Por, pak minuta para vetëdorëzimit, ai ka bërë një deklaratë publike se kjo është vetëm një strategji lufte që po bëhet ndaj bizneseve të tij. Gjithashtu, ai ka dërguar edhe një letër në një nga agjencitë e lajmeve më të njohura në Itali, duke rrëfyer pozicionin e tij dhe bizneseve në zotërim.
Vetëdorëzimi në polici
Policia e Tiranës deklaroi zyrtarisht se Taçi u dorëzua pa kundërshtuar vendimin e drejtësisë. "Në orën 16.00 të së enjtes u vetëdorëzua në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë shtetasi Rezart Mustafa Taçi, 38 vjeç, lindur në Ersekë dhe banues në Tiranë, me detyrë president i kompanisë "Taçi Oil", deklaroi zëdhënësja e Policisë së Tiranës, Alma Katragjini. Sipas saj, ndaj tij, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë me vendim Nr. 930, ka vendosur në mungesë masën e sigurisë "arrest në burg", për konsumim të veprës penale të "goditjes për shkak të detyrës e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 237 dhe 25 të Kodit Penal. "Ky shtetas akuzohet se më datë 3 nëntor 2009, në bashkëpunim edhe me dy shtetas të tjerë, të cilët ndodhen të arrestuar, dyshohet se kanë goditur me grushte në ambientet e brendshme të një lokali, gazetarin Mero Baze. Për shtetasin Rezart Mustafa Taçi u ekzekutua vendimi i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Deklarata e Taçit
Pak minuta para vetëdorëzimit në polici, bosi i kompanisë së prodhimit të naftës ARMO, Rezart Taçi, ka deklaruar se ndaj tij e bizneseve që disponon, prej kohësh po zbatohet një strategji lufte. Në një deklaratë para mediave, i kërkuari prej ditësh nga policia, Rezart Taçi, ka hedhur poshtë akuzat për ushtrim dhune ndaj gazetarit Mero Baze, duke deklaruar se nuk është në edukatën e tij dhe të familjes përdorimi i dhunës. "Jam i gatshëm të respektoj në çdo moment, çdo instancë ligjore dhe në rastin konkret vendimin e Gjykatës së Rrethit Tiranë, por nuk mund të mos shpreh bindjen time të plotë se e gjitha kjo situatë është rezultat i një strategjie dhe lufte të filluar shumë kohë më parë ndaj personit tim dhe bizneseve që unë zotëroj. Dua të theksoj faktin se nuk është në edukatën dhe formimin tim personal përdorimi i dhunës ndaj askujt dhe për më tepër ndaj përfaqësuesve të mediave, prandaj hedh poshtë të gjitha akuzat e ngritura ndaj personit tim. Sapo rashë në dijeni të vendimit të gjykatës vihem në dispozicion të drejtësisë dhe shpreh bindjen se rasti në fjalë do të trajtohet në bazë të ligjit", u shpreh Taçi.
Letra te "TGcom"
Edhe në një letër drejtuar agjencisë së lajmeve "Tgcom" Rezart Taçi deklaroi se nuk është përfshirë në asnjë zënkë me Mero Bazen. "Duke iu referuar akuzave të pavërteta dhe të sajuara, ngritur ndaj meje nga z. Mero Baze (gazetar), rreth ngjarjes që këtij të fundit i ka ndodhur në Tiranë më datë 2 nëntor 2009 dhe sipas çfarë kam dëgjuar dhe lexuar mbi ngjarjen nga organet e ndryshme informative që kanë përcjellë komplet të papërgjegjshme dhe pa verifikuar burimet e informacionit, deklaroj me përgjegjësi të plotë si më poshtë: Nuk kam pasur kurrë dhe në asnjë moment konflikt fizik me z. Mero Baze; gjatë gjithë jetës sime dhe të kaluarës sime profesionale prej sipërmarrësi kam vepruar gjithnjë me respektin më të madh, konsideratë dhe në mënyrë konstruktive e paqësore me të gjithë bashkëpunëtorët e mi, partnerët (kombëtarë dhe ndërkombëtarë) e persona të tretë, pa dhunuar kurrë edhe në situata të vështirësive të mëdha, integritetin fizik apo moral të askujt, aq më tepër të gazetarëve apo të mediave në përgjithësi, edhe kur këta të fundit kanë qenë veçanërisht kritikë kundrejt personit tim, punës sime apo bizneseve të mia. Në këtë aspekt, jam thellësisht respektues i parimeve të lirisë së shtypit dhe informacionit (si e drejta për të informuar dhe për t‘u informuar)", shprehet në letër Rezart Taçi.
Më tej, ai shprehet se "mendoj se akuza me të cilën, duke publikuar vazhdimisht lajme dhe informacione të pabazuara e të paverifikuara, po kërkohet të njolloset imazhi im dhe ai i bashkëpunëtorëve të mi, nuk është tjetër veç një strategji rrënuese, që ka për qëllim final njollosjen e imazhit të ndërmarrjes që kam nderin të drejtoj dhe prezantoj në botë me detyrën e Presidentit. Refuzoj në mënyrë kategorike dhe me indinjatë këto akuza të ulëta dhe garantoj se do të jem i gatshëm të përballem me çdo shpifje ndaj meje përpara drejtësisë së vendit tim. Kam deleguar avokatët e mi të shqyrtojnë të gjitha mundësitë ligjore dhe institucionet përkatëse për të mbrojtur dhe çliruar nga këto akuza e shpifje të ulëta imazhin dhe reputacionin tim personal dhe profesional", përfundon Rezart Taçi.











