Kur Shkodra i shpallte lufte Stalinit

Kur Shkodra i shpallte luftë Stalinit

Me rastin e demonstratës së parë antikomuniste

Sot 20 vjet pjesa ma e mirë e Shkodrës, malsorë e qytetarë dolën për të parën herë në sheshin kryesor të qytetit për me heqë me forcë bustin e Stalinit dhe për t'i tregue regjimit të Ramiz Alisë se nuk e duronin ma të ashtuquejtunën "diktaturë të proletariatit".

Ai 14 janar i vitit 1990 ka mbetë i pashlyem në zemrat e atyne që kërkonin fundin e sistemit komunist, mbasi ishte hera e parë që shqiptarët guxonin me dalë në rrugë e me shfaqë haptas disidencën e tyne ndaj regjimit ma totalitar në Europë.

Demonstrata e 14 janarit nuk ishte diçka e improvizueme, por ishte organizue në detaje prej Dedë Kasnecit, Gjergj Livadhit, Rini Monajkës, Kolec Hublinës, Flamur Elbasanit e disa të rinjve të tjerë shkodranë që donin me i dhanë nji sinjal mbarë shqiptarëve.
Kishte ardhë koha me u zgjue prej gjumit të gjatë të frikës e të terrorit.

Shumëkush, prej antikomunistave të njohun e prej atyne që e urrenin sistemin, nuk iu përgjegjën thirrjes me dalë në shesh atë ditë. Ma vonë u justifikuen tue thanë se nuk besonin se atë ditë do të bahej gja. Si gjithnji pjesa ma e madhe kërkonte me i nxjerrë gështenjat prej zjarrit pa i djegë duert.


Por atë mëngjes të ftohtë dimnit qindra e qindra të rinj vërshuen prej lagjeve Skanderbeg, Serreq, Rus, Parrucë, Ballabane, Arra e Madhe dhe në heshtje mbushën qendrën e qytetit.


E vetmja mbështetje organizatorëve u ishte dhanë nepërmjet nji funksionari të naltë të përfaqsisë së RFGJ-së në Tiranë, i cili e kishte sigurue Rini Monajkën (që ishte me prejardhje austriake) se qeveria gjermane do ta mbështeste nji lëvizje të mundshme antikomuniste në Shqipni. Pjesa tjetër i takonte zemrës së puntorëve e të rinjve që nuk patën frikë me dalë me shesh.


Forcat e shumta të policisë dhe disa dhjetra e dhjetra sambista nuk e trembën popullin e Shkodrës, tashma të lodhun prej mashtrimeve e dhunës së Ramiz Alisë e Nexhmije Hoxhës me shokë.

Mbrenda mikrobuzave me dyer të hapuna shiheshin arkat me municione dhe automatikët e gatshëm të policëve të ardhun prej të gjitha rretheve. Megjithatë as ata nuk mjaftonin për me tremb shkodranët.


Atë ditë, edhe pse nuk u rrëzue busti i Stalinit e oratori i caktuem me mbajtë fjalimin e rastit, puntori Kolec Hublina, nuk mbërrijti me folë, prap se prap u arrit efekti i dëshiruem: diktatorit gjeorgjian e atyne që rrinin në Tiranë iu dridh toka nën kambë.


Po atë ditë në Shkodër kishte ba nji vizitë senatori italian Flaminio Piccoli, i cili u shfaq në mbramje në ekranin e televizionit shqiptar tue vlerësue hapat përpara të qeverisë shqiptare në demokratizimin e vendit. Demagogjia e Ramiz Alisë nuk njihte asnji kufi, ai s'ngurronte me përdorë asnji mjet për me mashtrue popullin shqiptar.


Nuk vonuen arrestimet e shumta e mbrenda pak javësh u kapën të gjithë organizatorët, prej të cilëve Rini Monajka u torturue në mënyrën ma çnjerzore prej policëve dhe sambistave nën drejtimin personal të kriminelit Zylyftar Ramizi.


Regjimi përpiqej që krahas dhunës të tregonte edhe nji farë qetsie. Ramiz Alia gjatë nji vizite në Uzinën Traktori u shpreh se Taraboshin nuk e lëviz era.


Megjithatë ai dhe klani komunist e ndienin mirë se "era" që kishte fry në Shkodër vinte prej gërmadhave të Murit të Berlinit dhe kalonte nepër Rumani, ku sapo ishte pushkatue diktatori Çaushesku.


Muejt e hetuesisë qenë prova ma e randë për të arrestuemit, të cilët krahas torturave fizike iu nënshtruen edhe presionit të vazhdueshëm psikologjik.


Në fund të prillit 1990 grupi i Shkodrës që kishte organizue demonstratën për rrëzimin e bustit të Stalinit doli para trupit gjykues të kryesuem prej Shefqet Muçit në Gjykatën e Lartë. Gjykimi në atë shkallë u hiqte atyne të drejtën e apelimit dhe de facto e kthente dënimin në formën e preme.


E gjithë Shkodra i ndoqi me ankth ato ditë.


Akuza mbështetej tek nenet 55/1+13 e 57 e të Kodit Penal të RPSSH, për krijimin e nji organizate kundërrevolucionare me karakter antisocialist, për kryemjen e krimeve në bashkëpunim kundër shtetit dhe përmbysjen të pushtetit popullor me dhunë.


Dënimet për këto nene mund të shkonin deri në pushkatim, por kohët kishin ndryshue.
Dedë Kasneci, Kolec Hublina, Flamur Elbasani, Gjergj Livadhi ua përplasën në fytyrë trupit gjykues aktakuzën që pjesa ma e mirë e shqiptarëve i bante atij regjimi çnjerzor. Ndërsa Rini Monajka ishte i tjetërsuem prej torturave dhe nuk mund të shqiptonte pothuejse asgja në mbrojtje të vetes.


Dënimet qenë të ashpra, por tashma era e shndërrimeve politike në Europë nuk e lejonte ma Ramiz Alinë me pushkatue disidentët antikomunistë.
Të dënuemit u shpërndanë në burgjet e ndryshme prej Qafë Barit në Sarandë, prej ku u liruen në janar e në mars të vitit 1991.


Ma randë ndër ta ishte damtue Rini Monajka, i cili në tortura kishte pësue nji frakturë prej 7 centimetrash në kafkë dhe kishte trauma të randa psikike.


Sot, 20 vjet mbas asaj date historike, nuk janë ma mes nesh as Rini Monajka dhe as Flamur Elbasani, por nuk asht ma as shpirti i pastër që andrronte me përmbysë pushtetin dhe mendësinë komuniste pa ba kompromise dhe pa lejue që ish antarë të PPSH të vijonin me sundue në Shqipni edhe për 20 vjet të tjera.


Në këto dy dekada shqiptarët nuk kanë pasë mundësi me e trajtue komunizmin as si objekt të historisë së tyne bashkëkohore, e ndërsa ata gjuenin me shqelma kërmën e komunizmit në debate, forume e në gazeta, ai ndërronte formë e ngjyrë, tue mbetë gjithnji i njejti si mendësi e tue drejtue jetën politike të vendit, tue vijue me e shkatrrue dhe me e mbajt Shqipninë të fundit ndër vendet e Ballkanit.


Shkodra ka me dijtë gjithmonë me i rrëzue diktatorët dhe demagogët shkatrrimtarë, e shpresojmë se njikohsisht ka me fillue me nderue ata që si Rini Monajka me shokë kanë sakrifikue vetveten për lirinë dhe demokracinë e vendit tonë.

Ardian Ndreca  : Gazeta Shekulli

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama