Festivali ne Gjirokaster Grupet edhe nga Mali i Zi

Festivali ne Gjirokaster: Grupet edhe nga Mali i Zi

Në Gjirokastër mbahet këto ditë Festivali Folklorik Mbarëkombëtar “Argjirofest-on” 2015-, i cilësuar si një nga ngjarjet më madhore të pasurisë shpirtërore, me pjesëmarrjen e rreth 1200 artistëve popullorë nga të gjitha trevat mbarëshqiptare.

Në ceremoninë e hapjes të organizuar në Kalanë e qytetit muze të Gjirokastrës, e shpallur “Pasuri botërore e njerëzimit” e mbrojtur nga UNESCO, ishte i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama, i cili në fjalën e tij theksoi se “kjo skenë, ky festival, me emrin e bukur “Argjiro Fest-on” është sot për ne një “trashëgimi” që shpaloset po mbi një “Trashëgimi”. “Është festa jonë e bukur dhe e madhe e së bukurës mbarëshqiptare, me grupe që vijnë nga çdo trevë e hapësirë ku këndohet shqip, jo vetëm nga Shqipëria e Kosova, Mali i Zi e Maqedonia, por edhe arvanitas e arbëreshë, edhe shqiptarë të Turqisë e shqiptarë të Zvicrës, sepse e tillë është harta e madhe e shpirtit të këtij kombit të vogël që diti të jetojë me këngën dhe gjuhën e vet, përtej çdo hartografie historike e politike”, tha Rama.

Ky shkëmbim mes popujsh e bashkësish, vijoi Rama, kulturash e traditash është fytyra e vërtetë e Ballkanit. “Askund më tepër se këtu, historia e përbashkët dhe bashkëjetesa e gjatë nuk kanë gdhendur tipare antropomorfike, psikologjike e komunikuesve të ngjashme.

Kemi shkëmbyer mes dashurisë dhe urrejtjes, ashtu siç dimë vetëm ne, lëndë gjuhësore e kulturore, legjenda e balada, përfytyrime e mite, të cilat kanë rrugëtuar së bashku me popujt e Ballkanit për të mbërritur sot, përmes vitalitetit të skajshëm që na karakterizon, po së bashku, në një nga shprehjet më interesante të identitetit tonë ballkanik. Nga thellësia e së shkuarës sonë të lashtë, aty ku zu fill vetë emri Europë, visari i çmuar i folklorit mbarëballkanik na jep krenarinë të pohojmë “Po, unë jam ballkanas”, ashtu siç jam shqiptar, ashtu siç është një grek, një turk a malazez, ashtu siç jemi bashkërisht europianë e qytetarë të botës”, nënvizoi Rama.

“Kangë e gjeta e kangë e kndova” thotë vargu brilant i Kangëve të Kreshnikëve. Dhe kështu do të ndodhë vërtetë në këtë skenë e në këtë qytet, teksa artistët tanë më të mirë popullorë do të përcjellin përmes shpirtrave e trupave të tyre pikërisht atë çka kanë trashëguar më të mirë dhe më të qenësishme nga vija e dritës që i lidh me etërit e me etërit e etërve të etërve me radhë, lart në histori për t’ia përcjellë bijve e bijve të bijve më tutje në rrugën drejt të ardhmes”, nënvizoi Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se artistët do të na befasojnë sot, siç i kanë befasuar dikur të parët e tyre udhëtarë, diplomatë e studiues të huaj që nuk reshtën së dëshmuari admirimin e thellë që ndjenjë për larminë dhe veçantinë mahnitëse të veshjeve popullore të shqiptarëve, që nga xhubleta ilirike te fustanella e bardhë (dikur) mbarëarbërore, që nga kostumi i qëndisur i Lunxhërisë te tirqet burrërore të Malësisë; për plastikën marramendëse e impulsive të valleve tona epike dhe elegancën, përkorjen e fisnikërinë e atyre lirike; për mjeshtërinë e lartë të lojës e dijes muzikore dhe harmoninë e rrallë mes zërave e timbrave.

Kryeministri Rama se “rilindasit tanë të mëdhenj që e ndjenë se gjithçka që do t’u fliste dhe do t’u këndonte shqip shqiptarëve ishte brendësuar të Folklori i tyre, i trashëguar me fanatizëm, me përkushtim njerëzor dhe me një zell artistik të përcjellë brez pas brezi. Ndaj është e pamundur të mos përmendim sot me nderim dhe në këtë skenë, emrat e mbledhësve të palodhur të folklorit, që nga sprova e parë e Frang Bardhit (1635) dhe “Bleta Shqiptare e Thimi Mitkos” te Spiro Dine e Stavro Frashëri, te Palokë Kurti e Gjon Kujxhia, te Thoma Nasi e Kristo Kono, Vinçenc Prenushi e Shtjefën Gjeçovi”.

“Për shumë ditë e netë me radhë, në këtë skenë do të rrahë zemra e madhe e kombit; do të derdhet shpirti i tij i thellë; do të shpaloset mendja e tij e lartë. Me mijëra njerëz kanë zbritur në djepin e gurtë të Shqipërisë dhe me qindra mijëra të tjerë janë ulur përpara ekraneve, për të soditur madhështinë e monumentit të madh shpirtëror mbarëkombëtar, folklorit tonë”, tha Rama.

Festivali Folklorik Mbarëkombëtar i Gjirokastrës “Argjirofest-on” 2015 zhvillohet për gjashtë ditë me radhë në Kalanë dhe Qendrën Historike të qytetit të Gjirokastrës. Rapsodë, grupe artisitike, valltarë, këngëtarë, polifoni ngjiten në skenën e Kalasë së Gjirokastrës.

Festivali Folklorik është ngjarja më e madhe e gurrës popullore të shqiptarëve nga të gjitha trevat etnike të Shqipërisë jashtë kufijve të shtetit politik, si dhe nga arbëreshët e Italisë, të Greqisë dhe diaspora nga Amerika e ngado.

Festivali i 10-të shërben për mbrojtjen, ruajtjen, promovimin, propogandimin dhe popullarizimin e vlerave më të mira të trashëgimisë jomateriale, etnomuzikore, etnokoreografike, etnografike, shekullore, kostumeve popullore, veglave muzikore, riteve, traditave, zejeve dhe kuzhinës si dhe veçanërisht tërheqjen e brezit të ri në veprimtaritë e trashëgimisë jomateriale.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama