Pse u largova nga spektakli E diela shqiptare

Pse u largova nga spektakli E diela shqiptare
Është menduar jo pak, derisa ka marrë vendimin përfundimtar. Dhe më në fund vendosi ta lërë spektaklin E diela shqiptare, duke mos qenë më partnerja e Ardit Gjebreas. Mungesa e saj të dielën e kaluar, në emisionin e sezonit të ri të spektaklit E diela shqiptare, natyrisht që nuk kaloi pa u vënë re, edhe pse organizatorët u përpoqën ta fshehin këtë lajm, që nisi të qarkullonte si fillim brenda televizionit Klan. E pyetur nga “Panorama Plus”, Artemisa vendosi të na e thotë vetë lajmin e para, se në fakt ajo çfarë mund të kishim menduar se ajo mungonte pasi mund të ishte prekur nga ndonjë virus gripi ishte një thashethem i kotë. E vërteta ishte se ka hequr dorë përfundimisht nga “E diela shqiptare”. Arsyeja? “E mendo-va dhe them se për momentin kam prioritete të tjera, siç është shkolla.

Kam filluar studimet part-time në Universitetin e Tiranës, dega e Juridikut, dhe më duhet që të shtunë e të dielë të jem e angazhuar me shkollën”, tha ajo. Dhe kjo është një ngarkesë plus për Artemisën, e cila në të njëjtën kohë vazhdon studimet në degën e Shkencave Sociale, viti i katërt. Në sezonin e kaluar Artemisa ishte partnerja e vetme e Ardit Gjebreas, në 7 orë transmetim televiziv, në spektaklin me “talk show”, sport, këngëtarë të ftuar, balet, lojëra, kuize dhe të papritura të tjera. Ardit Gjebrea, i cili foli për përmbajtjen e spektaklit gati një vit para se “ E diela shqiptare” të dilte në transmetim, ruajti si surprizë për momentet e fundit pikërisht partneren e tij, vajzën bukuroshe Artemisa.

 Kjo edhe për faktin se vajza e zgjedhur prej tij, nuk ishte e panjohur për publikun dhe ishte madje e sprovuar para kamerave që e vogël, si prezantuese e emisioneve për fëmijë në “Tv Shijak”. Më pas në të njëjtin ekran, ajo nisi prezantimin e programit muzikor “100% shqip”, me kërkesa nga publiku, ku në një studio të vogël dhe e pozicionuar shumë afër kamerave, priste telefonatat nga teleshikuesit, të cilët linin kërkesën e tyre muzikore.

Pothuajse të njëjtën gjë do të bënte dhe tek “E diela shqiptare”, ku gjithë minutazhi argëtues do i besohej asaj. E tashmë që ka vendosur t’i përkushtohet shkollës, ajo ende nuk e ka të qartë nëse në të ardhmen do t’i rikthehet televizionit sërish. “Gjithçka do t’ia lë të ardhmes”, thotë ajo, edhe pse “E diela shqiptare”, do më mungojë shumë”. Kaq ka pranuar të na thotë vetë Artemisa, por nuk është çudi që ky të jetë një vendim edhe i të fejuarit të saj Olsit, i njohur në rrethin e artistëve si një nga parukierët më të mirë në Tiranë. Që në fillim të spektaklit, Artemisa e pohoi vetë për “Panorama Plus”, se që kur ishin lidhur bashkë, Olsi ishte kundër vazhdimit të karrierës së saj në televizion.

Pas katër vitesh lidhje dhe dashuri, ata kishin zyrtarizuar lidhjen e tyre duke bërë fejesën. Artemisa vendosi të vazhdonte shkollën duke lënë mënjanë ekranin. Por gjithsesi e desh puna që ajo të ishte përsëri mes artistëve, pasi në stafin e “Kënga Magjike” ishte edhe ajo përkrah Olsit, i cili modelonte flokët e këngëtareve, ndërkohë, që Artemisa i trukonte. Aty lindi dhe miqësia me Arditin, i cili vetëm pak muaj më parë i propozoi që ajo të ishte partnerja e tij gjatë të dielave argëtuese.

“E diela shqiptare”, spektakli maratonë i “TV Klan”, hapi sezonin e ri të dielën e kaluar. Kjo periudhë pushimi në ekran, në fakt u duk se ka qenë periudhë pune për të sjellë një spektakël krejt ndryshe, duke filluar që nga skenografia krejtësisht e ndryshuar nga Gajtano Kasteli. Gjithashtu, u pa hyrja në spektakël e dy djemve të grupit “The SHBLSH”, Julian Deda dhe Gent Zenelaj me dy karaktere të veçantë humori. Koreografi Albi Nako solli një grup 99 për qind të ndryshuar, ndërsa është ngritur bandë muzikore nën drejtimin e Shpëtim Saraçit.


PanoramaPlus

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama