Becchetti padit Shqiperine ne Strasburg per deklarat e Rames per Agon Channel

Becchetti padit Shqiperine ne Strasburg per deklarat e Rames per Agon Channel

Biznesmeni italian Fancesco Becchetti, i akuzuar për pastrim parash dhe falsifikim dokumentesh, ka ngritur një padi kundër qeverisë shqiptare në gjykatën e Strasburgut, në të cilën pretendon se deklaratat publike të kryeministrit Edi Rama kanë shkelur prezumimin e tij të pafajësisë.

Padia e ngritur nga Becchetti është depozituar në Gjykatën Europiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg me 21 tetor 2015 dhe i është komunikuar qeverisë shqiptare në 12 janar.  Padia i referohet një serie deklaratash publike të bëra nga kryeministri Edi Rama në media dhe rrjete sociale në qershor 2015 në lidhje me çështjen penale të ngritur në Tiranë kundër biznesmenit italian.


Nga deklaratat e Ramës mbi procedimin penal të ngritur nga Prokuroria e Tiranës, padia e Becchetit në GJNED veçon një postim të kryeministrit në Twitter me 9 qershor, si dhe tre intervista të mëvonshme televizive në Vizion Plus, A1 Report dhe TV Klan.

Në deklaratën e tij në rrjetin social Twitter, kryeministri Rama, duke iu përgjigjur akuzave të opozitës e lidh sekuestrimin e aseteve të televizionit Agon Channel me dekriminalizimin e politikës nga elementët kriminal, një nga temat e nxehta politike që i parapriu zgjedhjeve vendore.

“Dekriminalizimi, gjethe fiku që bie e nxjerr cullak PD-në kur goditet krimi! Bllokimi i burimit të parasë së zezë që ushqente Agon Channel, një sukses,” shkruante Rama.

I shtyrë ta shpjegonte postimin e tij në Twitter në një intervistë për Vizion Plus me datë 12 qershor, kryeministri tha që çështja kundër Becchettit kishte të bënte më një skemë të madhe pastrimi parash që është hetuar për një kohë të gjatë.

“Kjo nuk ka lidhje me Agoin Channel si një media që po luftohet, sepse nuk ka turp më të madh se të bësh avokatinë e ekranit si liri për informim kur ekrani ndizet dhe fiket me burime parash të pista,” Rama tha.

Agon Channel u hap në Tiranë në vitin 2013 si një televizion gjeneralist duke tërhequr me rrogat e tij të majme personalitet të shumtë të televizionit shqiptar dhe italian. Një vit më vonë televizioni filloi të transmetonte nga Tirana dhe në Itali nëpërmjet dixhitalit tokësor nën siglën Agon Italia. Transmetimet e televizionit në Shqipëri u mbyllën në tetor 2015, pasi llogaritë e kompanisë u bllokuan nga gjykata.

Padia në Strasburg ka si aplikantë përveç Becchettit  edhe të ëmën e tij Liliana Condomitti, ortakun e tij Mauro de Renzis, si dhe financieren e kompanisë Agon Set, Erjona Troplini. Të katër aplikantët pretendojnë që deklaratat e Ramës bien ndesh me nenin 6 të Konvetës Europiane për të Drejtat e Njeriut që i referohet prezumimit të pafajësisë.

Përveç shkeljes së prezumimit të pafajësisë Troplini pretendon gjithashtu shkelje të nenit 3 të Konventës, i cili i referohet torturës dhe trajtimit denigrues, pasi thotë së është vënë në pranga gjatë seancës së masës së sigurisë në Gjykatën e Tiranës, ku ajo është lënë në arrest shtëpie.

Becchetti kundër Shqipërisë

Padia e Becchettit në Strasburg është vetëm një nga nismat e shumta ligjore të ndërmarra kundër Shqipërisë nga biznesmeni Italian, i cili po lufton në Angli një urdhër arresti ndërkombëtar të lëshuar nga autoritet shqiptare.

Becchetti ka ngritur dy padi në arbitrazh kundër qeverisë shqiptare si dhe një ankimim tjetër në Strasburg për mospërfshirjen e Agon Channel në tenderin për licencat e frekuencave dixhitale nga Autoriteti i Mediave Audiovizive, AMA, i njohur gjithashtu si Beauty Contest.

Ndryshe nga paditë në arbitrazh ku ai kërkon qindra miliona euro dëmshpërblim nga qeveria shqiptare, çështjet në Gjykatën Europiane për të Drejtat e Njeriut të ngritura mbi nenin 6 të Konventës sjellin zakonisht dëmshpërblime të vogla monetare.

Sipas Theo Alexandridis, një jurist i të drejtës ndërkombëtare pranë Qendrës Res Publica në Tiranë, edhe pse çështjet e ngritura nga Bechetti në GJNED i janë “komunikuar” qeverisë shqiptare, kjo nuk do të thotë që ato do të merren domosdoshmërisht në shqyrtim nga gjykata.

“Megjithatë ky është një hap shumë i rëndësishëm, në vlerësimin në qoftë se një aplikim do të pranohet për t’u ekzaminuar për meritat e tij,” ai tha. “Kjo do të thotë që një derë është hapur…dhe që gjykata beson që padia ka disa merita dhe duhet në një ekzaminim më i detajua dhe kështu ia komunikon qeverisë për të marrë komentet e saj,” Alexandridis shtoi.

Por megjithatë juristi nënvizon që paditë e Becchettit në Strasburg nuk do të kenë ndikim mbi kërkesën e prokurorisë për ekstradimin e tij, sepse do të duhen të paktën dy vjet që ato të shqyrtohen.

“Megjithatë në qoftë se ai është i suksesshëm, ato mund të përdoren në çështjen penale kundër tij për të thënë që gjyqësori në Shqipëri nuk është i pavarur,” Alexandridis përfundoi.

Akuzat për mashtrim dhe pastrim parash

Burrat italianë shpesh akuzohen si djem mamaje sepse jetojnë me prindërit deri në moshë madhore. Pronari i Agon Channel duket se i ka dhënë një përmasë të re këtij koncepti, pasi akuzohet se ka realizuar një nga mashtrimet më të mëdha në historinë e Shqipërisë me mamanë e tij.

Në dhjetor prokuroria shqiptare e dërgoi çështjen kundër Becchettit dhe bashkëpunëtorëve të tij në gjykatë. E ëma e tij Liliana Condomitti është marrë gjithashtu e pandehur, e akuzuar si pjesë e një skeme të orkestruar më të birin për të mashtruar Deutsche Bank – ish partnerin e tyre në hidrocentralin e Kalivaçit.

Në qershor Gjykata e Tiranës urdhëroi sekuestrimin e aseteve të tij në Shqipëri, ku përfshiheshin disa kompani energjetike si dhe televizioni Agon Channel. Gjykata gjithashtu lëshoi një urdhër arresti ndërkombëtar për biznesmenin Italian që tashmë është zhvendosur në Angli ku ai ka në pronësi një klub futbolli.

Me 26 tetor Becchetti u paraqit përpara Policisë Metropolitane të Londrës dhe dorëzoi pasaportën, pasi u dorëzua kërkesa e autoriteteve shqiptare për ekstradimin e tij në Tiranë.

“Nuk ka një masë sigurie për mamanë e tij sepse është mbi 65-vjeç dhe në atë moshë ligji nuk parashikon paraburgim, përveçse kur kemi të bëjmë me krime të rënda si vrasje,” shpjegoi zëdhënësi i Prokurorisë së Përgjithshme Albi Serani.

Serani nga ana tjetër shtoi se ekstradimi i Becchetit tashmë po shqyrtohet nga një gjykatë Britanike.

Megjithatë, në një njoftim për shtyp të postuar në faqen e internetit të klubit të tij të futbollit Layton Orinet, biznesmeni italian i quajti akuzat e prokurorisë shqiptare si të motivuara politikisht.

“Z.Becchetti i hedh poshtë me forcë akuzat e ngritura kundër tij nga qeveria shqiptare si të pabaza dhe të pambështetura në fakte,” thuhet në njoftim.

Origjina e biznesit të Becchettit në Shqipëri e ka zanafillën në vitin e mbrapshtë 1997, kur midis kaosit të krijuar nga rënia e firmave piramidale kompania e tij BEG S.p.a mori një koncesion nga qeveria shqiptare për të ndërtuar hidrocentralin e Kalivaçit mbi lumin Vjosë.

Dhjetë vjet më vonë pasi mori koncesionin, kompania Italiane hyri në vitin 2007 në një partneritet me Deutsche Bank për ndërtimin e hidrocentralit, duke krijuar në Itali një kompani të përbashkët që quhej Hydro Srl. Kjo kompani regjistroi në Shqipëri kompaninë Kaliva 135 Green Energy, KAG Sh.p.k.

KAG nga ana e saj filloi të kontraktonte punime nga një seri kompanish ndërtimi shqiptare, përfshirë Energji Sh.p.k, e cila ishte në pronësi të mamasë së Becchetit dhe të vjehrrës së tij shqiptare.

Sipas prokurorëve nga viti 2007 deri në viti 2013, KAG i pagoi në mënyrë të paligjshme 23.7 milionë euro Energji Sh.p.k për situacione punimesh në hidrocentral të cilat nuk janë realizuar kurrë.

Në vitin 2012 Energji sh.p.k hap një çështje arbitrazhi në Shqipëri kundër KAG Sh.p.k për situacione pune të papaguara dhe në 2013 i transferon edhe 15.2 milione euro kompanisë në pronësi të Liliana Condomittit.

“Bazuar nÑ‘ aktin e ekspertimit kontabÑ‘l duke llogaritur vetÑ‘m paratÑ‘ e transferuara nÑ‘ bankat shqiptare… vlera e përfituar padrejtësisht nga shoqëria ”Energji”, në llogaritë e saj bankare në Shqipëri është 39 milionë euro,” shkruajnë prokurorët në kërkesën për gjykim.

Në përfundim të hetimeve Prokuroria e Tiranës ka ngritur akuza kundër shtatë të pandehurve, ku përveç Becchetti, De Renzit, Condommittit dhe Troplinit, përfshihen dhe dy punonjës të Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, AKBN, Fetah Dervishi dhe Sokol Koçi.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama