Karikaturisti shqiptar ne SHBA Pse e vizatova profetin

Karikaturisti shqiptar ne SHBA: Pse e vizatova profetin

Një shqiptaro-amerikan me emrin e artit, Bosch Fawstin, është artisti që fitoi të dielën e shkuar konkursin për karikaturën më të mirë të profetit Muhamed. Ai e paraqiti karikaturën në një ekspozitë në Garland të Teksasit, e cila u vlerësua edhe me një ccmim prej 12.5 mijë dollarësh. Por kjo u pasua me vdekjen e dy personave, të cilët hapën zjarr ndaj rojës së sigurisë të kësaj ekspozite. Ata u ekzekutuan nga policia e Teksasit pasi u cilësuan si terroristë, të cilët e kundërshtonin këtë imazh të profetit të tyre.

I riu shqiptar e komentoi si të drejtë ekzekutimin e dy të rinjve. “Ata erdhën për të na vrarë, por vdiqën për të”, u shpreh ai në rrjetin social “Twitter”. Artisti Fawstin paraqiti në ekspozitë një vizatim në të cilën profeti Muhamed shfaqet me një imazh agresiv, me shpatë në dorë, duke thënë i nevrikosur: ”Ti nuk mund të më pikturosh mua’’. Fawstin paraqitet në këtë imazh me dy duart e tij të cilat vazhdojnë të pikturojnë, duke iu përgjigjur, ‘’Ja pse unë të pikturoj ty’’.

Është një shprehje domethënëse ku i riu dëshiron të përcjellë mesazhin se liria e shprehjes nuk mund të shuhet asnjëherë, as nga një celulë ekstremiste. Kush është Bosch Fawstin? Nuk dihet emri origjinal i tij, por ai thotw se është rritur në një familje shqiptare të fesë myslimane. Është djali i dy emigrantëve, të cilët u vendosëm përfundimisht në Amerikë një viti para se të lindte ai.

Mediat amerikane theksojnë se Fawstin, ish-mysliman, ka fituar çmimin prej 12.500 dollarë për një karikaturë, e cila nuk është publikuar nga shumë media. Organizatorët e konkursit thonë se nuk e dinë se ku ndodhet. Një organizatë që gjurmon grupet e urrejtjes, thotë se faqja në internet e artistit shqiptar është e mbushur me urrejtje të shëmtuar ndaj myslimanëve.

Fawstin nuk ka dhënë ndonjë intervistë për mediat mirëpo në faqen e tij shkruan se është një gjë e sëmurë që të të thonë se nuk mund të karikaturosh një profet. Djali i dy emigrantëve shqiptarë, erdhi në jetë një vit pasi ata erdhën në SHBA. “Babai im e donte këtë vend, ai erdhi këtu që të ishte i lirë,” kujton Fawstin.

“Shkonim në xhami njëherë në vit, mbanin një Kuran në dhomën e ndenjes dhe nuk e lexonim kurrë,” thotë ai.  Sipas tij, pas 11 Shtatorit, pikëpamjet e tij rreth islamit ndryshuan në mënyrë radikale. Fawstin pranon se familja e tij nuk ka qenë shumë besimtare, por thotë se urrejtja për hebrenjtë, dashuria për Hitlerin dhe dhuna ndaj grave ishte e pranishme. Ai i lidh këto me Islamin dhe thotë se 11 Shtatori e ndryshoi përgjithmonë.

Dy vetë u vranë të dielwn në darkë duke u përpjekur të sulmojnë ekspozitën ku mbahej konkursi. Bosch Fawstin ka botuar vetë një libër me karikatura “The Infidel” (I pafe) ku shpreh ndjenjat e tij për Islamin në një histori, në të cilën dy vëllezër përballen me njëri-tjetrin, për shkak të pikëpamjeve thellësisht të kundërta për besimin dhe fanatizmin fetar.

Gjatë intervistës, Bosch Fawstin (nuk përmend prejardhjen shqiptare, por vetëm fenë e familjes) akuzon qeveritë amerikane të George W. Bush dhe Barack Obama se ua kanë fshehur amerikanëve natyrën e vërtetë të Islamit duke këmbëngulur se është fe paqësore në vend që t’i ndërgjegjësojnë se bëhet fjalë për një fe që nuk reformohet dot dhe që është nga natyra ekstremiste.

Misionin e tij artistik ai e cilëson si një denoncim të aspektit agresiv të fesë myslimane. Bosch Fawstin i lidh të gjitha këto akte vetëm me fenë dhe botën myslimane dhe se ngjarja e 11 shtatorit të vitit 2001 ishte shtysa më e madhe që ai të merrte këtë rrugë.

Me guximin e tij ai arriti të fitojë për idenë e tij karikaturën e profetit Muhamed, për të cilën në janar u ekzekutuan 12 persona brenda redaksisë së ”Charlie Hebdo”, në Paris. “Për të nderuar ata që kanë vdekur për lirinë e fjalës, unë do e ngre stilolapsin tim në ajër, e kam vënë atë në letër dhe po vizatoj Muhamedin”, është shprehur ai menjëherë në Facebook pas sulmit të gazetës franceze“Charlie Hebdo”.

ISIS merr përgjegjësinë për të shtënat në Teksas

Ekspozita që u zhvillua ditën e diel në Garland të Teksasit, ku karikatura e artistit shqiptaro-amerikan fitoi çmimin e parë dhe u vlerësua me 12.5 mijë dollarë organizohej nga një grup që konsiderohet anti islamik në këtë shtet. Kjo ekspozitë u pasua edhe me ngjarje të mëtejshme. Dy persona të armatosur qëlluan me armë automatike në drejtim të oficerit të paarmatosur të kësaj ekspozite duke plagosur atë në këmbë. Nga hetimet e mëtejshme të policisë amerikane personat janë kategorizuar si pjesëtarë të ISIS-it. Autoritetet në Teksas kanë identifikuar dy sulmuesit, përkatësisht Elton Simpson dhe Nadit Soofi, të cilët janë nga Arizona.

Grupi islamik ISIS ditën e djeshme ka marrë përgjegjësinë për të shtënat në këtë ngjarje duke e cilësuar si sulmin e tyre në tokën amerikane kundrejt karikaturës së profetit Muhamed. Në një mesazh të transmetuar nga radioja e të ashtuquajturën “Shtet Islamik”, me bazë në Mosul, Irak ata kanë deklaruar ditën e djeshme se dy ushtarët që qëlluan në Teksas janë pjesëtarë të tyre, të cilët i kanë quajtur “dy ushtarët e kalifatit”. Në rrjetet sociale, profilet e të cilave drejtohen nga militantët e ISIS-it, nëpërmjet statuseve të tyre, ata kanë përshëndetur veprimet e dy militantëve në Teksas, duke i cilësuar ata si ushtarë të denjë.

Po kështu në këtë transmetim ata i kanë drejtuar edhe një mesazh shtetit amerikan në lidhje me këtë ngjarje. “Ne i themi Amerikës se çfarë do vijnë në të ardhmen do të jenë edhe më të mëdha dhe më të hidhura, dhe se ju do të shihni ushtarët e ISIS-it duke bërë gjëra të tmerrshme”, thanë ata gjatë transmetimit. Policia e Teksasit ka konfirmuar  për gazetën britanike “The Indipendent” se policia ka reaguar ndaj dy agresorëve për shkak se ata kanë gjuajtur më armë zjarri. Zëdhënësi i policisë së Teksasit, Garland Joe Harn tha se vdekja e dy personave erdhi si rezultat i një shkëmbimi zjarri, por se nuk kishte qëllim për të shtëna vdekjeprurëse. Po kështu ai ka deklaruar se një incident i tillë ishte nuhatur paraprakisht dhe se policia dëshironte vetëm ta parandalonte atë.

Karikatura e profetit Muhamed është parë si shumë fyese nga myslimanët. Për këtë ngjarje ka reaguar edhe “Organizata Myslimane e SHBA-së”, ku ka dënuar këtë sulm. “Karikatura ishte shumë fyese për besimin tonë”, kanë deklaruar ata. Për këtë ngjarje të rëndë organizatorët e kësaj ekspozite kanë deklaruar se thjesht dëshironin të  promovonim lirinë e shprehjes.

Organizuesja dhe themeluesja e kësaj ekspozite të quajtur “AFDI”, Pamela Geller ka mohuar qëllimet  provokative apo kundra islamofobisë në këtë event. Ajo tha për “CNN” se të shtënat treguan se, nevoja për konferenca të tilla është madhe dhe aq më tepër që këtë fituesi është një ish-mysliman.

Provokuesja Geller dhe fama e saj

Për myslimanët, çdo vizatim i Profetit Muhamed konsiderohet sakrilegj. Konkursi i fundjavës në Garland të shtetit Teksas me fokus tek Profeti Muhamed, duket qartë se ka ofenduar shumë besimtarë myslimanë. Gruaja që organizoi konkursin ka dalë si aktivistja kryesore anti-myslimane në Shtetet e Bashkuara. Pamela Geller u bë e enjohur gjatë protestave kundër propozimit për ndërtimin e xhamisë në qytetin e Nju Jorkut, pranë vendit ku ndodhën sulmet terroriste të 11 shtatorit.

Në një intervistë të mëvonshme për Zërin e Amerikës, ajo tha se Islami ishte fe e dhunshme. “Duhet të jemi më të sinqertë rreth xhihadid dhe doktrinës së tij.” Reklamat anti-myslimane, të shfaqura në stacionet e metrosë së Uashingtonit dhe Nju Jorkut në vitin 2012, u sponsorizuan nga organizata e saj, Nisma Amerikane për Mbrojtjen e Lirisë.

Oren Segal me Ligën Kundër Shpifjeve thotë se me aktivetet e saj Geller përpiqet të mbjellë frikë. “Ajo dhe organizata e saj janë në thelb fanatikë anti-myslimanë.” Zoti Segal shkroi në Twitter se pavarësisht sa të neveritshme janë pikpamjet e Pamela Geller-it, asgjë nuk justifikon sulmin ndaj konkursit të karrikaturës në Teksas.

Ajo organizoi konkursisn pas masakrës në revistën pariziene që publikoi karrikatura të Profetit Muhamed. Megjithëse Geller është izraelite, shumë organizata hebraike i dënojnë pikpamjet e saj siç ëshë edhe Liga Kundër Shpifjeve. “Ajo përpiqet ta portretizojë veten si mbështetëse të Izraelit, por komunitetit hebre në Amerikë nuk është monolit.

Ka disa që ndoshta i pranojnë pikpamjet e saj, dhe të tjerë si Liga Kundër Shpifjeve që i kundërshton synimet e saj që denigron një fe të tërë”. Por zoti Segal e pranon se sulmi në Teksas do të ushqejë pikëpamjen e saj se feja Islame përbën kërcënim për Amerikën.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama