Faleminderit ju lutem... dhe prangat ne duar

Faleminderit, ju lutem... dhe prangat ne duar

Vendosja e kamerave në trupin e punonjësve të policisë, jep ‘efektet’ e para, ku prangoset një i ri që tenton të korruptojë efektivin dhe i hiqet patenta një avokati për tejkalim shpejtësie. Anët pozitive dhe negative të “videove online” të Policisë së Shtetit dhe reagimi i politikës.

Tashmë mos habitet kush kur efektivi i policisë të drejtohet që në frazat e para: “Të lutem…,  faleminderit”!

Ai po filmohet, gjithashtu edhe qytetari është në fokusin e një kamere të vogël, jo më e madhe se radiomarrëse dhënëse.

Monitorim online, dikush po ju vëzhgon.

Kjo po ndodh me kamerat e vendosura në trupin e efektivëve të policisë rrugore, asaj të Patrullave “Shqiponja”, apo edhe të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë.

Ministria e Brendshme publikoi dje dy video ku shfaqet një djalë i ri, që nën efektin e alkoolit, tenton të korruptojë punonjësin e policisë.

Për të u vendosën prangat në duar dhe do të akuzohet për drejtim të mjetit në gjendje të dehur dhe korrupsion aktiv.

Efektivi i policisë i kërkon t’i bëjë testin e alkoolit, por qytetari bashkë me dokumentet e zhubrosura, shkujdesshëm vendos një 20 mijë lekësh të vjetra, në mënyrë që polici ta lërë të lirë.

“Merre këtë, edhe të iki se në hotel do shkoj” -shprehet qytetari.

Nga hoteli për ku ishte nisur, përfundoi në komisariat që se kishte “parashikuar”, madje me dy akuza. Mjaft interesante është edhe një video e dytë.

Kësaj radhe personazh është një individ që vjen nga radhët e drejtësisë, ku prezantohet si avokat.

Kamerat kanë filmuar bashkëbisedimin mes policit dhe një drejtuesi mjeti, i cili thotë se është avokat. Pasi polici e ndalon për tejkalim shpejtësie dhe merr patentën, avokati e kërcënon me kallëzim penal, duke u habitur dhe shprehur vazhdimisht: “seriozisht e ke që më more patentën, do të të kallëzoj penalisht”.

Këta ishin dy “viktimat” para tendencës së re që efektivët e policisë që kanë kontakt të drejtpërdrejtë me qytetarët filmohen nga kamerat.

Të gjitha të dhënat dhe regjistrimi, kontrollohet nga salla qendrore operative në Policisë e Tiranës. Efektivët e policisë janë të detyruar që gjatë orarit të shërbimit këto kamera t’i mbajnë të ndezura, në mënyrë që të monitorohet gjithçka, si për punën e policisë, ashtu edhe për regjistrimin e ndonjë incidenti të mundshëm.

Ndonëse është një nismë krejtësisht policore, që nga specialistët u kërkua që të ndërmerrej kjo masë për të luftuar korrupsionin, shmangur komunikimin pa etike të punonjësve të policisë, apo edhe zbuluar, e parandaluar krime të ndryshme, përsëri nuk ka mbetur pa u përfshirë edhe politika.

“Ky projekt rrit sigurinë dhe jep mundësi që kapja dhe monitorimi i çdo shkeljeje dhe sigurimi i provave në kohë reale, të bëhet me një faktor të tretë në mes, që është syri objektiv i kamerës digjitale”, -tha kryeministri Edi Rama dy ditë më parë.

Ndërkohë që për ministrin e brendshëm Saimir Tahiri, kjo nismë kishte disa anë pozitive.

“Në këtë mënyrë, çdo punonjës policie do jetë i monitoruar 24 h/24. Madje pa e kuptuar. Salla e komandimit do mund të hyjë në veprimtarinë e tij të përditshme”. Duke iu shtuar listës së reagimeve, erdhi edhe komenti i kreut demokrat Lulzim Basha, i cili në vetvete nuk ishte kundër përdorimit të mjeteve moderne logjistike nga ana e policisë, por fenomenit që sipas tij lidhet me përzgjedhjen që bëjnë drejtues të lartë të policisë për të keqpërdorur edhe këtë nismë.

“Kush do t’i shohë kamerat kur ministri i Brendshëm takohet dhe ndërmjetëson me vrasësin me pagesë? A do të funksionojnë kamerat kur Emiliano Shullazi të futet në doganë me makinë të blinduar, pa lënë gjurmë e nishan” -theksoi Basha.

Ndërkohë specialistë dhe drejtues të lartë të Policisë së Shtetit, shprehen se kjo është një metodë që ndiqet nga disa struktura policore të vendeve të zhvilluara.

Duke qenë se efektivët po monitorohen, ata e kanë më të vështirë si korruptimin, ashtu edhe sjelljen jashtë etike, disi e përhapur në disa raste nga radhët e efektivëve të policisë.

Por edhe në këto raste mund të ndiqen metoda të tjera kompromentuese.

Duke qenë se jo të gjitha kamerat do të kontrollohen, kur bien në duart e monitoruesve në sallën operative, ata përzgjidhen dhe në këtë mënyrë ekziston edhe mundësia e manipulimeve në raste të veçanta.

Një e mirë në rastet ekstreme, kur ka konflikt, është se pamjet e kamerave mund të orientojnë edhe policët në terren, kur oficeri i sallës mund të drejtojë kolegët e tij për kujdes, apo për ngjarjet që ndodhin në terren.

Kamerat kanë një GPS e cila tregon vendndodhjen e efektivëve që janë në patrullim, në raste kur lajmërohen për ngjarje, në zonën e krimit, apo të incidenteve e akoma më rëndë përplasjeve me armë, që mund të vlejnë shumë që efektivët të mos rrezikohen përballë krimit.

 

 

 

 


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama