Festivali Anadrinia Jehon ruan trashegimine shqiptare

Festivali 'Anadrinia Jehon', ruan trashegimine shqiptare

Në fshatin Dejnë të Rahovecit, ka nisur edicioni i 15-të i Festivalit folklorik "Anadrinia Jehon 2016", ku po marrin pjesë ansamblet folklorike nga e gjithë treva shqiptare.

Drejtori i Drejtorisë për Kulturë , Rini dhe Sport, Gardalin Shtavica, potencoi se Festivali " Anadrinia Jehon 2016", tash e 15 vite ruan traditën e trashëgimisë së muzikës folklorike të mbarë trojeve shqiptare, lashtësia e cila vazhdohet të pasqyrohet ende.

Vajdin Berisha , kryetar i degës së OVL në Rahovec, thotë se ky festival madhështor mbahet në kuadër të Javës së Dëshmorëve, dhe nuk është e rastësishme që përshëndetjet fillojnë nga familjarët e dëshmorëve, sepse ata janë më meritorët për inisiativën e mbajtjes të këtij festivali madhështor, i cili do të mbijetoj edhe shumë vite e dekada.

Kryetari Idriz Vehapi, i cili edhe e shpalli të hapur festivalin tha se me këtë ngjarje tashmë identifikohet komuna e tyre.

“Ky festival tashmë i përmbush 15 vjet jete, i cili na sjell një trashëgimi të lashtë të kombit shqiptar, gjithë ato të bëma, doke, zakone dhe traditë kulturore përmes folklorit burimor dhe autokton dhe na sjell frymën e të parëve tanë. Përmes festivalit, i cili mbahet në kuadër të Javës së Dëshmorëve, ne i kujtojmë edhe dëshmorët të cilit kanë rënë për liri, dhe përkujtimet janë traditë e jona”, tha Vehapi

Sipas një komunikate të Komunës së Rahovecit, festivalin e kanë hapur SH.KA. " Anadrinia " nga Dejni nikoqir dhe SH.K.A. " Rahoveci", ndërkaq natën e parë në konkurrencën garuese janë paraqitur me programet e tyre SH.K.A. " Shqiponja " nga Saraji i Shkupit, SH.K.A. " Ardhmëria " nga Gjakova dhe SH.K.A. " Isa Boletini " nga Rogova e Hasit .

Të gjitha paraqitje i vlerëson juria në përbërje të Dilaver Kryeziu koreograf, Sami Piraj kompozitor, dhe Zymer Neziri folklorist.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama