Zbulimi qe mund te ndryshoje pergjithmone jeten tone

Zbulimi qe mund te ndryshoje pergjithmone jeten tone

Një ekip shkencëtarësh në Kinë hodhën një “bombë” në fillim të këtij muaji dhe thuajse askush nuk e vuri re. Kërkuesit, me në krye Junjiu Huan gof Yat-sen, nga Universiteti Guangzhou, publikuan kërkimin e parë shkencor për ndryshimin e ADN-së së embrionit njerëzor. Kërkimi u publikua fillimisht më 11 prill, në një revistë online “Proteina dhe Qeliza”, pas refuzimit nga revista prestigjioze “Shkenca dhe Natyra”, për shkak se ishte “joetik”. Mirëpo, këta shkencëtarë kanë zbuluar një mjet të ri e të fuqishëm, edhe pse janë tepër të shqetësuar se ku do të çojë kjo. Kërkimi pionier është kontradiktor, edhe pse u krye me embrione të dëmtuara, që nuk do të ishin zhvilluar te njeriu. Shumë shkencëtarë theksojnë se, metodat e inxhinierisë gjenetike, të zhvilluara së fundmi, duhet të studiohen më tepër te kafshët, para se të përballemi me riskun e mutacioneve njerëzore të paparashikueshme dhe zhvillimeve të frikshme në evolucionin e njeriut.

Sekuenca "të freskëta"

Ideja që qëndron në thelb të mjekësisë gjenetik është e thjeshtë, edhe pse detajet janë të ndërlikuara. Kopjet e kodit gjenetik, në formën e ADN-së, janë të pranishme në çdo qelizë njerëzore. Njerëzit që vuajnë nga çrregullime gjenetike kanë gjene që kanë pësuar mutacione (deformime), të cilat krijohen nga zhvendosja e gjeneve në ADN. Ideja është që çrregullimet gjenetike të korrigjohen, përmes riparimit të vetë gjenit. Vitet e fundit, kërkuesit kanë zhvilluar një metodë të re e të fuqishme për largimin e pjesëve defektoze të ADN-së, duke i zëvendësuar ato me pjesë të shëndetshme. Kjo metodë quhet CRISPR dhe cilësohet si një nga zbulimet më të mëdha bioteknologjike të shekullit.

Në vitin 2005, kërkuesit zbuluan se bakteret përdorin sekuenca gjenetike CRISPR, si një armë biologjike për të dalluar dhe eliminuar viruset. Pas këtij zbulimi, shkencëtarët mund ta modifikonin mekanizmin, për të targetuar sekuenca gjenetike në qeliza të tjera të gjalla. Në njëfarë mënyre, kjo i ka pajisur ata me “gërshëra” precize, për të cilat kanë kërkuar prej kohësh. Kjo ka hapur dyert për korrigjimin e geneve me mutacione, që shkaktojnë çrregullime të trashëgueshme. CRISPR, i kombinuar me proteina të specializuara, premton të kthehet në një mjet “gjej dhe zëvendëso” për të riparuar materiale gjenetike të dëmtuara. Disa nga kërkimet e mëparshme me CRISPR janë kryer nga një shkencëtar, i cili bënte kërkime për kompaninë e kosit “Danisco”. Sipas tij, shumë kompani produktesh bulmeti përdorin sekuenca CRISPR në kulturat e tyre bakteriale. “Nëse ha kos, ose djathë, ka shanse të hash qeliza me CRISPR”.

Rezultate kontradiktore

Ekipi i Huang-ut nuk ka eksperimentuar me embrione njerëzore të gjalla, por me embrione anormale, jo të gjalla, që krijohen nga terapia e fertilizimit in-vitro, si për shembull, kur dy qeliza spermatozoide hyjnë në ADN-në e një veze të vetme. Ekipi injektoi 86 embirone me sekuenca CRISPR, që kishin si objektiv gjene përgjegjëse për çrregullimin e gjakut, beta-talaseminë. Rreth 71 prej tyre mbijetuan brenda 48 orësh, aq sa nevojitej që CRISPR të vepronte ,ndërsa 54 prej embrioneve mund të testoheshin gjenetikisht. Sekuenca difektoze u eliminua vetëm tek 28 prej tyre dhe një numër edhe më i vogël, ia arritën në fund të merrnin sekuencën e shëndetshme. Mirëpo, në disa raste, teknika në fjalë, shkaktonte pa qëllim mutacione në pjesë të tjera të gjenomit. Për këtë arsye, shkencëtarët ndaluan së provuari këtë metodë, duke e cilësuar atë si “jo të maturuar”.

"Mos e ndryshoni ADN-në e njeriut"

Një grup gjeneticistësh publikuan një kërkim te revista “Shkenca”, muajin e shkuar, që i nxiti shkencëtarët të heqin dorë nga testimi i teknikës te embrionet njerëzore. Kërkimi sugjeroi se “çështjet potenciale të lidhura me sigurinë dhe efikasitetin, që burojnë nga përdorimi i kësaj teknologjie, duhet të hulumtohen dhe të kuptohen plotësisht, para se të bëhen përpjekje me inxhinierinë njerëzore në testet klinike”. Aktualisht, 15 vende në Europën perëndimore e ndalojnë modifikimin gjenetik të linjës së qelizave si sperma, veza dhe embrionet. Komiteti i Kërkimeve në Shëndetësi në SHBA ka deklaruar se “nuk do të bëhen propozime për ndryshime në këtë linjë”. Edhe autorët e revistës “Shkenca” rekomandojnë që, hapat duhen marrë për të “shkurajuar fuqimisht, madje edhe në vendet ku e lejon juridiksioni, çdo përpjekje në modifikimin e linjës së qelizave bazë te njerëzit”.

Një devijim nga rregulli?

Proponentët e inxhinierisë gjenetike priren të diskutojnë për përfitimet potenciale, si eliminimi i sëmundjeve të trashëgueshme, si hemofilia, ose anemia, jo vetëm tek një pacient i vetëm, opr te të gjithë pasardhësit e tij. Ndërsa oponentët e tyre flasin për rreziqet që mund të vijnë nga korrigjimet gjenetike të këtij lloji, deri edhe për fundin ekstrem të spektrit – prindër të pasur që “porosisin” bebe gjenetikisht perfekte. Ata janë kundër modifikimit të linjës gjenetike njerëzore.  Mirëpo, me zbulimin e fundit të shkencëtarëve kinezë, këta të fundit mund të jenë tepër vonë. Një kërkues anonim tha për revistën “Nature” se të paktën katër grupe në Kinë po punojnë për modifikimin e embrioneve njerëzore. Muajin e shkuar, u raportua se grupe kërkimore në Shkollën Mjekësore të Harvardit dhe të paktën një qendër në Boston, po bëjnë kërkime në fushën e inxhinierisë njerëzore, bashkë me shkencëtarë të tjerë në Kinë dhe Britani.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama