Ju shkruaj nëpërmjet një gazete që ju nuk lexoni, megjithatë disa fjalë ndjej nevojën t'jua them, sepse të premten humori juaj shpërfillës preku njerëz që për mua janë të shtrenjtë: "vajzat e bukura shqiptare". Në kohën që kryeministri i vendit tim, Sali Berisha, konfirmonte angazhimin e qeverisë së tij në luftën kundër kontrabandistëve, ju vutë në dukje se "mund të bëjmë një përjashtim për ata që sjellin vajza të bukura."
Ato "vajza të bukura" unë i kam takuar. Kam takuar me dhjetra syresh, natën dhe ditën, fshehtas tutorëve të tyre, i kam ndjekur nga Garbanjate Milaneze gjer në Siçili. Ato vajza më kanë rrëfyer copa nga jetët e tyre të përçudnuara, të abuzuara, të shkatërruara. "Stelës" padronët e saj i patën gdhendur mbi stomak një fjalë: kurvë. Ishte e bukur, Stela, shumë e bukur, por kish vetëm një "të metë": e rrëmbyer në Shqipëri dhe e prurë në Itali, kundërshtonte të dilte në trotuar. Pas një muaji përdhunimesh kolektive nga ponçot shqiptarë dhe ortakët e tyre italianë, iu desh të thyhej. Ajo vajzë njohu trotuaret e Piemontes, Lacios, Ligurias e kështu me radhë. Dhe vetëm më pas - tre vjet më vonë - vendosën t'ia skalitnin zanatin mbi lëkurë: thjesht për argëtim, thjesht për tekë.
Asokohe ishte aq e bukur ajo jetë e re, një hyjni. Sot është veç një nga të përhumburit, të shtyrët në cepat e njerëzimit. "Stela" nuk do të dashurojë më kurrë, e askurrë do të bëhet nënë e gjyshe. Fjala "kurvë" mbi bark i ka shuar çdo dritëz shprese dhe besimi tek njeriu, kërdia e klientëve dhe e tutorëve i kanë shkatërruar mitrën. Mbi "vajzat e bukura" kam shkruar një roman, botuar në Itali me titullin "Sole bruciato", në gjuhën time ka titullin "Yjet nuk vishen kështu". Vite më pas, xhirova një dokumentar për televizionin zviceran: u vura në gjurmët e një tjetre vajze të bukur, Brunilda quhej, i ati më qe përgjëruar mes lotësh të hetoja për të. Ishte një baba si shumë baballarë shqiptarë vajzat e të cilëve ishin zhdukur, rrëmbyer, sakatuar dhe varur me kokë poshtë në thertore jashtë përdorimi sepse guxonin të rebeloheshin. Ai burrë ishte baba si ju, z. Kryeministër, vetëm se i pafat. Dhe ende nuk e gëlltit dot faktin që vajzën e ka humbur përgjithmonë, se ndoshta gjendet e fundosur në det ose e ekzekutuar në ndonjë skutë periferie. Ai këmbëngul të shpresojë, ëndërron mrekullinë. Histori e gjatë kjo, z. Kryeministër...
Nëse do të isha e sigurt se me këta rreshta do të fitoja vëmendjen tuaj do t'ju dërgoja një kopje të librit për të cilin ju fola më sipër; ose të dokumentarit. Apo do të shkëmbeja me ju disa fjalë, me dëshirë. Por një hollësi duhet ta dini që tani, z. Kryeministër: komenteve pa kripë e kam zakon t'u përgjigjem, e jo t'i gëlltis. Kështu, nuk mund të mos jua shkruaja këtë letër të hapur: në emër të Stelave, Biankave, Brunildave dhe në emër të familjeve të tyre. Përgjatë njëzet vitesh tranzicioni të vështirë, Shqipëria i ka shkaktuar vetes shumë vuajte e plagë, por në popull po rritet e forcohet shpresa e vullneti që më në fund të eci drejt, me kokën lart. Dhe më lejoni t'jua bëj të qartë: Shqipëria nuk ka më durim, e asfare dëshirë, që t'i gëlltisë poshtërimet falas. Dhe ju, nëse do t'i jepnit mbroth të mos përçudnonit dramat njerëzore e t'i përdornit ato si material për batuta vulgare mejhanesh, do të kishit vetëm dobi.
Gazeta Shekulli











