Torturat cnjerezore ne burg prokuroria greke kerkon denimin e gardianeve

Torturat cnjerezore ne burg, prokuroria greke kerkon denimin e gardianeve

Prokuroria greke ka kërkuar shpalljen fajtor dhe dënimin me burg për gardianët e burgut që torturuan deri në vdekje të burgosurin shqiptar Ilia Kareli. Gardianët grekë, të akuzuar për torturimin e të burgosurit shqiptar, Ilia Kareli, duhet të shpallen fajtorë. Ky është vendim i  prokurores, shqiptuar gjatë procesit gjyqësor që po zhvillohet në gjykatën e Selanikut. Sipas saj, duhet shpallur fajtor edhe ish drejtori i burgut, që akuzohet për marrje në mbrojtje të kriminelëve.
 
Prokurorja ka argumentuar se gardianët e kanë torturuar në mënyrë barbare Ilia Karelin, por ka theksuar se nuk ishin torturat që shkaktuan vdekjen e të burgosurit shqiptar. Duke u mbështetur në deponimin e mjekut ligjor, prokurorja tha se Ilia Kareli e humbur jetën për shkak të një ataku kardiak, simptomat e të cilit ishin shfaqur para se ai të transferohej në burgun e Nigritas.
 
Në pretencën e saj, prokurorja ka përshkruar me detaje gjithçka që ndodhi në mars 2014, duke iu referuar sa dëshmive të marra gjatë procesit të hetimit, aq edhe materialeve audiovizive nga burgu i Nigirtas. Prokurorja tha se i burgosuri, në momentin e mbërritjes në këtë burg, ecte normalisht, pa treguar se ka ndonjë problem”. Mirëpo, ka theksuar prokurorja, diametralisht e kundërt ishte pamja e Karelit, pak orë më vonë, ku duket qartë se si ishte “i drobitur, i dërrmuar, që zvarritej duke u mbajtur nga krahët”.
 
Prokurorja tha se torturimi i Karelit ishte një akti “sistematik dhe i qëllimshëm”, si “ndëshkim” për humbjen e kolegut të tyre që u vra nga i burgosuri shqiptar në burgun e Malandrinos. Ajo shtoi se Kareli ishte goditur në mënyrë të dhunshme dhe barbare në qelinë e pritjes, e cila nuk kishte sistem survejimi me kamera.
 
Duke iu referuar shkaqeve të vdekjes se Ilia Karelit, prokurorja tha ndër të tjera se ai vuante nga zemra, rrjedhimisht ishte i ekspozuar.
 
ndaj një incidenti kardiak. Sipas saj, ngjarja në Malandrino dhe stresi psikologjik dhe fizik që pasoi, ishin “detonatori i problemit kardiak”. Prokurorja ka ndryshuar akuzën fillestare ndaj gardianëve. Nga “tortura të një rasti të veçantë me rezultat vdekjen e personit”, në “kryerje torturash”. Në aktkauzën e lexuar më 4 janar 2016, kur filloi procesi, thuhej se si rezultat i torturave, “Karelit iu shkaktuan hematoma dhe një frakturë në kafazin e kraharorit.

Kjo frakturë dhe torturimi sistematik, ishin në gjendje për të sjellë, pak orë më vonë, vdekjen e Ilia Karelit”, konkludonte aktakuza e atëhershme. Tani, ndryshimi i akuzës, ndryshon edhe masën e dënimit për të pandehurit. Ndërsa në rastin e parë ata do të mund të dënoheshin me burgim të përjetshëm, në rastin e dytë dënimet shkojnë nga 5 deri në 20 vjet. Gjithsesi, procesi gjyqësor do të vazhdojë më 4 tetor, kur do të dëgjohen avokatët mbrojtës të 13 gardianëve të pandehur. Ilia Kareli ishte emri me të cilin njihej në Greqi shtetasi shqiptar Kudret Kume.

Më 25 mars 2014, i ndodhur në gjendje amoku, Kareli goditi për vdekje me thikë gardianin e burgut Malandrinos, Jorgos Tsironis. Dy ditë më vonë, ai u dërgua në burgun e Nigritas, prej nga doli vetëm i vdekur.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama