Butrinti do te mireprese Diten e Europes. Koncert madheshtor me pjesemarrjen e Inva Mules

Butrinti do te mireprese 'Diten e Europes'. Koncert madheshtor me pjesemarrjen e Inva Mules

‘Dita e Europës, më 9 maj, që shënon përvjetorin e asaj dite të vitit 1950 kur u konceptua Bashkimi Evropian, këtë vit në Shqipëri, do të festohet krejtësisht ndryshe.

Do të jetë Saranda, dhe veçanërisht skena antike e Butrintit, që do të mikpresë më datë 9 maj, personalitete të larta të politikës, diplomacisë, artit dhe medias.

Kjo u bë e ditur sot në Sarandë, nga Ambasadorja e BE-së në Shqipëri, Romana Vllahutin gjatë një takimi me Kryetarin e Bashkisë së Sarandës, Stefan Çipa. Në këtë takim, e shoqëruar edhe nga drejtori i TOB-së, Ilir Kerni, diplomatja e BE-së theksoi se ideja për të organizuar një koncert në Butrint erdhi nga dëshira për të bërë një festim ndryshe të Ditës së Europës këtë vit.

“Zgjedhje më të mirë se Butrinti dhe Saranda, nuk do të kishte”, deklaroi Ambasadorja.

Kryebashkiaku Çipa e falënderoi për faktin që për këtë event u përzgjodh Saranda dhe se ky përbën një rast që i jepet këtij qyteti të bëhet edhe kryeqyteti i kulturës Europiane, përpos që është i njohur edhe si kryeqytet i turizmit shqiptar.

Koncerti i datës 9 maj, Ditës së Europës, pritet të jetë i jashtëzakonshëm për nivelin artistik që do të arrijë ndërsa e veçantë pritet të jetë performanca e artistes së madhe shqiptare, Inva Mula, e cila për të dytën herë do të perfomojë në skenën antike të Butrintit.

Në shenjë mirënjohjeje dhe vlerësimi për ambasadoren Vllahutin, Kryebashkiaku i Sarandës Stefan  Çipa, i dhuroi asaj monedhën antike të Sarandës të derdhur në bronx.

Pas kesaj zonja Vllahutin, ka lënë impresionet e saj të para nga vizita e parë në qytetin e Sarandës dhe në jugun shqiptar. Në përfundin të takimit, zoti Çipa i tha zonjës Vllahutin, se prej ditës së sotme ajo konsiderohet ndër miqtë e veçantë të Sarandës, duke iu referuar slloganit të kësaj vere, që është “Destinacioni juaj, Saranda Jonë, në Sarandë vjen si vizitor dhe përcillesh si mik”.

Por në kuadër të Ditës së Europës, do të organizohen aktivitete edhe në qytetet e tjera të Shqipërisë. Në një postim në rrjetin social “Facebook, Ministrja e Integrimit Klajda Gjosha bën të ditur se aktiviteti “Unë Jam Europian”, organizohet në bashkëpunim me Ministrinë e Integrimit Europian, Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Delegacionin e Bashkimit Europian në Shqipëri, në datat 6, 7 dhe 8 maj 2015, në orën 11.30 përkatësisht në Berat, Kukës dhe në orën11.30 në Tiranë.

“Ky aktivitet organizohet në kuadër të Ditës së Europës dhe në të do të prezantohen produkte artizanale shqiptare, si dhe do të shpërndahen materiale promovuese dhe do të jepet informacion mbi Bashkimin Europian, shtetet e tij anëtare, dhe procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian”, nënvizon Ministrja Gjosha


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama