Sopranoja e njohur shqiptare Ermonela Jaho është shpallur fituese e International Opera Awards. Sopranoja me famë botërore ishte e nominuar në kategorinë Reader`s Award, dhe arriti të triumfonte mes shumë figurave të shquara të artiti rus dhe latin.
Me votat e marra nga e gjithë bota, Ermonela Jaho u kurorëzua si fituesja e International Opera Awards. Ky çmim, që mund të quhet si “Oscar”-i i Operës Botërore, i është dhënë yllit shqiptar të muzikës operistike, gjatë ceremonisë së ndarjes së çmimeve të zhvilluar mbrëmjen e së dielës në Teatrin Savoy të Londrës.
Lajmi për fitoren e Ermonela Jahos është bërë me dije nga faqja zyrtare e International Opera Awards në Twitter, ku thuhet se fituesja e vitit 2016, është sopranoja e njohur shqiptare.
“Çmimi i Publikut në Opera Awards 2016 është, e jashtëzakonshmja Ermonela Jaho”, shkruan The Opera Awards.
We caught with @ErmonelaJaho in rehearsal this afternoon #OperaAwards2016 pic.twitter.com/N4523osP4H
— The Opera Awards (@TheOperaAwards) May 15, 2016
Ajo mposhti konkurrencën e fort të yjeve si: Danielle De Niese, Joyce Di Donato, Michael Fabiano, Gerald Finley, Juan Diego Flórez, Dmitri Hvorostovsky dhe Eva-Maria Westbroek.
Me rastin e ndarjes së çmimeve Ermonela Jaho interpretoi “Un Bel Di” nga Madama Butterfly.
Pas fitores, sopranoja shqiptare ka falenderuar admiruesit e saj nëpër botë për mbështetjen që i dhanë.
"Dua te falenderoj te gjithe admiruesit e artit tim neper bote dhe vecanerisht ne Shqiperi per mbeshtetjen dhe dashurine.....Kushdo qe i dedikon jeten pasionit te tij eshte gjithmone fitues... Ju dua te gjitheve," shkruan Ermonela në Facebook.
Drejtori i TKOB Ilir Kërni ka komentuar i gëzuar në Facebook fitoren e Jahos.
"E mori! Ermonela Jaho the best in the ëorld! Sapo iu dha çmimi nga International Opera Awards. Më në fund një shqiptare fiton OSKAR-in e operas. Gëzoni me mua njerëz, shkruan Kërni.