Saviano me 9 maj vjen ne Tirane Ja si permenden shqiptaret ne librin e tij ZERO mbi tregun e kokaines

Saviano me 9 maj vjen ne Tirane: Ja si permenden shqiptaret ne librin e tij ZERO mbi tregun e kokaines

Roberto Saviano, shkrimtari i njohur italian, do të jetë në Shqipëri në datën 9 maj me rastin e Tirana Open-Festivali i Librit dhe Arteve.Së fundmi shtëpia botuese Dudaj ka sjellë librin ZERO të Roberto Savianos, i cili shkruan për rrjetin botëror të kokainës ku përfshihen edhe shqiptarët.

Eventi kulturor Tirana Open paraqet për të parën herë një event të këtij lloji në Ballkan, duke sjellë së bashku nën një çadër një koleksion të shumëllojshëm të institucioneve kulturore Shqiptare dhe ndërkombëtare që paraqiten në një program të pasur shumë-disiplinor ekspozitash, ngjarjesh, dhe eventesh publike. Duke reflektuar në një qytet që është njëkohësisht një qendër e vjetër romake, post osmane, arketip i Novecento-s Italiane, ëndrra utopike fashiste, një shembull i brutalismit stalinist dhe më në fund, një model i një vrapi në amok bashkëkohor (jo) arkitekturial. Tirana Open hulumton bashkëqytetarët e saj si në një laborator të gjallë të kulturës hibride dhe një model alternativ për zhvillimin urban dhe angazhimin e audiencës.

“Tirana Open 1-Festivali i Librit dhe Arteve është një ftesë për të përhapur fjalën që Tirana është një shesh urban që nuk ka barriera kulturore, por kufij të vetëm porozë të përkatësisë kulturore. Duke ftuar institucionet kulturore ndërkombëtare për të marrë pjesë në këtë event, shpresojmë që institucionet lokale dhe qytetarët e Tiranës të ndjehen pak si vizitorë në qytetin e tyre, dhe për t’i bërë vizitorët të ndjehen si qytetarë të Tiranës. Kjo nuk është një provë gjenerale, por një realitet i gjallë.”

Ky event paraqet një panair gjithëpërfshirës të librit për  nxitjen e shkëmbimit kulturor mes autorëve shqiptarë dhe ndërkombëtarë.  Me stenda nga shumica e shtëpive botuese të librit të Shqipërisë, panairi është organizuar në katin e parë të Pallatit të Kongreseve. Panairi do t’iu paraqesë ngjarjet e përditshme lexuesve me të ftuar të veçantë të festivalit, shkrimtarë si Giuseppe Catozzella, Victoria Hislop, Drago Jancar !! Do të përfshihen në këtë aktivitet nxënës, liceistë, studentë lexues te gjithëllojshëm. Me liceistët e liceut artistik Jordan Misja, do të zhvillohet një konkurs për ilustrimet i cili do të rezervojë edhe një çmim. Gjithashtu në mjediset e Festivalit do të zhvillohet ceremonia për dhënien e Çmimit “Ardian Klosi” librit më të mirë publicistik i sponsorizuar nga Traduki , rrjeti europian për letërsinë dhe librat që ndihmon në përkthimin dhe përhapjen e kulturës dhe botimeve. Juria përbëhet nga autorë të mirënjohur shqiptarë dhe gazetarë. Publicisti Piro Misha, shkrimtarët Ardian Vehbiu dhe Bashkim Shehu dhe gazetarja Rudina Xhunga.

(Fragmente të librit ku përmenden shqiptarët)

Ai që jepte atë farë leksioni duhej të ishte një bos i vjetër italian. E bënte para një takimi me meksikanë, italianë, italo-amerikanë, shqiptarë dhe ish luftëtarë kaibilas, legjionarëve guatemalas. Të paktën kështu thoshte djali. Nuk kishte as informacione, as shifra dhe as detaje. Asgjë që ta mësoje me pahir. Siç hyje në atë dhomë, ashtu dilje. Je i veshur njësoj, ke të njëjtën prerje flokësh, qimet e mjekrës kanë të njëjtën gjatësi. Nuk ke shenja stërvitjeje, nuk ke të çara sipër vetullës apo hundën e thyer, nuk e ke kokën të mbushur me dëngla. Në pamje të parë kjo është, hyn e del po ashtu, njëlloj siç të shtynë brenda. Por njëlloj dukesh vetëm nga jashtë. Brenda çdo gjë është ndryshe. Nuk ta kanë treguar të vërtetën përvëluese, por ja, ashtu, kanë vënë disa gjëra në vendin e duhur. Gjëra këto që para atij çasti nuk dije si t’i përdorje, nuk kishe kurajën t’i hapje, t’i sistemoje, t’i vëzhgoje.

Polici më lexonte nga një bllok shënimesh transkriptimin që i ishte bërë fjalës së bosit. Ishin mbledhur në një dhomë, jo larg prej nga ishim tani. Ishin ulur kështu, kuturú, pa rregull dhe jo në formë patkoi, siç ndodh gjatë riteve të pranimit në grup. Ishin ulur siç ulet njerëzia në klubet e lagjeve të Jugut të Italisë apo si në restorantet në Arthur Avenue për të parë ndonjë ndeshje në tv. Por në atë dhomë nuk kishte asnjë ndeshje për t’u parë dhe asnjë mbledhje miqsh për t’u ndjekur, të tërë ishin njerëz që kishin lidhje në nivele të ndryshme me organizatat kriminale. I pari që e mori fjalën ishte plaku italian. Të gjithë e dinin se ishte burrë i besës, që i shkonte fjala dhe se kishte ardhur në Shtetet e Bashkuara pasi kishte jetuar për shumë kohë në Kanada. Filloi të fliste pa u prezantuar dhe në të vërtetë nuk kish ndonjë nevojë ta bënte këtë. Fliste me një gjuhë të përzier, një italishte e ngjyer me fjalë anglisht e spanjisht, herë pas here i kthehej dialektit. Do të doja ta dija emrin e tij dhe provova ta pyesja policin, kinse i mbërthyer nga një kureshti e çastit, gjoja si rastësisht. Policit as ia kërciti fare të më përgjigjej. Dëgjoheshin vetëm fjalët e bosit.

“U munnu de chiri ca cridanu de putì campà cu ra giustizia, con le leggi uguali pe tutti, cu na bona fatiga, la dignità, le strade pulite, le fimmine uguali agli uomini… Bota e atyre që çirren se mund të jetojnë me drejtësi, me ligje njëlloj për të gjithë, me dinjitet, rrugë të pastra dhe barazi mes gruas dhe burrit… është vetëm një botë bythecësh që kujtojnë se mund të tallin menderen me veten e tyre. Dhe me kë u rri afër. Broçkullat ‘për një botë më të mirë’ le t’ua lëmë idiotëve. Idiotët e pasur që ia kanë ngenë ta blejnë këtë luks. Luksin e të besuarit te ‘një botë e lumtur’, te ‘bota e drejtë’. Të pasur me ndonjë ndjesi faji ose me ndonjë gjë për t’ia fshehur dynjasë. Who rules does it, and that’s it. Ai që komandon e bën këtë, dhe kjo është e gjitha. Mund edhe t’ia fusë duke thënë se komandon për të sjellë të mirat, drejtësinë, për të sjellë lirinë. Po këto janë punë çupëlinash, t’ua lemë këto të pasurve, idiotëve. Ai që komandon, komandon. Pikë mbaroi.”

I dyti:

 “Serbët. Të saktë, të pamëshirshëm, të përpiktë në tortura.”

“Broçkulla. Nuk ke parë çeçenët. Kanë disa thika ata, aq të mprehta saqë, sa hap e mbyll sytë, e gjen veten të therur përtokë, të rrëgjakur.”

“Vetëm se këta janë krejt diletantë para liberianëve. Ata të shkulin zemrën nga kraharori dhe ta hanë pa të dalë shpirti akoma.”

Kjo është një lojë e vjetër sa bota. Klasifikimi i mizorive, dhjetë popujt më mizorë në botë.

“Po shqiptarët? Ata nuk kënaqen vetëm kur të heqin qafe. Jo, jo, ata pastaj fillojnë e merren edhe me brezat e ardhshëm. I fshijnë të gjithë. Njëherë e mirë.”

“Rumunët ta mbështjellin kokën me qese plastike, të lidhin kyçet e duarve te qafa dhe pastaj lënë kohën që të bëjë punën e saj.”

“Kroatët të gozhdojnë këmbët dhe nuk mund të bësh gjë tjetër veçse të lutesh që vdekja të vijë sa më shpejt që të jetë e mundur.”

Përshkallëzimi i gjakut, terrorit dhe sadizmit do të vazhdojë edhe ca, derisa mbërrin te trupat speciale, si: legjionarët francezë, El Tercio spanjoll, Bope brazilian.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama