TKOB hap sezonin e ri me drejtor te ri artistik

TKOB hap sezonin e ri me drejtor te ri artistik

Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit ka publikuar kalendarin e ri artistik shtator-nëntor 2015. Risi, përveç premierave dhe të ftuarve ndërkombëtarë, është edhe drejtori i ri artistik për baletin,  balerinin e mirënjohur me karrierë ndërkombëtare, Astrit Zejnati

 

Pjesë e kalendarit të ri artistik do të jenë disa premiera shumë të rëndësishme, produksione të mëdha dhe sigurisht që nuk do të mungojnë artistë të ftuar, shumë të njohur.

Baleti Carmina Burana, një produksion madhështor, do të shfaqet për publikun premierë në fillim të tetorit. Baleti do të sjellë në Tiranë koreografin e njohur hungarez, Youri Vamos, i njohur për audiencën me versionet tepër interesante që u ka bërë veprave më të njohura klasike. Duke i qëndruar gjithmonë besnik kësaj trashëgimie, ai ka prezantuar gjithmonë subjekte tradicionale dhe kjo ka qenë një nga arsyet e suksesit të tij. Ky produksion, i cili organizohet në bashkëpunim me ambasadën gjermane, do ta këtë premierën në datën 3 tetor, me rastin e Ditës së Bashkimit të Gjermanisë.

Një tjetër premierë baleti do të sjellë sërish në Tiranë koreografin e mirënjohur tashmë edhe nga publiku shqiptar, Angjelin Preljocaj. Këtë herë trupa e baletit do të interpretojë një pjesë koreografike moderne, të titulluar “Noces” – Dasma, një pjesë, e cila përsëri dëshmon për ndikimin e thellë të kulturës dhe traditave shqiptare dhe ato ballkanike në krijimtarinë e koreografit. Dasma, e cila shihet si një zakon ballkanik, shpaloset si një tragjedi e çuditshme. Në qendër është nusja, e cila nuk është e pranishme gjatë festimeve. Ajo kalon nga një familje në tjetrën ashtu si një monedhë, e cila kalon nga një pronar në tjetrin. Ajo do të shfaqet vetëm në momentin e fundit dhe do të ecë ngadalë, me sytë mbushur me lot si në një marsh funebër, me të gjithë sytë e ngulur tek ajo, duke dëshmuar pas vellos një dramë që nuk mund të injorohet.

Nuk do të mungojë repertori operistik, i cili zë edhe vendin e parë në preferencat e publikut. Në mes të shtatorit do të kemi premierën e operës “Don Giovanni” të Moxart, e cila edhe një herë do të mbledhë artistët e TKOB-së me artistë të tjerë të huaj, për të sjellë një shfaqje të bukur dhe me cilësi të lartë artistike.

Gjatë muajit tetor dhe nëntor do të rikthehen sërish për publikun opera, të cilat janë tashmë pjesë e repertorit të TKOB, Pagliacci dhe La Boheme, të cilat u pritën shumë mirë nga publiku sezonin e kaluar.

Repertori koncertor, gjithmonë i pasur edhe i larmishëm, do të jetë i tillë edhe në muajt në vazhdim. Kompozitorë të njohur botërorë do të vijnë të interpretuar nga artistë shqiptarë dhe të huaj.

Ansambli Popullor do të sjellë si gjithmonë këngët dhe vallet e folklorit tonë të pasur. Përveç koncerteve, të cilat janë tashmë pjesë e repertorit, Ansambli do të paraqitet me një koncert premierë me rastin e festave të nëntorit, të titulluar “Rruga e gjatë e historisë”.

Shumë e rëndësishme për të përmendur është edhe turi qe trupa jonë e baletit do të ketë përgjatë dy javëve në muajin dhjetor, në disa qytete të Italisë, me baletet “Coppelia”, “La Stravaganza” dhe “La Syplphide”, me koreografi të Angjelin Preljocajt dhe Ilir Kernit.

Ditën e mërkurë, TKOB organizon një konferencë për shtyp, për të folur për programin e ri artistik si dhe për të prezantuar drejtorin e ri artistik për baletin, Astrit Zejnati.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama