Rama Shqiptaret dhe serbet kane mundesine historike qe ta kthejne paqen ne rajon. Vucic Kosova eshte pjese e jona

Rama: Shqiptaret dhe serbet kane mundesine historike qe ta kthejne paqen ne rajon. Vucic: Kosova eshte pjese e jona

Kryeministri Edi Rama në konferencën e përbashkët për mediat me Kryeministrin serb Aleksandër Vuçiç deklaroi se shpreson që homologu i tij nga mbresat e marra nga vizita në Shqipëri, të nxitet të kthehet sëriash.

 

Sipas tij fqinjësia e mirë është themeli i paqes mes dy vendeve dhe në rajon.

 

Ai bëri me dije se vizita e Vuçiç në Tiranë vjen siç ishte dakordësuar më parë, për të marrë pjesë në takimin e organizuar nga qeveria shqiptare për samitin ekonomik të Vjenës.

 

Kryeministri shqiptar e vlerësoi si të parin takim të një zyrtari të këtij niveli nga Beogradi që pritet në Tiranë në harkun e 6 muajve nga vizita e kreut të qeverisë shqiptare në Serbi.

 

Rama tha se një vizitë e tillë është shenjë e padyshimtë e dëshirës dhe vullnetit të përbashkët për të sjellë dy kombet më pranë njeri tjetrit pavarësisht, se vendet janë ende larg të qenit dakord për gjithçka.

 

Kryeministri Rama tha se homologu serb ishte i mahnitur nga vizita në Shqipëri.  Rama tha se uron që mbresat pozitive të vizitës në Shqipëri, ta nxisin kolegun serb që të ftojë bashkëqytetarët e tij që ta vizitojnë Shqipërinë, sidomos gjatë verës.

 

Duke shfrytëzuar rastin e pjesëmarrjes së medias serbe në Pallatin e Brigadave, Kryeministri siguroi se “qytetarët serbë do të gjejnë vendpushimet, ushqimin dhe mikpritjen më të mirë në Shqipëri.

 

“Kryeministri Vuçiç është i pari vizitor i këtij rangu nga Beogradi që viziton vendin tonë”, – deklaroi më tej Rama, ndërsa shtoi se “vizitat e ndërsjellta në rang kryeministrash u kryen në harkun e 6 muajve, pas një kohe të stërgjatë akulli mes dy shteteve tona”.

 

“Për ne, ky fakt është shenjë e padyshimtë e dëshirës dhe vullnetit të përbashkët për të sjellë të dy kombet tona pranë njeri-tjetrit, pavarësisht se jemi ende larg të qenit dakord për gjithçka”, tha më tej Kryeministri shqiptar.

 

Sipas tij “sot shqiptarët dhe serbët kanë mundësi historike që ta kthejnë paqen që, mezi e arritëm në këtë rajon, në një paqe që ia vlen të jetohet”.

 

“Shqiptarët dhe serbët kanë sot mundësinë të bëjnë për të mirën tonë dhe të njëri- tjetrit atë që francezët dhe gjermanët bënë për veten dhe Europën pas Luftës së Dytë Botërore. Vullneti i qeverisë shqiptare është i palëkundur për të çuar përpara axhendën e një rajoni pa kufi, ku mes shqiptarëve, serbëve etj. Të bien barrierat e trashëguara prej vitesh, të gjitha barrierat që na kanë penguar deri më sot, për ta projektuar të ardhmen si një destinacion të përbashkët në rrugën e integrimit”, – u shpreh Rama.

 

Në fjalën e tij Kryeministri Vuçiç deklaroi se dëshirohen marrëdhënie të mira mes dy vendeve dhe se nuk ka vërejtje për mirëpritjen, duke nënvizuar se marrëdhëniet mes dy vendeve janë shumë më të mira se më parë dhe shpresohet të jenë më mirë në të ardhmen.

 

“Jemi në rrugë të mirë për të bërë diçka më shumë. Nuk pajtohemi për të gjitha çështjet, siç është Kosova lidhur me statusin e saj. Ne jemi në bisedime mes dy vendeve”, tha Vuçiç.

 

Kreu i qeverisë serbe deklaroi më tej se zhvillimi ekonomik dhe shkëmbimi i mallrave, si dhe projektet infrasturkturore, janë bashkëpunime të mira si për Shqipërinë edhe Serbinë.

 

Vuçiç tha se vetëm me biseda mund të përmirësohen marrëdhëniet mes dy vendeve, por se edhe Shqipëria edhe Serbia kanë dëshirën e mirë.

 

“Dëshiroj të zgjasë duart miqësore ndaj popullit shqiptar pa marrë parasysh mendimet tona ndryshe”, deklaroi më tej ai.

 

Nga ana e tij Rama ashtu si në Beograd deklaroi se nuk provokohet lidhur me qëndrimin ndaj Kosovës, por theksoi se qëndrimi i palës serbe është i papajtueshëm për Shqipërinë.

 

Ai deklaroi se Shqipëria e Madhe nuk është as plan dhe as projekt, ndërsa tha se serbët dhe shqiptarët nuk kanë përgjegjësi vetëm ndaj vetes, por edhe ndaj rajonit dhe Europës.

 

“Shqipëria e madhe është një ide të cilën e kanë promovuar dhe ushqejnë ata që nuk i duan të mirën shqiptarëve. Jo ne dhe jo kombi ynë që nuk synon zmadhime në kurriz të askujt, por vetëm vetëvendosje dhe bashkëjetesë normale. Nuk ka projekt të Shqpërisë së madhe në Shqipëri dhe mes nesh. Por ka një projekt atë të bashkimit në Bashkimin Europian. Ne duam një Ballkan pa kufi mes gjithë popujve të tjerë”, nënvizoi më tej kreu i qeverisë shqiptare.

 

“Jemi shumë të vegjël për të mos u bërë bashkë në përpjekje për të rritur ekonominë tonë. Kam bindjen se suksesi ynë i përbashkët është e vetmja rrrugë që duam për kombet dhe rajonet tona, në këtë rajon ku fatet e vendeve të Ballkanit janë aq të ndërlidhura. Fatet janë aq të ndërlidhura sa që nuk mund të mendohet që një vend të ecë shumë përpara dhe tjetri të mbetet mbrapa. Sepse ne të gjithë jetojmë në një pjesë të tjetrit edhe kur me tjetrin jemi të ndarë. Dhe duke ecur veç e veç në drejtimin e duhur të BE, të bëjmë për tjetrin dhe me tjetrin as më shumë dhe as më pak se atë që tjetri duhet të bëj me ne. Historia e ndasisë mes shqiptarëve dhe serbëve është përgjegjësi edhe për të nesërmen e rajonit. Prej faktit se edhe një top futbolli rrezikoi të na kthente në pikën zero gjë që tregon brishtësinë e raporteve dhe që kërkon kthimin në një fazë të re bashkëjetese dhe bashkëveprimi mes nesh. Aty ku ka një vullnet  të përbashkët ka edhe shpresë për bashkëjetesë”, tha më tej Rama.

 

Sipas Kryeministrit mosdakordësia për Kosovën nuk e zbeh aspak vlerën e dialogut mes Serbisë dhe Kosovës që siç tha ai është prolog për marrëdhëniet mes shqiptarëve dhe serbëve.

 

Lidhur me shqiptarët e Luginës së Preshevës ai deklaroi se presin më shumë nga shteti serb në këmbim të respektit të tij, duke shtuar se kërkohet trajtim dinjitoz siç ju bëhet serbëve në veri të Kosovës.

 

Rama tha se përfshirja e Kosovës në iniciativat rajonale dhe ndërkombërar është domosdoshmëri.

 

Ndër të tjera kreu i qeverisë shqiptare deklaroi se ngjarja tragjike në Kumanovë konfirmoi brishtësinë e paqes në rajon, duke nënvizuar bindjen se Shqipëria e sheh domosdoshmëri integritetin territorial dhe funksionimin e demokracaisë në Maqedoni. Rama deklaroi më tej se Shqipëria është kundër çdo shfaqje të ksenofobisë dhe kërkoi zbatimin e marrëveshjes së Ohrit.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama