tanë të kulturës, për të arritur të jenë ndikues. Dhe më pas të kuptojnë drejt se gjithçka është e shndërruar në opinion, madje është opinion edhe ndaj atij që ka një opinion. Intelektualët nuk janë zhdukur. Ata nuk duket të jenë më “filozofët”, por “ekspertët” e një bote ku teknologjia po triumfon mbi çdo dije humaniste dhe ku teknika po pështjellohet me shkencën.

 

Jemi në epokën e “inteligjencës së turmave”, sipas një teorie të zhvilluar nga Rhaingold; në epokën ku “njohja” është kthyer në një pronësi të rrjetit, të cilën nuk mund ta zotërojë dot një njeri i vetëm, qoftë ky një Didëro (autori i enciklopedisë së parë të dijes mbarëbotërore) apo Hegel (autor i enciklopedisë së shkencave filozofike), siç e përcakton ky studiues i rrjetit në librin e tij të njohur “Dhoma inteligjente”. Ky është “itinerari” i vështirësive dhe rreziqeve me të cilat duhet të përballen intelektualët e sotëm. Dija është gjithnjë e më e pasigurt, por akoma dhe më humane, gjithnjë e më e paqëndrueshme, por më transparente. Atëherë, mund të shtrohet pyetja, cili duhet të jetë roli i intelektualit në hapësirën e kësaj bote të globalizuar, fluktuese dhe të “pluhurisur” në aq shumë qëndrime? Ajo çka mbetet është të shndërrohen në interpretë, për të “lexuar” domethëniet e botës, qofshin ato objekte, fjalë, ide, imazhe dhe për t’i “lexuar” ato drejt, pasi dallimi qëndron pikërisht këtu. Ekzistojnë interpretime të drejta dhe të gabuara, që intelektualit i takon t’i dallojë dhe t’i spikasë.

 

Në botën e konsumatorëve, siç e perifrazon të sotmen Bauman, hapësira e “njerëzve të kulturës” duhet të kristalizohet në rolin e ndërmjetësit për komunikim midis “provincave të pakufizuara” të rrjetit dhe “komuniteteve të shpjegimeve domethënëse” të tij; midis realiteteve që në rrjet mendojnë në termat e risisë dhe të ardhmes dhe atyre që priten të ushtrojnë vazhdimisht qëndrime kritike. Ja,  në “ullukun” e lëvizjes së lavjerrësit të ndërgjegjes midis këtyre dy skajeve, intelektualiteti shqiptar duhet të dijë ta mbartë me kurajë “kryqin” e misionit të tij në ndikimin e jetës sonë shoqërore, për të mos e lënë sistemin tonë në vend të endet pa mbarim në kalvarin e vet, të filluar prej dekadash.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama