Në ceremoni mori pjesë edhe kryeministri Sali Berisha, i cili është nisur që dje në mesditë, ministri i Jashtëm, Lulzim Basha dhe ambasadori ynë atje, Artur Kuko.
Në këtë ceremoni, të drejtuar nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Japp de Hoop Sheffer janë të pranishëm 26 ambasadorët e vendeve anëtare të NATO-s dhe delegacionet e Shqipërisë dhe Kroacisë. Në përbërjen e delegacioneve janë edhe ministrat e Punëve të Jashtëm respektiv dhe ambasadorët e të dy vendeve në NATO.
Këtë ceremoni e përshëndeti Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Japp de Hoop Sheffer dhe më pas, mbajën fjalët e tyre të rastit kryeministri shqiptar dhe ai i Kroacisë Sanader.
Sheffer: Garanci për dy vendet dhe rajonin
Shefer e ka quajtur garanci për sigurinë e dy vendeve anëtarësimin e Shqipërisë dhe Kroacisë. Sipas tij, kjo është një domethënie e madhe, pasi ishte një përpjekje dhe rrugë e gjatë që kanë bërë vendet deri sa zunë vendin e tyre në samit. Sipas tij, dy vendet gëzojnë sigurinë e garantuar të artikullit 5 të traktatit të Washingtonit.
"Shoh tani 28 flamuj të ndryshëm, çdo flamur përfaqëson një komb dhe ka fuqinë emocionale për të. Shqiponja e Skënderbeut dhe flamuri i Kroacisë janë këtu"- tha ai, duke iu drejtuar të pranishmëve. Sheffer ka siguruar se ka hapësirë edhe për flamuj të tjerë. Të gjithë, sipas tij, kanë detyrime dhe angazhime, sfidat janë të njëjta si sot dhe dje. "Ajo që na lidh së bashku është liria, demokracia dhe vullneti për të mbrojtur aleancën. Mbrojtja e përbashkët e siguria për paqen, simbolizon bashkëpunimin.
Mirë se erdhët në aleancë"- tha ai.
Berisha: Ju kemi borxh lirinë e sotme
Kryeministri Berisha pas falënderimeve dhe mirënjohjes për mbështetjen e dhënë ka deklaruar se shqiptarët i kanë borxh NATO-s, lirinë e sotme. Në fjalën e tij gjatë ceremonisë së ngritjes së flamujve, ai nuk ka lënë pa përmendur arritjet e qeverisë së tij, reformat e thella dhe luftën me tolerancë zero ndaj korrupsionit, madje ka kujtuar se në këtë pikë ka lënë pas 95 vende.
Ai ka kujtuar numrin e madh të vizitorëve të huaj për të dëshmuar se ndryshe nga më parë, vendi tashmë është i sigurtë. "Gjatë këtyre katër viteve të fundit vendi ka zhvilluar reforma shumë të rëndësishme dhe progres të madh për sa i përket perfeksionit të ushtrisë duke dhënë 2% të GDP-së"- tha ai. Ai është shprehur krenar për këtë flamur dhe kombin shqiptar, duke e quajtur këtë ditë më të madhen pas pavarësisë. "Flamuri ynë është ndër më të lashtët në botë ka mbledhur njerëzit në luftëra për mbijetesë, që në kohën e Skënderbeut, që 1445, mijëra njerëz kanë dhënë jetën për të, dinjitetin e Shqipërisë. Sot ky flamur është më lart se çdo ditë tjetër"- tha Berisha.
Gazeta: Shekulli











