Situata para ndeshjes se futbollit Shqipëri-Serbi po kthehet ne tragjikomike për shkak të presionit te madh qe po ushtrohet nga te gjitha anët. Ajo qe nisi ne Beograd po tenton te përfundoje ne Tirane apo Elbasan dhe palët me sa duket po ia bëjnë hyzmetin tamam. Sportistet serbë mbërritën në Tirane ne një situate shtetrrethimi qe kishte fillur ore me parë Me ndalim qarkullimi te automjeteve, rruge te bllokuar e te zbrazura gjithandej, të rinj që ndalohen nga policia pa asnjë arsye ligjore, etj. Lajmi më i madh ishte arrestimi shume ore para se serbet te mbërrinin në Tiranë I “ballistit” te famshëm, të përfolur si autor i ngritjes se dronit, sebepit te sherrit ne Beograd, ku u rrezikua seriozisht jeta e futbollistëve tanë, qe ne fakt Zoti i shpëtoi. Ballisti u kap me armë dhe bileta për ndeshjen duke ardhur në Tiranë.
Lajmi, edhe pse mund te jete i vërtete, nuk e pati besueshmërinë e publikut, reagimet e të cilit në medie e rrjete sociale ishin të forta, e flisnin për sajesa e skenarë te policisë. Situata u bë me serioze pas reagimeve te para nga te dyja vendet. “Birn” i Beogradit njoftoi se “Ballisti” ishte arrestuar pasi ishte konsideruar si një rrezik per ardhjen e mundshme te kryeministrit Vuçiç në Elbasan Arena, me ftese te kryeministrit Rama. Media afër qeverisë në Tiranë njoftuan se “Ballisti” dhe armët e tij ishin zbuluar e spiunuar ne polici nga një gazetar amerikan i “New York Times”, i cili kishte ardhur posaçërisht për ndeshjen dhe kishte shkuar deri ne Kukës, për të folur vete me “Ballistin”. Hopa edhe elementi “amerikan” i cili është i pranishëm në çdo gje qe serbet thonë për Shqipërinë e Kosovën, per shKak te rolit vendimtar te SHBA-ve në Çlirimin dhe Pavarësinë e Kosovës. Sikur te mos mjaftonte kjo, u përhap lajmi tjetër edhe me i dyshimte dhe me i pabesueshëm se gjithë të tjerët. Ne biletat që ju gjeten “Ballistit”, njëra prej tyre ishte me emrin e Alban Alikos nga Lazarati, i arrestuar dhe i akuzuar për vrasjen e një efektivi te forcave speciale para pak kohësh. Personi ndodhet ne burg te sigurisë se larte dhe as qe ka shanse te dale prej tij, e jo me te shihte ndeshje futbolli. Se çfarë donte bileta me emrin e një të burgosuri nga Gjirokastra ne një qytetari nga Kukësi, nuk ka logjike normale t’i jape një përgjigje, por për një logjike anormale e nje skenar te përgatitur për incidente e lufte.
Sigurisht qe nuk mbaron këtu! Drejtuesit e ekipit serb fillojnë ankesat e pretendimet sa zbresin ne token shqiptare. Ende pa mbërritur ne hotel, mediet serbe njoftojnë për “incidentet” e para. Në katin ku do te akomodohej ekipi serb qenka lejuar te rrije edhe një klient amerikan( serish Amerika). Pak minuta me vonë njoftohet për një incident tjetër: “Është qelluar me gurë autobusi ne xham te pare. Askush nga forcat shqiptare te sigurisë nuk e pa, megjithëse kishte ne kontroll pothuaj gjithçka. Madje as nuk u njoftua nga serbët ne momentin kur ndodhi, por kur shkuan ne hotel. Si ka mundësi te ndodhe kjo sot ne masa kaq te rrepta sigurie e pa ndonjë arsye madhore për ta bere. Siç e komentoi këtë rast gazetari Agim Popoci, guri ne autobus duket nje sajese e trashe e serbeve, qe me sa duket janë ne kërkim te sebepeve: Ambasada Serbe ishte ne mes te Tiranës se paruajtur dhe te pasiguruar gjatë Luftës se Kosovës, e nuk iu thye asnjë xham ne Shqipërinë me më shume se një milionë shqiptarë te Kosovës, te përzënë nga serbet me krimet me te tmerrshme te mundshme. Kur kjo nuk ndodhi ne kulmin e armiqësisë midis dy kombeve në luftë, nuk ka asnjë arsye te ndodhe ne një ndeshje futbolli, ne kulmin e “dashurisë” së re midis shefave te qeverive te Tiranes dhe Beogradit. Nuk ka logjike normale ta pranojë këtë.
Media serbe zbuloi edhe një fakt tjetër: Sportistet e Serbisë shoqëroheshin nga policë serbe ne Shqipëri, gje e pa dëgjuar kjo me ndeshje te tjera futbolli. Nuk e di si është lejuar, por dua te them se ekipi yne ne Beograd ishte tërësisht ne duar te forcave serbe te sigurisë, një pjese e te cilëve morën pjese edhe ne dhunën ndaj tyre ne stadium “Partizani“ te Beogradit. Nuk dihet nese janë police apo pjese e shërbimeve sekrete serbe, por gjithsesi ky është një veprim i tepruar, e per me tepër, i mbajtur fshehte. Nese keni harruar, dua te kujtoj trajtimin barbar qe policia serbe u bëri sportisteve tanë ne aeroport te Beogradit, duke i kontrolluar sikur te ishin kriminele, nderkohe qe ekipi serb u nderua e respektua sikur te ishin “Nënë Tereza”, një sjellje sa inferiore aq edhe e dyshimte kjo e policisë shqiptare. Fakti qe midis tyre kishte edhe police serbe, dëshmon se një pjese e tyre janë te armatosur. A mund te ndodhte kjo me shqiptaret ne Beograd?!
Benzine zjarrit me sa duket po i hedh edhe pala shqiptare me dhunën dhe masat e panevojshme ndaj tifozëve dhe qytetarëve te thjeshte, duke u vështirësuar veprimtarinë e jetën e tyre, gje qe shton ne mënyre te panevojshme tensionin. Bllokimi i rrugëve për ore te tera dhe kontrollet e shoqërimet e shume te rinjve, anulimi i te paktën 2800 biletave, mund te çoje ne zemërim e acarim te situatës. Flitet se kryeministri Rama i ka kërkuar zëvendëskryeministrit te Kosovës Thaçi te mos jete ne Elbasan, pasi e ka vene kusht kryeministri Serb Vuçiç . Po le te mos vije Vuçiç , nuk është mik ai qe ve kushte ne shtëpinë e tjetrit. Mund te jete edhe një sebep i Vuçiç, por gjithsesi përfshirja e tij në këto provokime e bën situatën te rrezikshme.
Me sa duket ajo qe nisi ne Beograd nuk ka mbaruar! Dikush po përpiqet ta vazhdojë ne Elbasan me këtë situate qe ngjan me shumë si skena lufte sesa ndeshje futbolli. Sigurisht qe te humbur nga kjo situate janë shqiptaret. Mbi futbollistet po ushtrohet një presion i papare por edhe te tjeret , forcat e sigurisë qytetaret dhe veçanërisht tifozët e futbollit janë te shqetësuar. Mendoj se duhet shume kujdes ne çdo moment! Provokimet kane filluar dhe ato mund të shtohen jo vetëm nga serbët zyrtare, por edhe nga shqiptaret ne shërbim të tyre, qe kane bere gjera me te keqija e me te renda se kaq. “Ku fluturojnë korbat ka kërmë”, thotë nje proverb. Zërat e çjerrë të tyre ka ditë që po i dëgjojmë.