Alkooli ju ben me miqesore por vetem me disa njerez

Alkooli ju ben me miqesore, por vetem me disa njerez

Konsumi i alkoolit i bën disa njerëz të kenë më shumë besim te të tjerët, u largon frikën dhe i bën më shoqërorë. Por një efekt i alkoolit mund të jetë edhe agresiviteti, pasi dëmton trurin dhe na pengon të kuptojmë të tjerët

 

Konsumi i alkoolit i bën njerëzit të ndihen më euforikë, më të pamposhtur dhe më të sigurt se zakonisht. Gjithashtu, alkooli duket se i inkurajon disa njerëz të lidhen më shumë me miqtë dhe anëtarët e grupeve të tyre të brendshme. Por efekti miqësor nuk shtrihet te kushdo, duke i bërë të dehurit më të prirur t’i trajtojnë keq njerëzit jashtë këtyre grupeve.

 

Alkooli është një drogë, një nga tri më të përdorurat në botë, së bashku me nikotinën dhe kafeinën. Kur ne pimë, alkooli lidhet me një lloj receptori specifik në tru dhe nxit aktivitetin e një substance natyrore të trurit të quajtur Gaba, shkruan Ian Mitchell nga Universiteti i Birminghamit.

 

Efekti që alkooli ka mbi ne, varet në një pjesë të madhe nga doza dhe nga vendndodhja e receptorëve Gaba në tru. Alkooli vepron në sistemet Gaba për të nxitur nivelet e dopaminës, substancës shpërblyese të trurit, që jep një lloj mirëqenieje dhe një ndjesi euforie.

 

Alkooli vepron mbi receptorët Gaba për të dobësuar aktivitetin e qarqeve të trurit që na bëjnë të ndihemi në ankth dhe në doza më të larta alkooli çaktivizon një grup të dytë qarqesh që kontrollojnë frikën, që do të thotë se kërcënimi nuk duket më edhe aq i frikshëm.

 

Alkooli gjithashtu komprometon aftësinë e njerëzve për të llogaritur rrezikun, ndaj në situata ku ne do të ishim zakonisht të turpshëm, tanimë bëhemi ndërveprues. Të gjitha këto e paraqesin alkoolin si një ndërmjetës social.

 

Ashtu siç na bën më të kuptueshëm, studimet laboratorike kanë treguar se pirja e alkoolit i bën njerëzit të kenë më shumë besim te të tjerët dhe të jenë përkohësisht më bujarë.

 

Megjithatë, Mitchell paralajmëron se konsumi i tepërt i alkoolit lidhet me sjelljen e dhunshme. Eksperimentet kanë treguar se alkooli rrit agresivitetin. Megjithatë, ky efekt duket se është më i lidhur me ata që janë paraprakisht agresivë. Alkooli gjithashtu mund të korruptojë aftësinë e njerëzve për të lexuar ndërhyrjet e të tjerëve.

 

Truri përmban qarqe specifike që lidhin pjesët e trurit që merren me aftësitë konjitive sociale. Ndaj aftësia jonë për të kuptuar perspektivën mendore të dikujt tjetër dhe motivimet e tij për sjelljen, bëhen të dyshimta.

 

Sasi të mëdha alkooli mund të dëmtojnë funksionimin e këtyre qarqeve, duke i bërë individët të jenë po aq të ekspozuar ndaj formave të harresës, sa edhe pacientët e sëmurë. Alkooli gjithashtu dëmton aftësinë tonë për të interpretuar siç duhet, shprehjet e emocioneve në fytyra.

 

Ndërsa njerëzit pinë, ata kanë tendencën të prezumojnë se disa shprehje fytyre të emocioneve negative janë gëzim dhe ne e kemi veçanërisht të vështirë të identifikojmë fytyrat e mërzitura ose të nevrikosura. Kjo gjë i bën të dehurit, të prirur të turpërohen përpara të tjerëve.

 

Një aspekt i rëndësishëm i alkoolit lidhet me mënyrën si i perceptojmë shokët tanë brenda grupit shoqëror. Alkooli duket se na inkurajon të lidhemi me anëtarët e grupit, por kjo dallon nga mënyra si i trajtojmë personat e jashtëm.

 

Ngjashmërisht, alkooli i bën anëtarët e grupit tonë “etnik”, të duken më tërheqës, por ky efekt nuk shtrihet në grupet e tjera etnike.

 

Mitchell theksoi se efektet e alkoolit janë ndoshta të prapësueshme, sapo konsumuesi i alkoolit kthehet në vete, por konsumi i vazhdueshëm e kronik i alkoolit, mund të çojë në dëmtime në tru dhe në dëmtime të përhershme të aftësive konjitive, veçanërisht në kujtesë të dobët dhe probleme psikiatrike si depresioni, ankthi dhe të rrisë ndjesinë e vetëvrasjes.

 

 

 

‘Hormoni i dashurisë’ oksitocina është i ngjashëm me alkoolin

 

Oksitocina, i njohur si hormoni i dashurisë, nxit besim dhe bujari, por ashtu si një ose dy pije, ajo mund të nxisë agresivitetin, ka zbuluar një studim i ri.

 

Ngjashmëritë midis oksitocinës dhe alkoolit janë të mëdha, thonë kërkuesit britanikë. Hormoni prodhohet nga femrat gjatë lindjes për t’i ndihmuar ato të lidhen me beben e tyre.

 

Gjithashtu lirohet gjatë aktit të seksit, gjë që e bën të quhet edhe substanca e përkëdheljeve. Por hormoni ka një anë të errët, pasi disa psikopatë kanë dhjetë herë më shumë se sa sasia e zakonshme e hormonit.

 

Kërkuesit e Universitetit të Birminghamit riekzaminuan studime të mëparshme dhe zbuluan se ashtu sikurse kur pimë një ose dy gota verë, oksitocina na bën më bujarë, më me besim dhe më mirëkuptues.

 

Duke na bërë të ndihemi më të relaksuar, ajo ul nivelin tonë të frikës, që mund të na bëjë të marrim rreziqe që përndryshe nuk do t’i merrnim. Gjithashtu nxit agresion, arrogancë dhe lakmi.

 

Sipas Ian Mitchell, oksitocina do të na jepte kurajën që na duhet në takimet e para, në intervistat e punës dhe në situata të tjera të ngarkuara psikologjikisht.

 

 

 


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama