DASMA
Kështjella e Davidit, një nga më të bukurat në Jerusalem, aty ku shtatorin e kaluar regjisorja Vera Grabocka dhe Timo Flloko martuan vajzën e tyre, është vendi që është zgjedhur për të celebruar këtë lidhje. Veçse këtë herë, “mblesa” Grabocka nuk do të jetë e pranishme, pasi koha e dasmës përkon me lindjen e vajzës së tyre, që është shtatzënë. Inva dhe Ramadani kanë qenë në të njëjtën tavolinë në dasmën e vajzës së Grabockës dhe Fllokos, por në atë kohë gjithçka ishte e fshehtë. Aty, çifti, të mrekulluar nga atmosfera dhe vendi i paharrueshëm, kanë vendosur që edhe martesën e tyre ta realizojnë po në atë vend. Gjithsesi, mjaft personalitete të artit dhe kulturës do të jenë të ftuarit e dasmës VIP, që do të organizohet në javën e fundit të qershorit. Një dasmë, që edhe pse kërkohet të mbahet e fshehtë, shpjegon më së miri divorcin që po zhvillon aktualisht sopranoja Mula me bashkëshortin e saj, kantautorin Pirro Çako.
FONDACIONI
Në intervistën e dhënë gati dy javë më parë, sopranoja Mula hodhi poshtë të gjitha argumentet se ajo kishte një lidhje me biznesmenin kosovar Ethem Ramadani. Madje, ajo e justifikoi njohjen e tyre si një bashkëpunim në mbështetje të artistëve shqiptarë në botë. Por, që në fakt, është krejtësisht ndryshe. Ramadani është një ndër 10 biznesmenët më të pasur kosovarë, dhe lidhja e tyre ka nisur rreth muajit marsi të vitit 2008. Me origjinë kosovare, por i rritur në biznesin e tij në Slloveni, Ethem Ramadani ka qenë prezent dhe në edicionin më të fundit, “Dua më shumë Shqipërinë”, si një prej shqiptarëve më të famshëm në botë. Ai drejton kompaninë “Salbatring International”, krijuar më 1990 në Lubjana të Sllovenisë.
DIVORCI
Gati një muaj më parë, Inva Mula bëri kërkesën për gjyq në Gjykatën e Tiranës ndaj bashkëshortit të saj, Pirro Çako. Këtë kërkesë për ndarje ajo e motivoi për shkak se Pirro e kishte braktisur atë në vitin 2007. Gjithçka në intervistën e dhënë prej Invës fajësonte bashkëshortin e saj, Çako. Ndërkohë që ky i fundit nuk ka dhënë asnjë prononcim për ndarjen e tyre. Të martën që lamë pas, në seancën pajtimore, Pirro Çako mungoi duke u justifikuar se nuk kishte marrë asnjë njoftim për t’u paraqitur në Gjykatë. Ndërkaq, sopranoja Mula përfaqësohej nga avokati i saj.
Inva për Ramadanin: Përgënjeshtrimi që bëri sopranoja 2 javë më parë
“Është një mashtrim, një deformim i së vërtetës. Ndoshta u ashpërsova për të treguar pikërisht se sa më ka prekur ky informacion, i cili ka qenë edhe lajtmotivi i të gjitha shkrimeve në gazetat shqiptare. Në këto momente kam vetëm gati një urrejtje për ata njerëz që nuk dinë të respektojnë punën dhe jetën e një njeriu që mundohet të bëjë mirë në jetë... dhe më në fund të ketë dhe të mbajë mbi supe një thashethem, i cili është krejtësisht i gënjeshtërt. Zoti Ramadani është lakuar gjithë këtë periudhe në gazetat shqiptare. Në radhë të parë, më ka ardhur keq për mënyrën se si është komentuar ky personazh... Ai ka bërë përpjekje të jashtëzakonshme humanitare në Shqipëri, në Kosovë për gjithë shqiptarët kudo që janë... Njohja me zotin Ramadani ka qenë rastësisht, në fund të muajit shtator të vitit 2008, në një festë familjare, dhe më pas jemi takuar në muajin tetor, pikërisht për të marrë një vendim të përbashkët në krijimin e një fondacioni shqiptar, i cili do ndihmonte më në fund talentet e reja. Dhe, në këtë rast ishte një takim shumë i rëndësishëm, i cili është bërë me 5 tetor 2008, këtu në Paris dhe është një nga takimet më të bukura, në kuptimin si mund të bëhet arti pjesë e biznesit dhe e kundërta, biznesi të ndihmojë artin. Duke parë ndjenjën e filantropizmit tek zoti Ramadani, i kërkova të kontribuonte. Sot për sot është një fondacion që ende nuk e kemi shpallur në shtyp, për arsye se shtypi nuk na la kohë që ta bënim këtë, pasi na vuri epitete të tjera të cilat duhet t’i sqarojmë përpara një kauze kaq të rëndësishme, siç është kjo e fondacionit”.
Bluetooth











