Zvicra ndihmon Shqiperine per te bere guida turistike

Zvicra ndihmon Shqiperine per te bere guida turistike

Për herë të parë do të rregullohet me ligj certifikimi dhe standardizimi i guidave turistike në Shqipëri.  Ky proces parashikohet të përfundojë në fund të vitit të ardhshëm, kohë në të cilën do të miratohen edhe aktet nënligjore të ligjit të ri të turizmit. Ekspertët e turizmit thonë se zhvillimi i këtij profesioni do të ndihmojë në krijimin e më shumë vendeve të reja të punës, si dhe në promovimin e zonave të turizmit.

Në më pak se një vit është rritur ndjeshëm interesi i të rinjve për të bërë një guidë profesionale turistike, për shkak se tashmë me ligjin e ri certifikimi dhe standardizimi i tyre do të kthehet në detyrim.

Kryetari i Shoqatës Kombëtare të Guidave Turistike (NATGA), Marin Mato, tha se janë 1470 persona që kanë shfaqur interes dhe kanë kërkuar të informohen rreth trajnimeve për të bërë guida turistike. Sipas kreut të guidave shqiptare, viti i ardhshëm do të jetë i vështirë për industrinë, pasi konkurrenca është në rritje dhe kjo vlen edhe për guidat që përfaqësojnë një pjesë të imazhit të industrisë.

Siç raporton “Koha Jonë” në Tiranë, ambasadori i Zvicrës sugjeron që Shqipëria duhet të punojë për të identifikuar më mirë aspektet unike të saj, duke ofruar produkte turistike të veçanta, gjë të cilën e kanë konsoliduar tashmë vendet fqinje, si Mali i Zi e Greqia.

Qeveria zvicerane është duke mbështetur financiarisht projektin ‘Risi Albania’ që synon rritjen e punësimit të të rinjve shqiptarë në tre sektorë kyç, siç është turizmi, agro-përpunimi dhe teknologjia e informacionit dhe komunikimit. Në lidhje me turizmin, “Risi Albania” për të dytin vit radhazi do të organizojë konkursin që promovon produktet e reja turistike.

Këtë herë është përzgjedhur rajoni i Gjirokastrës. Produktet do të mund të jenë gati që gjatë vitit 2016. Ky projekt po ndihmon aktorët për të zhvilluar një sistem të harmonizuar për trajnimin dhe akreditimin e udhërrëfyesve cilësorë turistikë, që parashikohet të jetë gati vitin e ardhshëm.

Për ambasadorin e Zvicrës në Tiranë, Christoph Grant, një nga sfidat me të cilët duhet të përballet turizmi shqiptar është të mos limitohet më vetëm te turizmi i detit dhe rërës, por të diversifikojë ardhjet në rajone të tjera dhe përtej sezonit.

“Turizmi vlerësohet të rritet me rreth 4% në vit, sipas vlerësimeve të Këshillit Botëror të Turizmit dhe Udhëtimit. Kjo do të thotë më shumë të ardhura dhe të punësuar, por ka ende punë për t’u bërë. Në Shqipëri, ndikimi që jep turizmi në PBB është 6%, por unë besoj që ka më shumë potencial për të shtuar vende të reja pune”, tha Grant.

Sipas tij, është e rëndësishme që të rritet profesionalizmi i guidave turistike, përmes trajnimeve dhe certifikimeve.

“Në Zvicër guida turistike ka një histori 150-vjeçare, kohë në të cilën turistët evropianë nisën të eksplorojnë Alpet”, tha Grant.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama