Agim Hushi Presioni i publikut e dobesoi vokalin e Elhaides

Agim Hushi: Presioni i publikut e dobesoi vokalin e Elhaides

"Eurovizion”, më tepër për arsye patriotike sesa artistike, mbetet një ngjarje e rëndësishme artistike në hapësirën evropiane për shqiptarët. Për rrjedhojë, vëmendja e publikut shqiptar, jo rrallë, është e njëanshme. Kënaqësisë së përgjithshme lidhur me kualifikimin në finale shpejt ia zuri vendin zhgënjimi për sa i përket mospërfshirjes në vendet e nderit, kërkesë ndoshta e papërligjur kjo, nëse i përmbahemi “I’m alive” të Elhaida Danit, e 26-a në renditjen për interpretim në skenën madhështore të “Eurosong”-ut.

Qëndrimet për interpretimin e këngëtares dhe cilësinë e këngës në elementet e saj përbërëse kanë qenë kundërshtuese, në favor dhe disfavor, por nuk mund të lëmë pa shtuar edhe se media si BBC-ja dhe “Mirror” janë shprehur se ka pasur shkelje të rregullave për sa i përket votimit, që erdhi si pasojë e deklaratave të bordit organizues të festivalit “Eurovizion”, i cili vuri re parregullsi në procesin e votimit, çka do të sjellë një humbje prej 22 pikësh për Shqipërinë, të cilat u morën prej vendeve fqinje, përkatësisht nga Mali i Zi (10 pikë) dhe Maqedonia (12 pikë).

“Akuza” të cilat vijnë nga artistë shqiptarë lidhen me nëntekstin politik të votimit, duke harruar se Anjeza Shahini dhe Rona Nishliu nuk janë prekur nga gjeopolitizmat ndërevropianë dhe ndërbotërorë në interpretimet e tyre përkatëse në “Eurovizion”. Më poshtë "Shekulli" po sjell reflektimin e tenorit të njohur shqiptar Agim Hushi, i cili bën një analizë të plotë mbi pjesëmarrjen e Shqipërisë në "Eurovizion".

Agim Hushi për "Eurosong 2015"

"Më së fundi, pas një manifestimi madhështor, ku çdo gjë shkëlqeu në stilin vjenez, bashkë me mbretërimin gati okult të Konçitës, mori fund edhe misteri i fituesit, Suedia, me këngën e mrekullueshme të kënduar nga Måns Zelmerlöu - Heroes. Më bëri përshtypje gjatë këtyre ditëve patriotizmi mbarë shqiptar në mbështetje të këngës shqiptare në “Eurosong” dhe u ndjeva vërtet krenar me këtë unitet kuq e zi! Por më shumë më bëri përshtypje “ekspertiza” dhe vetësiguria masive, madje, edhe nga emra të njohur, përfshirë krerët e shtetit që mburrnin “ekipin” tonë, si në futboll, të bindur në fitore dhe kërkonin natyrisht me të drejtë votimin e shqiptarëve. Po askush nuk tha prerë: “Suksese dhe urojmë që këngëtarja jonë të bëjë më të mirën, të na përfaqësojë sa më denjësisht se nderon veten, edhe Shqipërinë që përfaqëson”. Arti i bukur flet dhe fton vetë, jo vetëm shqiptarët që të votojnë masivisht, por dhe Evropën, që të nxjerrë fitues më të mirin, siç edhe në fakt bëri dhe ka bërë pothuajse gjithmonë! Si njeri i muzikës, unë kam heshtur tërë këto ditë, kur euforia e amatorëve kishte mbërritur në qiejt e dehjes!

Edhe sot që po bëj këtë refleksion, ende mendoj se Shqipëria, pavarësisht rezultatit, u paraqit mirë dhe i ka mundësitë të jetë një fituese evropiane! Por përgatitja mendoj se duhet të jetë serioze dhe më komplekse! Konkurrimi nuk mund të mbështetet vetëm në vokalin e një këngëtari, kushdo qoftë, por duhet të jetë një ndërthurje: muzika, së pari, duhet më e spikatur në melodi dhe më e mbështetur në tabanin kombëtar, si dhe teksti me një fabul që lë vërtet mbresë! Pa harruar këtu edhe elemente të tjera të performancës, si: skenografinë, kostumografinë, grimin etj. Kam përshtypjen se presioni i madh i publikut gjatë tërë këtyre ditëve bëri që këngëtarja shqiptare të kishte një performancë plot emocion dhe përgjegjësi, që dha ndikimin e saj në intonacion dhe dobësim të fleksibilitetit vokal e sidomos të regjistrit të poshtëm!

Gjithsesi, ky bashkim shqiptar rreth këngës dhe flamurit ishte frymëzues, por duhet edhe të ndërgjegjësohemi se s’mund të kërkojmë të jemi fitues në ballafaqime të tilla kaq prestigjioze ndërkombëtare, vetëm pse duam kështu dhe pse votojmë më shumë se të tjerët! (Si s’na u hoq kjo beteja e votave ne shqiptarëve!). Ne duhet, por dhe mundemi të konkurrojmë dhe përfaqësohemi me një art dinjitoz e të vërtetë! Atyre që ankohen për padrejtësitë dhe racizmin në “Eurovizion”, u kujtoj vlerësimin e vetë jurisë shqiptare (bashkë me veshjen e tij) dhe duhet të jemi të sinqertë se nuk mund të krahasojmë dot këngën e Italisë, Malit të Zi, Belgjikës, Serbisë, Rusisë, Francës, etj., me atë të Shqipërisë! Personalisht, më pëlqyen këngët e Spanjës dhe Izraelit!"

Bledar Sejko: “Performanca, jo në nivelin e duhur”

Bledar Sejko, pjesëmarrës në “Eurovizionin” e vitit 2013 bashkë me këngëtarin Ardian Lulgjuraj, është shprehur se performanca e Elhaidës ishte e mirë, po jo në nivelin e duhur, për shkak të emocioneve të saj. “Mënyra e votimit dihet tashmë. Po nuk u hoq njëherë e përgjithmonë gjeo-politizmi, Shqipëria do ta ketë shumë të vështirë fitoren, sado këngë dhe këngëtarë të mirë të dërgojmë atje. Fatkeqësisht ky është realiteti”, është shprehur ai. Sipas tij, Italia nuk na dha asnjë pikë, sepse ka ndjekur interesat e saj politike. “ Menaxherët e këngëtares duhet të kishin punuar më shumë për përfaqësimin e saj dhe për mua duhej ta kishte marrë Rusia çmimin”, u shpreh ai.

Elton Deda: Shqipëria duhet të vazhdojë të çojë këngë në “Eurovizion”

“Kënga fituese e festivalit nuk duhet të jetë kusht i domosdoshëm të shkojë në ‘Eurovizion’. Mund të bëhen ndryshime në kontratën me EBU-në dhe besoj që, po të justifikohet korrekt nga ana jonë, nuk do të ketë probleme nga ana e tyre. Formulat mund të propozohen në rrugë të ndryshme që mund të diskutohen në forumet e muzikantëve shqiptarë. Të mbytur nga rrjetet sociale, nga interneti pa fre dhe nga një lloj sëmundjeje nacionalizmi, në shumicën e rasteve, thjesht, dëmtohet shumë artisti që performon, në rastin konkret vetëm këngëtari. Krijohet presion aq i madh, saqë në vend që të përqendrohesh në çfarë po këndon, ideja e vetme në kokën tënde është ‘të nderosh kombin’. Miq të dashur, kjo nuk është politikë. Është një këngë që duhet kënduar korrekt dhe me frymëzim, të ketë kompozim të kapshëm dhe të thjeshtë dhe në fund të shoqërohet me të gjitha efektet vizuale funksionale të këngës.

Sikur të qetësohemi pak si komb përpara kompeticionit, të mos ngarkojmë artistët me postimet e ndryshme në “fb”, ku na nxjerrin fitues, të mos bërtasim para kohe për fitore, sikur të jetë lufta e Krujës. Mendimi im personal është që duhet t’i lëmë më shumë kohë artistit të përgatitet dhe të mos ngarkohet më shumë seç duhet emocionalisht. Më në fund, po na bien veshët rehat nga tingujt e zurnave, daulleve, çiftelive dhe gjithë britmave që bërtasin: ‘Më shiko mua, se vij nga Shqipëria dhe kam folklor të pasur që më identifikon!’. Ashtu siç e tregon aktiviteti, s’ka më nevojë për gjëra të tilla. Këngë të thjeshta pop-rock, dance, etj., e kryejnë funksionin më së miri. Unë personalisht e pashë pozitivisht prurjen e kësaj radhe në ‘Eurovizion’.

Kënga është e shijueshme në radio, kur udhëton, kur ha bukë, me një fjalë është shumë e përshtatshme edhe për ‘Eurovizionin’. Fuqia nuk do të thotë domosdoshmërisht klas. Dhe së fundmi, ne duhet të vazhdojmë të çojmë këngë në ‘Eurovizion’. Eshtë një aktivitet që mbledh muzikantë dhe prodhon muzikë. Është një aktivitet që të jep mundësinë të njohësh producentë, artistë, të krijosh kontakte dhe në fund të fundit të tregosh vlerat e tua. Nuk shoh asnjë arsye të bëjmë greva me mllef, se nuk na votojnë. Le të mësohemi me idenë që ne nuk do të na votojnë dhe ta marrim me sportivitet. Ato gjëra që mund t’i riparojmë, i kemi vetë në dorë. T’i bëjmë njëherë mirë ato, se akoma s’jemi aty ku duhet, pastaj, nëse nuk na votojnë, shijojmë qytetin dhe lidhjet e reja artistike.”


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama