Kënga që sivjet përfaqëson Shqipërinë në "Eurovizion Song Contest", është përfunduar dhe tashmë nuk pritet veç 14 maji, dita kur Kejsi Tola do të këndojë në Moskë "Carry me in your dreams" (Me merr në ëndërr), me tekst të Agim Doçit dhe muzikë të Edmond Zhulalit.
Kënga është realizuar në Gjermani, regjistrimi i audios dhe videoklipi, ndërsa për performancën e Kejsit në skenë është kujdesur koreografi Ledion Bulku.
Janë ditët e fundit përgatitore përpara udhëtimit drejt Moskës. Sot mbërrijnë nga Greqia tri balerinët që do të kërcejnë me Kejsin, për të bërë provat e fundit.
Kompozitori thotë se publiku duhet të përgatitet të shohë një Kejsi tjetër dhe jo atë vajzën e ndrojtur në skenë, sigurisht duke mos lënë mënjanë cilësitë vokale të 16-vjeçares. I mësuar me emocionet e kësaj gare (Zhulali merr pjesë për herë të dytë në Eurosong), ai tregon për këngën dhe si e sheh "Eurovizion Song Contest".
Z. Zhulali, është hera e dytë juaja në "Eurosong". Mund të themi se jeni familjarizuar tashmë dhe çfarë përfaqëson për ju kjo ngjarje muzikore?
"Eurosong"-u është evenimenti më i rëndësishëm i këngës në Evropë, për shumë arsye: ballafaqohen shumë kultura dhe motive të shteteve të ndryshme pjesëmarrëse dhe për seriozitetin dhe përzgjedhjen e elementeve që marrin pjesë në festival.
"Eurosong"-u sjell artistë shumë cilësorë, si dhe vjen nga një traditë 54-vjeçare që i ka dhuruar publikut evropian këngë dhe këngëtarë të mrekullueshëm. Mendoj se është eveniment i madh edhe sepse organizohet nga EBU-ja, (European Broadcasting Union). Festivali është përsosur në këto 15 vite. Është më progresiv në aspektin që është bërë më bashkëkohor.
Çfarë doni të thoni me këtë?
Në radhë të parë, kompozitorët dhe orkestruesit kanë mundësi më të madhe për të realizuar gjithçka në studio, orkestracioni realizohet më play back.
Në këtë mënyrë, ky festival ka mundësi më të madhe për të krijuar një show të mrekullueshëm. Pra, si të thuash, skena u boshatis nga orkestrantët dhe i la vend më shumë preformancës së këngëtarëve.
Kjo do të thotë që tani "Eurosong"-u është shndërruar në një festival performance?
Nuk mendoj se festivali i është përkushtuar më tepër performancës.Teknologjia muzikore dhe vizive ka bërë një progres të jashtëzakonshëm, e kanë bërë këtë festival më bashkëkohor dhe më modern.
Por, megjithatë, mendimi im është që kënga përsëri mbetet baza e këtij festivali, ato kanë qenë të bukura dhe profesionale.
Cilat janë vlerat muzikore që mendoni se përcjell ky konkurs i këngës evropiane?
Vlerat muzikore vijnë nga çdo vend pjesëmarrës. Vitet e fundit ka pasur një tendencë që të sillen elementet muzikore tradicionale të çdo vendi. Madje, kjo u tejkalua paksa, u bë qëllim në vetvete.
Kjo dukuri erdhi nga vendet e Lindjes, të cilët duan të lançohen shumë shpejt. Kjo ndoshta ka qenë një nxitje që t\'u mëshohet shumë elementeve folklorike. Jo se këto elemente duhet të hiqen, por duhet të jenë të një niveli shumë profesional.
Për mendimin tim si kompozitor, vështirësia më e madhe për një krijues është të fusë elemente të vendit të tij, një gjë e tillë duhet bërë natyrshëm dhe në mënyrë organike e të mos shfaqet si muzikë popullore.
Po ju, çfarë elementi të ri sillni kësaj here?
Kam një ndryshim në këtë këngë. "Imazhi yt", për sa i përket anës profesionale, ishte tipike e muzikës së lehtë, (pop), ndërsa në këtë këngë unë jam përpjekur që nëpërmjet ritmeve moderne, (dance) të fus disa elemente shqiptarë.
Dhe e kam bërë pak më të dukshme për sa i përket pjesës harmonike dhe tonalitetit në të cilin zhvillohet kënga. Gjithashtu, duke u lidhur me këtë tonalitet, rastësisht ka dalë edhe një element popullor shqiptar i veçantë, zumarja. Ky element nuk është bërë me një qëllim të caktuar, por vjen i gërshetuar me ritmet. Nuk është element popullor.
Mund të themi që ky është një "truk" për të bërë për vete publikun?
Jo, këtë herë kam dashur të bëj një këngë me motive shqiptare. Në fakt, edhe vitin e kaluar, me ato dy vajzat kosovare, unë kisha një motiv, të cilin e kisha futur po me tonalitetin popullor, por e kisha me instrumentin e kitarës, pra në një formë tjetër. Këto dy vite e kam pasur si qëllim të bëj diçka që të jetë ndërthurje mes shqiptares dhe modernes.
A mendoni se një adoleshenteje si Kejsi, i shkon një tekst që flet për një dashuri të tillë?
Artisti, kur del në skenë nuk është vetvetja, por është personazh artistik i krijuar nga kompozitori dhe poeti.
Sa artistë luajnë rolin e kriminelit, nuk do të thotë se janë kriminelë në të vërtetë. Në këtë rast, Kejsi shfaqet si një artiste që do të interpretojë tekstin dhe këngën e kompozitorit. Figura dhe mosha e saj është brenda kufijve të festivalit evropian, mbi 16 vjeç. Ata kanë menduar se mbi këtë moshë këngëtari mund të këndojë çfarëdolloj kënge, patriotike, dashurie, balada, etj.
Ju keni një histori të gjatë bashkëpunimi me Agim Doçin. Çfarë mendoni se kanë të veçantë tekstet e tij?
Unë nuk i quaj tekste, por poezi. Më ka frymëzuar shumë, kanë qenë tekste të ndjera, të bërë në mënyrë profesionale, që mua më kanë krijuar lehtësi për të krijuar muzikën. Mes dy krijuesve, fjalët e kolegut dhe klima në të cilën punohet, është shumë e rëndësishme. Duhet të ketë një klimë bashkëpunimi, që nëse mua apo poetit nuk na pëlqen diçka, duhet ta themi dhe ta pranojmë.
Si do t\'i cilësonit vlerat vokale të Kejsi Tolës?
Gjithmonë e kam thënë që kam besim absolut te Kejsi, jo vetëm te vokali, se aty provat i ka dhënë, por edhe në interpretim dhe në performancën që po përgatitet.
E vlerësoj si zë me të ardhme shumë të mirë. Kejsi ka një ngjyrë të mrekullueshme vokale, gjë që po shikohet edhe tani në të gjithë komentet që po bëhen në internet, ku e vlerësojnë si një vajzë të vogël, por me zë shumë të mirë dhe të fortë. Them se do të pritet mirë në festivalin evropian. Do të jetë surprizë vokale.
Mund të na zbuloni se si do të jetë paraqitja në skenën e "Eurosong"?
Ajo është surprizë. Kjo është hera e parë që Shqipëria paraqitet denjësisht në performancë.
Zëra shoqërues janë Dorina Toçi dhe Orgesa Zaimi. Ndërsa në skenë do të jenë edhe tre balerinë të huaj, dy prej të cilëve janë të njohur në Greqi si balerinë të break dance. Publiku duhet të përgatitet të shohë një Kejsi tjetër dhe jo atë vajzën e ndrojtur në skenë. Koreografi Julian Bulku ka bërë një punë shumë të madhe që e ka tjetërsuar atë.
Të kthehemi pak mbrapa në kohë. Si ka nisur rruga juaj e kompozimit?
Kam studiuar në shkollën e mesme të muzikës në Shkodër, për trombë. Në konservator, kam konkurruar për trombë dhe kompozicion. I fitova të dyja degët dhe për një vit i ndoqa të dyja.
Pastaj, për shkak të biografisë më thanë se duhet të ndiqja vetëm një degë. Megjithatë, përsëri e vazhdova, kam studiuar me Gjon Simonin. Pasi mbarova shkollën, punova për rreth tetë vite në Peshkopi si shef i muzikës së estradës, pastaj jam transferuar në Tiranë.
Po tani cila është marrëdhënia juaj me trombën?
Pothuajse ka vite që unë s\'kam luajtur. Megjithëse kam qenë edhe solist. Tani jam kompjuterizuar plotësisht. Punoj gjithë ditën në kompjuter për të realizuar orkestracionet e mia.
Kompozimi për mua është edhe profesion, edhe pasion. Kam shkruar në të gjitha gjinitë, por njëkohësisht kam luajtur edhe në disa instrumente, si piano dhe fizarmonikë, sepse që të jesh orkestrues, natyrisht duhet t\'i njohësh të gjitha instrumentet.
Eurosong: "Shqipëria: E re por e fortë"
Në sajtin elektronik të konkursit evropian të këngës "Eurosong", është publikuar fotoja zyrtare e këngëtares që përfaqëson Shqipërinë, Kejsi Tola.
Një fotoportret, ku 16-vjeçarja është me sy mbyllur dhe ku tregon disa vite më shumë se sa mosha që ka. Kjo fotografi shoqërohet me një tekst, në të cilin jepen të dhënat për autorët dhe këngën.
Në këtë sajt, "Më merr në ëndërr", cilësohet si një këngë me ndikime të forta të muzikës folklorike. Por, përveç kësaj, "Eurosong"-u shpreh habinë për mënyrën se si Shqipëria e zgjedh përfaqësuesen e saj nëpërmjet një festivali kombëtar të këngës në televizion.
Titulli i tekstit është: "Shqipëria: E re por e fortë", që vijon me një koment për moshën e re të Kejsi Tolës dhe një nënvijëzim të vogël për faktin që ajo nuk është një këngëtare profesioniste.
Gazeta Shekulli











