60-vjetori i Teatrit te Operes?! Perplasje per themelimin data e artisteve apo shtetareve

60-vjetori i Teatrit te Operes?! Perplasje per themelimin, data e artisteve apo shtetareve

27 nëntor 1953 apo 7 shtator 1956?! Konfuzitet mes njerëzve të artit për datën e themelimit të Teatrit të Operës dhe Baletit; një palë e lidhin me vënien e parë në skenë të operës, dhe të tjerë me një vendim të Këshillit të Ministrave, që shikohet si fakt historik. Muzikologu Vaso Tole e pranon se këto ditët e fundit është krijuar një situatë e paqartë në lidhje me datën e krijimit të institucionit të Operës dhe Baletit në Shqipëri

27 nëntor 1953 apo 7 shtator 1956?! Konfuzitet mes njerëzve të artit për datën e themelimit të Teatrit të Operës dhe Baletit; një palë e lidhin me vënien e parë në skenë të operës, dhe të tjerë me një vendim të Këshillit të Ministrave, që shikohet si fakt historik

Muzikologu Vaso Tole e pranon se këto ditët e fundit është krijuar një situatë e paqartë në lidhje me datën e krijimit të institucionit të Operës dhe Baletit në Shqipëri

Tole është në një anë kur sqaron se vënia në skenën shqiptare e operës së parë (opera “Rusallka” e Dargomirskit), premiera e së cilës u mbajt më 27 nëntor 1953, në Tiranë, shërbeu si fakt për konsiderimin e drejtë të kësaj date historike edhe si datë themeluese e institucionit të Operës në Shqipëri. “Kjo premiere ishte prova publike se artistët shqiptarë (këngëtarët lirikë, orkestra, kori, baleti dhe sektorët ndihmës), ishin maturuar artistikisht e profesionalisht për këtë ditë.  Nga ana tjetër, nuk duhen ngatërruar dhe keqinterpretuar vendimet e mëpastajme, siç është rasti i VKM me nr. 376, datë 7 shtator 1956 “Mbi krijimin e drejtorive të institucioneve qendrore artistike”, të cilët e riorganizuan strukturën e institucionit të operës dhe baletit si drejtori, por kurrsesi nuk e themeluan atë nga fillimi. Ditëlindja e institucionit të OPERËS në Shqipëri mbetet data 28 nëntor 1953 dhe kjo datë është festuar dhe do të festohet si e tillë”, shkruan Tole në rrjetin e tij social, në ditën e djeshme duke vënë në dispozicion edhe tre foto arkivore që lidhen me interpretimin e artistes lirike Jorgjie Truja në rolin e Rusallkës, në vitin 1953, me dosjen e plotë me materialet arkivore të interpretimit të operës Rusallka, 1953, si dhe Vendimin e Këshillit të Ministrave, ku bëhet fjalë për krijimin e drejtorive të institucioneve qendrore artistike, kjo e fundit si duket vë “vulën” zyrtare, edhe pse flitet për raste të mëvonshme të datës së themelimit.

Me cilësinë e juristit Thomas Frashëri shkruan se “Një vepër operistike krijohet në skenë, një institucion artistik kombëtar me përgjegjësi administrative krijohet në Këshill të Ministrave. Teatri i Operës dhe Baletit është institucion i mirëfilltë administrativ dhe jo thjesht një bashkësi e koordinuar artistësh. Opera në Shqipëri mund të ketë shumë data, por TOB, si i tillë, ka vetëm 7 shtatorin 1956…”. Tole përgjigjet me faktin se si artistët dhe shtetarët në këto 63 vite jetë të operës (jo 60 vjet) është festuar po në datën që sugjeron ai.

Meri Kumbe, lektorja në fakultetin e muzikës, në Universitetin e Arteve, duke ndjekur këtë debat mbi sqarimin e datës themeluese shprehet se “Nga pikëpamja historike është e rëndësishme të sqarohen datat ekzakte të themelimit të institucioneve kombëtare. Është po aq e rëndësishme sa edhe vetë përpjekjet historike për të mbërritur deri te themelimi i tyre”.

Kështu, ndonëse në vitin 2013 është festuar 60-vjetori i Operës, para pak ditësh edhe kryeministri i vendit ka shprehur urimet për 60-vjetorin e këtij institucioni. Por me diferencën se në vitin 2013 është cilësuar si aktivitet në 60-vjetorin e jetës operistike shqiptare, ku edhe u shpjeguan diferencat mes dy datave.

Kështu opera “Traviata” e kompozitorit Xhuzepe Verdi është cilësuar si opera e parë që është vënë në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit në Tiranë, duke shënuar ditëlindjen e Teatrit lirik të Operës dhe Baletit. Por sipas shtypit periodik shqiptar, gjëgjësisht gazetës “Zëri i popullit”, kjo shfaqje është inskenuar në TKOB në dhjetor të vitit 1956.

Sipas dokumentit të nënshkruar nga Gogo Nushi, zëvendës/kryetar i Këshillit të Ministrave dhe Spiro Rusha, Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave ishte vendosur që të krijohen: Drejtoria e Teatrit Lirik të Operës dhe Baletit me 246 veta, Drejtoria e Teatrit të Dramës dhe Kukullave me 106 veta dhe Drejtoria e Estradës dhe e Filarmonisë së Shtetit me një kontingjent prej 150 vetash. Para krijimit të TKOB ishte vënë në skenë opera e parë në Shqipëri “Rusallka” e A. S. Dargomizhski, më 28 nëntor të vitit 1953, ngjarje kjo e rëndësishme në lëmin e artit dhe të kulturës.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama