Papandreu fal shtetesine greke per emigrantet

Papandreu 'fal' shtetësinë greke për emigrantët
Për më se një orë e gjysmë, në pasditen e së martës, kabineti i ministrave ka dëgjuar projektligjin e ri për dhënien e nënshtetësisë dhe të drejtën zgjedhore të emigrantëve të huaj, të cilin socialistët grekë e kishin edhe premtim elektoral. "Bashkëjetesa harmonike, ka deklaruar Papandreu, është antidoti më i mirë ndaj frikës për emigrantët e huaj, ndërsa ka shtuar se emigranti nuk është armik". Nga ana e tij, ministri i Brendshëm, Janis Ragusis, ka përsëritur se Greqia bllokon kufijtë tashmë e tutje ndaj emigrantëve ilegalë, por hap zemrat për emigrantët që ndodhen në vend prej vitesh. Vlen të përmendet se në mbledhjen e kabinetit qeveritar ka marrë pjesë edhe kryepeshkopi i Greqisë, Hirësia e tij Jeronimos, që është falënderuar prej Kryeministrit grek për ndihmën që ka dhënë kisha greke ndaj emigrantëve të huaj. Duke marrë fjalën më pas, ministri i Brendshëm, Janis Ragusis, ka lexuar disa prej neneve kryesore të projektligjit që është publikuar në faqen e internetit të ministrisë, në adresën http://www.ypes.gr/ypes_po/detail.asp?docid=2264. Qëllim i këtij projektligji, ka theksuar z.Ragusis, është t‘u hapet "dera" në fillim fëmijëve të emigrantëve që lindin në Greqi.

Për fëmijët e emigrantëve

Midis të tjerash, me lindjen në Greqi të një fëmije dhe me faktin që një prej prindërve banon në mënyrë të ligjshme për 5 vjet rresht, ky fëmijë merr automatikisht nënshtetësinë greke, nëse prindërit e tij e deklarojnë në bashkinë ku ata banojnë. Gjithashtu, një fëmijë emigrantësh që ka ndjekur tri vitet e para të detyrueshme të arsimit, në një shkollë greke në Greqi dhe banon ende në vend, merr edhe ai nënshtetësinë me mbushjen e moshës 18 vjeç, pas kërkesës që do të bëjë ai vetë (afati deri 3 vjet pas mbushjes së moshës). Nënshtetësinë greke e përfiton nga lindja e tij, pa kërkesë të prindërve, ai fëmijë që lind në tokën greke, përderisa një nga prindërit e tij ka lindur në Greqi dhe banon aty prej lindjes së tij. Vlerësohet se mbi 220000 fëmijë emigrantësh do të marrin nënshtetësinë greke, prej të cilëve një pjesë e madhe janë fëmijë emigrantësh nga Shqipëria.

Emigrantët

Do të kenë të drejtë të aplikojnë ata emigrantë që jetojnë për më shumë se 5 vjet rresht në dhjetëvjeçarin e fundit në Greqi, para se të kenë bërë kërkesën për marrjen e nënshtetësisë. Kur bëhet fjalë për atë kategori personash që janë bashkëshortë të një shtetasi grek, që kanë edhe një fëmijë, koha e mjaftueshme e banimit është vetëm tre vjet.

Ndërkohë, lehtësohet jashtëzakonisht procedura e aplikimit për nënshtetësinë greke. Kërkesat për aplikim janë të njëjta, por është ulur nga 1500 një 1000 euro tarifa e aplikimit, ndërsa shqyrtimi i kërkesës do të mbarojë brenda një viti.

"Homogjenët"

Për sa i përket kategorisë së homogjenëve nga Shqipëria, të cilët, sipas ministrit grek, janë rreth 160000 dhe disponojnë Kartën e Veçantë të Homogjenit, do të lehtësohet në maksimum aplikimi për marrjen e nënshtetësisë dhe procedurat edhe në këtë rast do të përfundojnë brenda një viti.

E drejta zgjedhore

Ndërkaq, projektligji i ri u jep të drejtë emigrantëve të marrin pjesë në zgjedhjet lokale, duke pasur edhe të drejtën për t‘u zgjedhur, përveç posteve të kryebashkiakut apo të kryetarit të këshillit bashkiak.Vlerësohet se kushtet për pjesëmarrjen e emigrantëve në zgjedhjet e ardhshme të pushtetit lokal në nëntor të vitit 2010 i plotësojnë rreth 250000 homogjenë dhe emigrantë të huaj që banojnë për shumë vjet në Greqi, shumica e të cilëve janë emigrantë shqiptarë. Ndërkohë nga ana e tij, ministri i Mbrojtjes së Qytetarit ka deklaruar se qeveria greke do të regjistrojë gjithë emigrantët e paligjshëm.



Gazeta Shqip

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama