Shqiperia si parajse fiskale?!

Shqiperia si parajse fiskale?!

Mungesa e kontrollit dhe lehtësia e të bërit evazion e bën Shqipërinë vetvetiu një parajsë fiskale, por ekspertët mendojnë se politika mund të ketë transferuar para në “offshore” për t’i ri-investuar ato

Vendi ynë ka një ekonomi informale dhe administratë publike të dobët e të korruptuar dhe shpesh është folur si një nga zonat e errëta të Europës në pastrimin e parave. Shumë njerëz madje mund të thonë se askush nuk ka nevojë të fshihet nga sistemi i cili manipulohet lehtësisht. Politikanët apo gjyqtarë e të tjerë zyrtarë në vend kanë përdorur deri dhe emigracionin ilegal për të justifikuar pasuritë e vëna në mënyrë të menjëhershme dhe kjo ka kaluar pa problem hallkat e sistemit apo hetimet. Kjo nuk do të thotë që politikanë shqiptarë apo biznesmenë nuk kanë përdorur parajsat fiskale.

“Parajsat fiskale ofrojnë mundësi të pafundme për ri-investim e kjo mund të bëhet patjetër në vende me sistem të brishtë fiskal si Shqipëria. Aq më tepër, që të njëjtët persona që i kanë këto para në parajsat fiskale, kanë edhe kontrollin e funksionimit të shpenzimeve dhe të ardhurave buxhetore në vend”, thotë Hekuran Vladi, ish-kryeadministrator i Agjencisë së Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara. Vladi, një ekspert financash, thotë se Shqipëria nuk ka bërë përpjekje serioze për të luftuar pastrimin e parave dhe burimet e tij. “Parajsat fiskale përdoren për dy qëllime kryesore, fshehjen e taksave dhe fshehjen e të gjitha parave, pra pronësinë. Rasti shqiptar, pa diskutim që është ky i dyti”, thotë ai ndërsa pranon se Shqipëria “ka qenë e vazhdon të jetë një ‘parajsë fiskale’ për personat që nuk duan të jenë të rregullt me pagimin e taksave”. Ai përmend “call centers” si një nga shembujt ndërsa thotë se pastrimi i parave realizohet kryesisht në biznesin e ndërtimit.

Ornela Liperi, në një shkrim për revistën “Monitor” thotë se nga verifikimet e tyre bizneset e mëdha shqiptare nuk kanë shumë për të fshehur, ata janë të regjistruar në Shqipëri. Por revista ka vënë re se koncesionarët aty ku edhe ka më shumë para dhe dyshime për ryshfete ndaj politikës janë si në rastin e naftës 45 për qind të regjistruar në ishujt e parajsave fiskale. Në fakt, emri i parë dhe i vetëm deri tani i bizneseve të regjistruara në “offshore” dhe të përmendura në Panama Papers është ai i kompanisë që merret me markimin e naftës. Pronarët e kësaj të fundit duket se janë pas disa kompanive guaskë që kanë ngritur dyshime për dhënien e koncesionit.

Nga ana tjetër, në Tiranë edhe pse ende nuk ka asgjë për t’u veçuar, politika është treguar e gatshme të “licencojë” apo “japë leje” për hetime të paktën në deklarata, madje ish-kryeministri Sali Berisha doli garant për veten dhe familjen e tij. Po ashtu, ish-kryeministri Ilir Meta, tani kryetar i Kuvendit, tha se rastet duhej të hetoheshin. “Për mua patjetër çdo rast duhet të hetohet, dhe ne e kemi kërkuar këtë gjë. Dhe çdo rast tjetër që do të dalë jo vetëm nga ‘Panama Papers’, por edhe nga çdo lloj parajse fiskale, ku ka të përfshirë politikanë shqiptarë”, tha Meta në një intervistë për Berat Buzhalën.

Nga ana e tij, ministri i Financave Arben Ahmetaj, e lidhi hetimin për para të transferuara në “offshore” me operacionin kundër evazionit që zhvillon qeveria, ndërsa e përdori këtë për të sulmuar opozitën. “Mezi pres edhe lajme të tjera nga ‘Panama Papers’, sepse mund të shohim edhe emra të tjerë, dhe besoj se nuk do të habitemi. Për mua si ministër Financash, në përgjegjshmëri do të ishte e ekzagjeruar të shprehesha në ekstrem. Por mund të them që nuk është se nuk e prisnim. Dhe nuk është se emrat nuk kanë dritëhije. Dhe nuk është se emrat nuk kanë lidhje me qeverinë e kaluar. Dhe nuk është se emrat nuk na çojnë afër dyerve të ish-pushtetarëve apo familjarëve të tyre. Kjo është e drejtpërdrejtë!”, tha Ahmetaj.

Prokuroria e Përgjithshme, ajo e Tiranës dhe antikrimi ekonomik thanë menjëherë pas skandalit se kanë nisur hetime dhe se po presin zbulimin e emrave të tjerë, por praktikisht deri para se të zbuloheshin letrat askush nuk fliste për diçka të tillë në vend.

“Edhe pas të ashtuquajturit përmirësim legjislacioni në fushën e parandalimit të pastrimit të parasë, pengesa e vetme për investimet në ndërtim, të çfarëdo përmase, është bërë së fundmi konkurrenca e lobingjeve pranë, apo larg qeverisë, të cilat kanë ndërhyrë në legjislacionin përkatës duke e vështirësuar ndërtimin”, thotë Vladi, duke lënë të kuptohet se nuk ka ndonjë pengesë që paratë e pista të qarkullojnë në vend. Ai thotë se beson që paratë shqiptare kanë shkuar kryesisht në ‘parajsa’ më të afërta, si Zvicër, Qipro etj.,” dalja e sekretit të Panamasë do të zbulojë edhe shumë prej tyre. Kjo për shkak të manipulimeve të ndërthurura që ndodhin në mes parajsave fiskale mes njëra-tjetrës”.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama