Kishte mesatare 9.63 por fitoi vetem ne Kamze. Gjithcka nisi pas nje interviste ne TV

Kishte mesatare 9.63, por fitoi vetem ne Kamze. Gjithcka nisi pas nje interviste ne TV

Xhoiel Rica kallëzoi pak ditë më parë në polici se dikush i kishte vjedhur të dhënat personale duke ndërhyrë në sistemin e Ministrisë së Arsimit për vendosjen e preferencave të saj. Ajo tregon se ka një mesatare 9.63, por kjo nuk i ka mjaftuar që të fitojë një degë në Universitetin e Tiranës për shkak të ndërhyrjeve që dikush sipas saj ka bërë në sistem. Për çudi, vajza ka dalë fituese në 10 degë të Universitetit Bujqësor në Kamzë.

18-vjeçarja rrëfen për “Gazeta Shqiptare” se nuk kishte aplikuar asnjë degë në Universitetin Bujqësor, por kishte dalë fituese në 10 degë të këtij universiteti. Ndërkaq, në kallëzimin e bërë në polici, vajza, e cila ka mbaruar në gjimnazin “Sami Frashëri”, ka deklaruar se ishte me mesatare 9.63 dhe sipas përllogaritjes së AKP¬së ishte me 9.15.

Xhoiel, një javë më parë ju keni kallëzuar në polici se ju kanë ndërhyrë në sistemin e regjistrimit dhe aplikimit pranë Agjencisë Kombëtare të Provimeve, në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit. Si e zbuluat këtë gjë?

Në datën kur u hapën aplikimet për raundin e dytë, kam dhënë një intervistë në një televizion. Gjatë intervistës bëra një improvizim se si mund të aplikoje në raundin e dytë, por nuk bëra asnjë aplikim në të vërtetë. Nisa vetëm mënyrën se si do të bëhej aplikimi dhe më pas i bëra “log out”. Aplikimin e kam bërë në darkë, në shtëpi. Prezente ishte edhe mamaja ime kur kam vendosur 10 preferencat e mia në fakultetin Ekonomik, Psikologji e disa të tjera në privat. Por, përderisa aplikimi ka qenë tri ditë i hapur, një person X ka hyrë në adresën time, ka fshirë të gjitha zgjedhjet që unë kam bërë, dhe të 10¬ta zgjedhjet i ka futur në Universitetin Bujqësor. Ndërkohë që unë nuk isha fare në dijeni për këtë gjë. Kur dolën përgjigjet e fituesve të raundit të dytë, tek universitetet që unë kisha përzgjedhur nuk figuroja fare si ID personale. Që do të thotë se unë nuk figuroja as si humbëse dhe as si fituese. Kam kontrolluar edhe te preferencat e tjera në privat, dhe as atje nuk figuroja.

Si veprove më tej?


Mami im ka marrë në telefon specialistët e AKP¬së dhe u ka thënë se ‘vajza ime ka bërë aplikimin dhe nuk figuron as fituese dhe as humbëse’. Pasi më morën të dhënat, na morën në telefon dhe i thanë nënës sime se ‘vajza i ka bërë zgjedhjet dhe ka dalë fituese në Universitetin Bujqësor, në të 10¬ta përzgjedhjet që ajo ka vendosur’. Aty sa nuk më ka rënë pika, pasi unë nuk kisha vendosur asnjë preferencë në Universitetin Bujqësor. Më pas kam hapur edhe një herë videon ku unë kam qenë në televizion, dhe aty jam bindur plotësisht se të dhënat e mia janë marrë prej andej. Videoja e kronikës që u transmetua në televizion ishte hedhur edhe në faqen zyrtare të Ministrisë së Arsimit dhe kushdo që mund të bënte pause në momentin që aty janë dhënë të dhënat e mia personale mund t’i merrte ato, pasi kamera e kishte fokusuar shumë afër. Në kronikë nuk mund të merreshin, sepse kalonte shpejt kjo pjesë, por në faqen e ministrisë po. Aty ishin të gjitha të dhënat e mia, si ID¬ja e Maturantit, ashtu edhe të dhënat e kartës së identitetit.

Çfarë mesatareje keni?


Kam mbaruar me mesatare 9.63.

Po në raundin e parë, a ishit fituese?


Po. Fitova në Anglisht, por nuk e doja atë degë dhe nuk u regjistrova, pasi bëra përllogaritjet dhe isha e bindur se do të kapja degët e tjera që unë preferoja.

Kush mendon se mund t’i ketë ndryshuar 10 preferencat e tua? Ke ndonjë person të dyshuar për këtë gjë?


Nuk e di se kush mund ta ketë bërë diçka të tillë, sepse edhe në shkollë nuk kam pasur probleme me ndonjë person që mund të ma bënte diçka të tillë. Por, mendoj se është punë inati, nga ndonjë person që ka dashur të më bëjë keq. Po me shoqërinë tuaj, e keni biseduar këtë problem dhe a mendoni se është ndonjë prej shokëve apo shoqeve të tua që mund ta ketë bërë diçka të tillë? Nuk besoj se është ndonjë prej shoqërisë sime, pasi me ta, por edhe me të tjerë, nuk kam konflikte që ata të arrinin të më bënin keq në këtë lloj forme. Nuk bëhet fjalë fare që të ketë dorë dikush nga shoqëria ime.

Ke biseduar më pas me specialist të AKP¬së për t’ua shpjeguar këtë situatë?


Po, kam biseduar dhe më kanë thënë se ‘e keni bërë vetë këtë zgjedhje dhe nuk mund t’ju ndihmojmë’. Më pas, i kam takuar dhe u vërtetua se më kanë hyrë në sistem. Kur shkuat në polici, çfarë ju thanë? Aty kam bërë një procesverbal me atë se çfarë më ka ndodhur dhe më thanë se do të gjendet se kush mund të ketë ndërhyrë në të dhënat e mia personale.

Cili është apeli juaj?


Policia dhe prokuroria të zbardhin sa më shpejt rastin tim dhe të identifikojnë personin që më vodhi të dhënat personale në sistem.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama