Argetim me... gjarprin

 Argëtim me... gjarprin

Çdokush që e shikon, e quan "vajza me gjarpër". Ai i ka përkëdhelur pothuajse të gjitha pjesët e trupit dhe nuk është sjellë keq me të. E ka shtrënguar, sepse ka ndjerë ngrohtësi, dhe së bashku kanë bërë spektakël. Denisa Muzina është 23 vjeçe, është akrobate në profesion dhe së fundi i është shtuar edhe një partner tjetër në punën e saj. Dhe, a e dini cili? Nuk është njeri, por një gjarpër. Një gjarpër që ajo e merr me vete ngado. Suksesi më i madh i shfaqjeve të saj, i dedikohet më shumë atij.... gjarprit Boa. Por, nuk duhet të lëmë pas talentin dhe guximin e Denisës, që mban në trupin e saj të zhveshur një kafshë të tillë. 23-vjeçarja nuk ka aspak frikë, madje është lidhur aq shumë më të, sa duket sikur ai e dëgjon dhe e kupton. "Është shumë i ftohtë, thotë ajo, dhe kur prek mblidhet i gjithë pas meje".


Imagjinoni një gjarpër disa centimetra të trashë t\'ju pështjellë gjithë trupin! E pra, kjo është Denisa, vajza e rrallë që bën diçka ndryshe, dhe që jo të gjithë marrin guximin ta prekin, jo më ta mbajnë të varur në qafë. Në një intervistë për Sh2-shin, ajo na rrëfen për fillimet e profesionit të saj në cirk dhe performimet më gjarpër në lokalet e natës. Denisa nuk do nguronte edhe më tej, të luante nudo me gjarpër, në këmbim të një shumë të madhe lekësh, por këtë gjë do ta bënte vetëm jashtë Shqipërisë. Këtu nuk do të kishte kuptim, sipas saj.


Kur ka lindur pasioni juaj për cirkun dhe akrobacinë?

Fillimet e mia janë që në klasë të dytë, në moshën 8 vjeç. Tani jam 23 vjeç, e kam ndërprerë cirkun si aktivitet dhe performoj privatisht në klubet e natës. Isha shumë e vogël, kur ndiqja kurset e para në cirk. Kemi qenë në shkollë së bashku me disa shoqet e mia, dhe unë jam përzgjedhur nga profesori i fizkulturës. Ishim disa nxënës që ishim të mirë. Dhe më pas vazhdova në cirkun e Tiranës, ku stërvitesha çdo ditë dhe përgatitesha për shfaqje.


Denisa, ç\'farë bëje t\'i ndryshe nga të tjerat, cila ishte e veçanta jote?Ne që ishim përzgjedhur, ishim të gjithë njësoj, ndërsa nga nxënësit e tjerë, asgjë më shumë, pak talent dhe dëshirën për të ndjekur këtë pasion, që më pas u kthye në profesion.


Cila është fusha juaj, në të cilën jeni specializuar dhe luani?

Unë jam ekuilibriste, bazamente, vertikaliste. Kjo kërkon elasticitet të trupit dhe stërvitje të përhershme. Guximi dhe siguria në vetvete, janë tepër të nevojshme në profesionin tonë. Përveç kësaj, kam prezantuar disa herë radhazi shfaqje të cirkut.


Për çfarë i keni vazhduar studimet, do të qëndroni në këtë fushë?

Nuk i kam vazhduar ende studimet e larta, pres që sivjet të filloj fakultetin për Juridik, kjo është dëshira ime. Për momentin them se do të mbetëm këtu. Më vonë nuk i dihet. Unë vazhdoj ende në pub-et dhe lokalet e natës. Me elemente akrobatikë, ushtrime me zinxhir. Por, njëkohësisht, shpeshherë shoqëruesi im është edhe një gjarpër, me të cilin unë luaj për publikun.


Si ju shkoi mendja për të luajtur me gjarpër, një kafshë kjo, jo shumë e pëlqyer nga njerëzit?

Kur më ftuan në koncert në një klub nate, na duhej diçka e veçantë. Duke kërkuar në internet, po shihja një vajzë në një koncert, që luante me gjarpër, duke bërë disa ushtrime akrobatike. Ky ishte ngacmimi. Më pas iu vura punës e kontrollova dyqanet me kafshë, të cilët janë të paktë në Tiranë. Gjarprin Boa e përzgjodha në një nga dyqanet e kryeqytetit, dhe e mora me qira. Para dy vjetësh, për Natë të Bardhë, kam performuar për herë të parë me gjarpër dhe më pas vijova normalisht.


Nuk ke pasur frikë nga gjarpri?

Joooo, aspak! Shtëpinë time e kam pasur si kopsht zoologjik: qen, mace, zogj, pula, lepuj, breshkë.


A nuk është e frikshme, kur ai bëhet njësh me trupin tënd?

Gjarpri mblidhet. Kur ai prek në trup, ka një veti që lidhet pas trupit tim dhe unë e zgjas, i vij nga pas. Bëj ushtrime akrobatike, ndërkohë që edhe kërcej. E lë në tokë, e marr sërish.


Nuk ka mundësi që të të kafshojë gjarpri?

Jo, zakonisht Boa nuk të kafshon, ai edhe kur ha ushqimin e vet, e mbyt njëherë gjahun, pastaj e gëlltit në stomak. Rrezikshmëria e tij është që të shtrëngon.


Ju jeni ndjerë ndonjëherë e shtrënguar nga gjarpri?

Jo, nuk më ka shtrënguar, me mua është treguar shumë i mirë. Të gjithë kafshët e ndjejnë atë njeriun që e do, edhe gjarpri im po ashtu. Ai është shumë i ftohtë. Kur prek tek unë, nga ajo që trupi është shumë i ngrohtë, mblidhet pas meje.


Ke marrë ndonjë kompliment gjatë shfaqjeve të tua me gjarpër?

Po, ka pas boll komplimente dhe përgëzime nga njerëz që me njohin dhe nuk më njohin. Vetë dalja ime përpara shumë personave me një kafshë, që pjesa më e madhe e kanë frikë, përbën një lloj veçantie. Më kanë thënë shumë "uu e tmerrshme, si e mbanë ti atë, bravo, si e bën"?!


Si e ka pritur familja jote punën tënde, aq më tepër që ke për "partner" një gjarpër?

Janë shumë të kënaqur dhe nuk e kanë problem që unë kam një gjarpër shok (qesh). Shumë njerëz nuk e prekin dot gjarprin. Ndërsa unë nuk e kam problem fare, nuk më shqetëson aspak.


Do të mbanit një gjarpër në shtëpi dhe të kujdeseshit për të?

Po të kisha mundësi do ta mbaja, por unë kam shumë punë, pasi kam një biznes privat dhe nuk më ngelet kohë t\'i shkoj nga pas gjarprit.


Ke bërë prova kur ke dalë në fillim?

Jo, asgjë nuk ka qenë e parashikuar, ishte shumë e çuditshme. Kur kam shkuar ditën e parë në pub, ishte plot me njerëz, të gjithë janë habitur. Ndërsa unë shihja vetëm drita. Vesha një kostum që e kisha stiluar së bashku me motrën dhe që kombinohej me lëkurën e gjarprit.


Po të jepej mundësia, me një shumë të madhe parash, do të luanit nudo në një shfaqje me gjarpër?

Këtu në Shqipëri jo. Për shumë arsye: mentaliteti, kultura, etj. Por jashtë edhe mund të luaja, nuk përbën problem.

Denisa...

Shkurt!

Cila është gjëja e parë që mendon sapo zgjohesh?

Çfarë do të bëj sot!

Çfarë nuk harron asnjëherë?

Celularin.

Emri më i dashur për ty?

Skerdi.

Numri i preferuar?

9-ta është dita e datëlindjes sime.

Cili është hobi juaj?

Me pëlqen të dal në shfaqje e të bëj show.

Ku do të doje të ishe tani?

Ndoshta në shtëpi.

Po më vonë ku do të jesh?

E sigurt që në shtëpi.

Filmi i preferuar?

Me pëlqejnë filmat me temë shoqërore.

Në qoftë se do të ishe kafshë, si kush do të doje të ishe?

Si kaprolle.

Po lule?

Trëndafil.

Vesi më i keq dhe më i mirë i yti?

Jam shumë këmbëngulëse.

Puna që do të pëlqente të bëje?

Dua të punoj në një zyrë.

Për kë të ka marrë malli në këto momente?

Për të fejuarin tim, që kam tre javë që jam zënë dhe nuk e kam takuar.

Sa kohë të duhet të bëhesh gati për të dalë nga shtëpia?

Një orë, maksimumi.

Personi i parë dhe i fundit që ke përqafuar ditën e sotme?

Mami.

Vendi më i çuditshëm ku ke kaluar një natë?

Kam ndenjur njëherë me çadra në Durrës, në tetor, bashkë me të fejuarin tim.


Gazeta: Shekulli


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama