Kurthi kushtetues

Kurthi kushtetues

Shqiptarët sot gjenden brenda një Kushtetute që nuk është ajo që ata votuan në vitin 1998. Kushtetuta është ndryshuar disa herë nga krerët e politikës, në vitin 1998. Kushtetuta është ndryshuar disa herë nga krerët e politikës, pa denjuar të marrin parasysh as pëlqimin e qytetarëve, as atë të opinionit publik apo atij akademik. Ndryshimet kushtetuese dhe ato ligjore që pasuan, shkojnë nga një anë drejt përqendrimit të pushtetit në pak duar dhe, nga ana tjetër, drejt mbylljes të sistemit për qytetarët.


Hartuesit e Kushtetutës dhe miqtë e Shqipërisë, të ndërgjegjësuar për papërgjegjshmërinë e klasës politike që solli kolapsin e vitit ’97, ku u desh ndërhyrja e ushtrive perëndimore për të sjellë paqen në vend, kishin vetëm një merak: shmangien me çdo kusht që pushteti të binte në pak duar, në mënyrë që ai të ngrihej mbi baza konsensuale dhe i kontrollueshëm nga qytetarët.


Institute si zgjedhja konsensuale e Presidentit të Republikës do ishte garanci e një Magjistrature dhe institucione të tjera të pavarura; ligjet më të rëndësishme do kalonin me shumicë të cilësuar; sanksionimi i transparencës si një parim i rëndësishëm kushtetues; mundësia e referendumeve dhe nismave ligjvënëse si mundësi që qytetarët të angazhoheshin kundër inercisë së legjislatorit.


Zgjedhja e Presidentit nga partia e radhës i dha lamtumirën shpresës për konsensus politik dhe, bashkë me të, ëndrrës për ndarje të pushteteve, pavarësi të Gjyqësorit, universiteteve, diplomacisë, Ushtrisë etj.


Flirtimi i radhës i dinozaurëve të politikës polli brenda natës ndryshime kushtetuese, që paralizonin proceset demokratike në vend. Hartimi i listave të mbyllura për kandidatët rriste akoma dhe më shumë autoritarizmin ekzistent në ato parti dirigjenciale që nuk u bënë kurrë demokratike. Dekonstitucionalizimi i KQZ-së dhe militantizmi i saj, hartimi i një Kodi Zgjedhor përjashtues ishin pjesë e të njëjtit vizion, goditjen e pluralizmit në vend, dhe marrjen në kontroll të të gjitha formave të pushtetit.


Pjesë e këtij vizioni autokratik është në radhë të parë përjashtimi i qytetarëve dhe nismave të tyre nga proceset vendimmarrëse apo kontrolluese. Vështirësia titanike procedurale, përveç atyre ligjore dhe financiare për mbledhjen e firmave për referendume apo kandidatë të pavarur, ka për synim të dekurajojë çdo zë ndryshe, që nuk dëshiron të kooptohet prej klasës politike të tranzicionit. Mospasja e një ligji për referendumet, nismave ligjore popullore, peticioneve apo ligji gjysmak dhe i pazbatueshëm mbi transparencën i aktivitetit shtetëror është pjesë komplementare e këtij vizioni autoritar.


Po në këtë drejtim shkon dhe “harresa” për ligjin për votimin e emigrantëve. Shqiptarët jashtë Shqipërisë nuk duhet të votojnë, megjithëse përbëjnë gjysmën e sovranitetit popullor dhe kontribuojnë financiarisht, thjesht sepse përbëjnë rrezik për statuskuonë e politikës, sepse për nga natyra janë më kritikë ndaj sistemit, ngaqë bëjnë lehtë krahasimin me vendet ku jetojnë; nuk bien pre as e propagandës së përditshme, as dhe ndaj frikës së vendit të punës apo joshjes në kushtet e mbijetesës.


Klasa politike shqiptare vuan reminishencën e regjimit monist ku e sheh të drejtën dhe Kushtetutën si një lojë që luhet brenda pallatit të pushtetit dhe jo si një metër legjitimimi para qytetarëve. Ndërsa mentaliteti totalitar komunist i trajtonte individët si nënshtetas, demokratura e tranzicionit i trajton njerëzit si spektatorë dhe jo si qytetarë. Rezultati është i njëjtë, qytetarët mund të “llomotisin”, por nuk duhet të kenë instrumente për të kontrolluar dhe influencuar politikëbërjen në vend.


Ky proces de-demokratizimi i shtetit shqiptar ka si qëllim kryesor kontrollin e çdo mekanizmi llogaridhënës të politikës para qytetarëve. Të drejtat politike të qytetarëve asgjësohen kur ato nuk arrijnë të organizohen dhe të formojnë trupa të ndërmjetëm midis superpushtetit shtetëror dhe lirive të individëve. Pushtetmbajtësit e Republikës së tranzicionit ndërsa nuk ndalojnë dot liritë individuale, si është e drejta e fjalës dhe shprehjes së mendimit, “përkujdesen” që ato të mbeten thjesht individuale, nëpër kafene, pa u transformuar në ide dhe presione ndaj politikës aktuale.
Kontrolli indirekt i medias private me favore të ndryshme politike dhe kontrolli direkt i medias shtetërore ka për qëllim uzurpimin e çdo hapësire publike mediatike, duke kontrolluar dhe pilotuar kështu qarkullimin e ideve në vend. Strukturat e pushtetit nuk duan të kenë asnjë formë kontrolli nga organizma të tjerë. Kjo bëhet ose duke delegjitimuar hapur organizma ligjorë siç janë sindikatat, ose duke manipuluar organizmat e tjerë shoqërorë, siç është shoqëria civile. Krijimi dhe promovimi i dhjetëra OJQ-ve prej pushtetit uzurpon kështu dhe atë hapësirë, ku njerëz dhe ide alternative mund të përbënin rrezik për vazhdimin e statuskuosë.


Duke bllokuar këto kanale, qytetarëve nuk u mbetet mënyrë tjetër për t’u organizuar, veçse partive politike. Kanal ky në kontroll të plotë të pushtetit, ku nuk diskutohen më ide, por lavdërohet njëshi dhe rekrutohen dishepuj dhe aspirantë të plaçkitjes publike. Në këtë mënyrë, funksionimi antidemokratik dhe klientelist i partive injektohet në sistemin shtetëror duke përjetësuar këtë elitë politike.


Shqiptarët sot gjenden brenda këtij sistemi, të cilin as nuk mund ta ndryshojnë dot, sepse janë përjashtuar nga mundësia për të ndryshuar Kushtetutën. Për këtë arsye, beteja për normalizimin e vendit nuk është thjesht betejë emrash me rotacion, por betejë për të ndryshuar këtë sistem që përjetëson tranzicionin antidemokratik dhe mban larg energjitë njerëzore për ndryshimin e vendit.


Historia botërore, por dhe ajo shqiptare, na mëson së nëse sistemi mbyll të gjitha kanalet e vendimmarrjes, qytetarët herët a vonë ndërgjegjësohen dhe mund të organizohen në forma të tjera, që jo gjithmonë janë paqësore dhe të pëlqyeshme për pushtetin.


*PhD në Shkencat Juridike, Universiteti La Sapienza, Itali


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama