Me thoni nje arsye te rri ketu!

Me thoni nje arsye te rri ketu!

Po ikin njerëzit nga sytë këmbët, fajtorët po grinden në parlament për fajin. Unë jam njëri prej atyre që ikin, jam një i ri që iki, jam një i diplomuar që iki, jam një specialist i një fushe të caktuar që iki, jam një fshatar që iki, jam një student që iki, jam një prind i ardhshëm që iki, jam njëri nga anëtarët e një familjeje /çifti të ri që iki…unë jam…një i pashpresë, që nuk më mban vendi im!

Po cilat janë arsyet që më shtyjnë të iki duke qenë njëri nga të mësipërmit?!

Si i ri, unë iki nga ky vend, sepse nuk jam anëtar i ndonjë partie, jam i paangazhuar politikisht, dhe si i tillë në vendin tim nuk bën hajër. Edhe pse unë kam kryer një universitet të vërtetë dhe të gjitha kualifikimet e nevojshme, unë prapë nuk jam i preferuar në administratën shtetërore, për t’i shërbyer vendit në administratë nuk duhet të jesh idealist, duhet të kesh një teserë partie, nuk mjafton kjo por edhe duhet të jesh “çjerrë” në fushata elektorale, të kesh rënë në sy të deputetit, kryetarit të zonës ku ti bën pjesë apo dikujt tjetër me rëndësi.

Aty duhet të jesh me universitet “kristalist” dhe “vitrinist”, që mos të të figurojë emri në asnjë regjistër amze universitare, mjaftojnë kriteret e mësipërme dhe një copë karton fals, dhe “bindja”, për të qenë diku. Për mua nuk ka vend këtu, po për mua nuk ka vend as në një biznes privat, i cili është i detyruar të mbajë anshmëri politike, dhe nëse qëllon që pronari yt është i pakorruptueshëm ose i paangazhuar politikisht, ngelesh me një rrogë mbijetese, për të mos thënë që edhe mund të falimentojë fare, ose do të presësh kohen së të përmirësojë pronari i biznesit marrëdhëniet me “shpendin” e radhës. Si një i ri i diplomuar dhe i kualifikuar pra, për mua nuk ka vend në Shqipëri, për këtë arsye duhet të iki, të iki nga sytë këmbët vetëm këtu mos të jetoj.

Jam një specialist i një fushe të caktuar, dega e së cilës për fat është edhe baza ekonomike e vendit. Unë nuk gjej punë si i tillë, nuk gjej sepse kjo degë e ekonomisë është e harruar nga qeveritë, pa strategji, pa plane, pa projekte, është e harruar. Sektori privat në këtë fushë është minimal, nuk gjen kushte dhe lehtësira për të bërë biznes në këtë sektor të ekonomisë, është pothuajse i vdekur. Ç’të bëj, ku ta ushtroj profesionin tim, kujt i hyn në punë një specialist në një sektor që nuk ekziston?!

Duhet të iki, për këtë duhet të iki!

Jam një fshatar që iki, sepse jeta në fshatin shqiptar është bërë e padurueshme, gjendja është mesjetare. Miell me para borxh, korr me para borxh, nuk shes dot asgjë, dhe më duhet që sërish të marr borxh për të larë borxhin dhe për të mbuluar humbjet.

Jam një student, nuk mund të bëj asgjë për të ndryshuar një reformë të nisur, ku e bën shkollën vetëm një mundësi për të pasurit, unë si i varfër nuk mundem dot të studioj, edhe nëse nuk jam shumë i ditur, unë prapë kam të drejtë të studioj, kam të drejtë të kem shanse dhe kushte të barabarta me të gjithë për t’u arsimuar dhe për të studiuar. Vendi im nuk i ofron këto mundesi, vendi im i ofron këto vetëm për 1% të popullsisë, për ne të tjerët, jo. Duhet të iki, të arsimohem, të studioj, të edukohem, vendi im nuk ma ofron një mundësi dhe shans të tillë.

Jam anëtar i një bërthame të re familjare, sërish duhet të iki. Nëse njëri nga partnerët është i papunë, shanset për të patur vazhdimësi dhe për të krijuar të ardhme këtu janë zero. Një rrogë mesatare nuk mund të përballojë shpenzimet e një familjeje të re pa fëmijë, jo më nëse ke të tillë. Çmimi i qirave është stratosferik, çmimet e ushqimeve janë po ashtu, çmimi i dritave sa vjen edhe rritet, çmimi i ujit po ashtu.

Nuk mund të mendohet që një çift i ri që është pa shtëpi, të blejë një apartament në Tiranë, një qytet me ndërtime pa fund, por si mundet një familje e re të përballojë koston e kredive nga bankat të cilat kreditojnë me përqindje stratosferike në krahasim me rajonin, po a mundet një familje e tillë të kursejë para për të patur një shtëpi ku të fusë kokën? Jo, kurrë. A mund të krijojë një i ri/e re familje në një vend të tillë së paku që të jetë në nivelin e bashkëmoshatarëve të tij të rajonit, jo kurrë nuk mundet?!

Ja përse ikin të rinjtë nga ky vend, se këtu nuk ka shanse të barabarta, nuk ka liri, nuk gjen të drejtën kurrë, nuk vlerësohesh kurrë mbi bazën e meritokracisë. Disa deputetë, të kujtdo kahu qofshin, po artikulojnë këto ditë me keqardhje për eksodin, disa në mënyra të drejtpërdrejta, disa të tjerë në mënyrë të tërthortë. Unë besoj se ata janë bashkëfajtorë për situatën e krijuar, për vrasjen e shpresës në këtë vend, për mjerimin që i kanë sjellë këtij populli.

Ku ishin më parë këta, si munden të votonin ligje që ua bënë jetën më të shtrenjtë shqiptarëve këta deputetë, si munden të votojnë ligje për burgosjen dhe marrjen e pronës së të varfrit për shkak të varfërisë?! Këta deputetë më duken si burokratë dhe që tashmë janë bërë viktima të sistemit të vet burokratik, asgjë më shumë. Ndonjëherë duhet një shembull idiot për të bërë gjënë sa më të thjeshtë për të gjithë, diçka që besoj të gjithë e shohin nga afër.

A mund të jetohet në një vend – ku shoferi i deputetit, pa asnjë klasë shkollë, me një rrogë që besoj nuk është më shumë se mesatarja e vendit, ka dy shtëpi, ndërsa një njeri i diplomuar apo kushdo tjetër nuk ka ku të fusë kokën, nuk ka mese të ushqejë fëmijët, t’i veshë, t’i mbathë, t’i arsimojë?! Nuk po kërkon kush drejtësi komuniste, as drejtësi religjioze, po kërkojnë drejtësi meritokratike, barazi përpara ligjit, demokraci pra demokraci, ku të jetë merita në vend të parë, ligji i barabartë si për “bariun në mal, ashtu edhe për ministrin”, kaq kërkojnë shqiptarët ose më saktë, kjo u takon për këtë lloj sistemi në të cilin jemi, se shqiptarët për fat të keq, nuk po kërkojnë më asgjë, por po ikin nga sytë këmbët!


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama