Vendosni fjalekalime te sigurta per te shmangur sulmet kibernetike

Vendosni fjalekalime te sigurta per te shmangur sulmet kibernetike

Vitet e fundit, interneti dhe rrjetet sociale janë bërë tepër të domosdoshëm pothuajse për të gjitha moshat. Këto platforma përdoren për t’u argëtuar në një pjesë të mirë të kohës, por edhe për komunikim personal midis një apo më shumë individëve. Shqetësues është fakti që askush nuk është i sigurt për aq kohë sa i përdor ato, pasi mund të “vidhet” profili personal dhe mund të përdoret për qëllime të ndryshme. “Synimi i tyre është të marrin të dhënat që dëshirojnë ose të përdorin kompjuterët tuaj për qëllimet e tyre. Këto mund të jenë informacione sekrete si: të dhënat bankare, kartës së identitetit, materialeve komprometuese deri tek më banalja, posedimi i një fotoje”, tregon arsyet e këtyre sulmeve “online eksperti i sigurisë së informacionit, Besmir Semanaj. Në këtë intervistë, Semanaj shpjegon mënyrat e marrjes së fjalëkalimit, si dhe jep disa këshilla si të mbrohemi e mos të biem pre e “hajdutëve” të internetit.

Cilat janë mënyrat e marrjes së fjalëkalimit?

Do ju vijë për të qeshur, por mënyra më e thjeshtë dhe efikase e vjedhjes së fjalëkalimit rezulton të jetë “Social Hacking”, që do të thotë të fitosh besueshmërinë e personit dhe ta marrësh fjalëkalimin nga vetë ai. Fjalëkalimet e uebsajteve që përdorin “https” asnjëherë nuk synohen që të thyhen drejtpërdrejtë, por si fillim infektohet kompjuteri personal i viktimës.

Çfarë masash duhet të marrë një individ për të siguruar profilin e tij?

Nëse bëhet fjalë për rrjetet sociale, çdo person duhet të ndjekë rekomandimet dhe të japë sa më pak të dhëna personale si: numri i telefonit, adresa e saktë dhe informacione të ngjashme që nuk janë esenciale për përdorimin e tyre.

A është e lehtë vjedhja e fjalëkalimit?

Nëse një fjalëkalim nuk është në standardet minimale të sigurisë mund të thyhet lehtësisht. Por pjesa më e madhe e fjalëkalimeve nuk vidhen në mënyrë të drejtpërdrejtë.

Si rekomandohet të vendoset fjalëkalimi?

Për të mbrojtur fjalëkalimin nga thyerja ose vjedhja, ndryshoni fjalëkalimin që ka programi juaj software sa më shpejt të jetë e mundur. Mos përdorni fjalë që hamendësohen lehtë. Më mirë përdorni fjalëkalime komplekse dhe sigurohuni t’i ndryshoni vazhdimisht ato. Fjalëkalimet duhet të përmbajnë germa kapitale, germa të vogla, numra dhe simbole.

Pse kryhen zakonisht sulme në ditët e sotme?

Qëllimi dhe metodologjia e piraterisë ka ndryshuar me kalimin e viteve. Nëse vëllezërit Alvi piratonin për t’i treguar botës aftësitë e tyre dhe të bëheshin të famshëm, në ditët e sotme hacker-at (piratët informatikë)  mundohen që të futen në sistemet tuaja dhe të qëndrojnë sa më shumë të jetë e mundur, pa u vënë re. Qëllimi i tyre është të marrin të dhënat që dëshirojnë ose të përdorin kompjuterët tuaj për qëllimet e tyre. Këto mund të jenë informacione sekrete si: të dhënat bankare, kartës së identitetit, materialeve komprometuese deri tek më banalja, posedimi i një fotoje. Për shembull, posedimi i kartës së identitetit ose kartës bankare nuk konsiston thjeshtë në përdorimin e tyre dhe harxhimin monetar, por këto mund të përdoren edhe për kryerjen e transaksioneve të pa ligjshme. Me një denoncim të mundshëm do të jetë shumë e vështirë të vërtetohet që përdoruesi nuk keni qenë ju, por një keqbërës që ka “hackuar” kompjuterin tuaj personal. Përveçse një viktimë me pasoja monetare jeni edhe një i dyshuar me precedent penal.

Disa këshilla për përdoruesit e rinj

Instaloni një “Firewall”


“Firewall”-et parandalojnë aksesin nga jashtë në kompjuterët tanë, pra me sistemin tonë mund të lidhen nëpërmjet internetit vetëm ata të cilët i lejojmë. Windows OS e ka të instaluar “Firewall”-in, por do ishte e përshtatshme të instalonim dhe të tjera si “Firewall ++” pa pagesë.

Instaloni një “Software Antivirus”


Të gjithë kompjuterët tanë duhet të kenë versionin më të fundit të një programi “Antivirus”. Programi do të instalohet për përditësime automatike, për të garantuar përcaktimet e viruseve, ëorm-eve dhe Trojan-it më të fundit. Ju nuk duhet të instaloni asnjëherë antiviruse të copëtuar në kompjuterin  tuaj, pasi rrezikoni ta infektoheni ju vetë.

OS-ja duhet të jetë i licencuar ose përdorni një pa pagesë

Nëse jeni duke përdorur Windows OS, ai duhet të jetë i licencuar, sepse në të kundërt  “backdoor”-et ose “worm”-et do të futen në sistemin tuaj. Nëse nuk keni një OS të licencuar, ju mund të përdorni versionin pa pagesë “Linux”.

Siguroni lidhjen tuaj

Kur të hyni në një llogari sensitive, vendi më i mirë është shtëpia ose zyra juaj. Nëse do të përdorni Wi-Fi, rrisni sigurinë me një “Rrjet Privat Virtual”. Kjo krijon një link të sigurt, të koduar me serverin e një pale të tretë dhe ju mund të aksesoni sajtet tuaja nëpërmjet këtij link-u. Ky është një nivel me shumë mbrojtjeje dhe hacker-at nuk do kenë mundësi ta kalojnë.

Përditësoni Shtojcat e Sistemit Tuaj

Sistemet tona operuese dhe software-t e tjerë duhet të pajisen me shtojca sapo të jetë lëshuar përditësimi. Versionet më të fundit të software-ve dhe sistemeve operuese do të ndalojnë hacker-at të hyjnë nëpërmjet ndonjë pjese të cenueshme.

Tregohuni vigjilent

Mënyra më e mirë për të ruajtur llogarinë tuaj bankare ose ndonjë llogari tjetër është të tregoni kujdes. Nëse do të kapni problemet e vogla herët do të keni mundësi të parandaloni hacker-at të mos shkaktojnë probleme më të mëdha.

Historiku i sigurisë se informacionit dhe krimit kibernetik

Kur dolën për herë të parë kompjuterët dhe rrjetet në vitet 1990, pirateria informatike bëhej kryesisht për të marrë më tepër informacion për sistemet. Hacker-at (piratët informatikë) madje konkurronin me njëri-tjetrin të merrnin titullin hacker-i më i mirë. Si rrjedhojë, shumë rrjete u prekën duke filluar që nga ushtria deri te kompanitë tregtare. Fillimisht, këto përpjekje të piraterisë u konsideruan si ngatërresa të thjeshta sepse nuk përbënin një kërcënim afatgjatë.

Megjithatë, duke qenë se në të njëjtën kohë u përhapën shumë software-t dëmtuese të qëllimshme, pirateria filloji t’i ngadalësonte rrjetet dhe sistemet. Ndërsa hacker-at filluan të bëheshin më të aftë. Ata filluan ta përdornin njohurinë dhe eksperiencën e tyre për të përfituar nga shfrytëzimi dhe viktimizim i të tjerëve. Virusi i parë u krijua nga vëllezërit Bashit dhe Amjad Farooq Alvi në vitin 1986. Ky ishte një virus “boot” që quhej “Truri”. Nëse në fillimin e tyre qëllimi ishte të tregoje “aftësitë” personale në teknologji dhe ti ia tregoje botës me shembuj konkret, sot kjo ka ndryshuar komplet.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama