Ina Rama Ju rrefej familjen time nga vajzat te bashkeshorti

Ina Rama: Ju rrëfej familjen time, nga vajzat te bashkëshorti
 Prandaj do ishte luks i tepërt pretendimi që Ina Rama të dalë jashtë kornizave me të cilat përgjatë një viti ka ngritur imazhin e saj: ka fituar sondazhin e fundvitit të revistës JETA dhe prandaj ka thënë “po” për të qenë kopertina e muajit janar. Pas përshëndetjeve të para, biseda fokusohet rreth sondazhit dhe natyrshëm shkon drejt intervistës dhe fotografive që do ta shoqërojnë. “Në fakt do ishte mirë që mos të dilnim jashtë natyrës së revistës, prandaj le ta bëjmë si me gjithë personazhet e tjerë të kopertinave”. Bingo! Kjo do të thotë një seancë e mirëfilltë fotografimi, që paraprihet nga një grim profesional dhe perzgjedhje veshjesh nga ato që nuk i vesh çdo dite në zyrë apo në daljet publike... Pas një konsultimi në axhendën që ka mbi tryezë dhe duke bekuar faktin se përpara janë ditët e festave të fundvitit, kur ritmi i punës nuk është ai i përhershmi, Ina Rama është dakort që në datën 24, në vigjilje të Krishtlindjeve, t’i përkushtohet tërësisht një shërbimi fotografik. Takimi i radhës është në orën 12.00, për grimin në sallonin e Lilit. Një pesëminutësh vonesë ndiqet nga një ndjesë që shpjegon arsyen: ka marrë pjesë në shfaqjen e Vitit të Ri në kopshtin e vajzës së vogël - “ishte hera e parë për të, këndoi, tha edhe një vjershë dhe nuk u emocionua fare, krejt ndryshe nga vajza e madhe”. Edhe pse vajtja me makinën me xhama të errët dhe togën e shoqërimit në një kopsht fëmijësh konsiderohet lajm më vete dhe ajo e di që shumë sy edukatoresh apo prindërish do kenë qenë të ngulur mbi të, nuk ka pasur pse të mos jetë aty me gjithë prindërit e tjerë e të fotografojë vajzën e vogël Noa në të parën shfaqje të kopshtit.

Ka ndryshuar jeta e vajzave tuaja nga emërimi Prokurore e Përgjithshme?

Ka ndryshuar jeta e gjithë familjes sime, në shumë drejtime. Që prej shtatorit kam lënë qytetin tim dhe jetoj në Tiranë por, Durrësi është gjithmonë vendi ku kaloj fundjavën me shumë kënaqësi, jo vetëm sepse aty gjendet një bregdet i mrekullueshëm, por edhe sepse aty janë të gjitha kujtimet e mia. Por nuk ka ndryshuar vetëm shtëpia jonë, kanë ndryshuar edhe një sërë gjërash të tjera. Duke filluar që nga koha që unë i kushtoj shtëpisë e deri nga gjendja që përcjell në familje për shkak të problemeve të punës. Por nëse faktori kohë është i pashmangshëm, këtë të metën e dytë kam ndër mend ta riparoj. Ndonëse brenda mureve të shtëpisë mundohem që çdo gjë të jetë si më parë, e di se vajzave u mungon një mami që i çonte shpesh tek lodrat, u lexonte përrallat në mbrëmje apo i ndihmonte me detyrat. Këto momente tashmë janë më të rralla.

A e kuptojnë se pse ka ardhur ky ndryshim?

Vajza ime e madhe, Tesa, e cila po bëhet nëntë vjeç, është ajo që e ndjen më shumë emërimin në këtë detyrë, ose të paktën është ajo që është në gjendje të shprehë ndonjë opinion rreth tij, pasi e vogla, e cila është 2 vjeç e gjysmë vetëm sa e njeh godinën e Prokurorisë së Përgjithshme kur ajo shfaqet në televizion, meqë shoqërohet gjithmonë ose me emrin tim ose me portretin dhe arrin të thotë me mënyren e saj: “Prokuroria e Përgjithshme”. Vajza e madhe ankohet çdo herë kur ndjen se për shkak të detyrës sime kufizohet në disa të drejta të saj dhe më thotë “po ç’deshe që u bëre prokurore, se ishe shumë mirë gjyqtare!”.

Po ju vetë keni menduar ndonjëherë kështu?

Do t’ju gënjeja në rast se do të thoja që nuk më ka ndodhur asnjëherë. E rëndësishme është që pas këtij momenti kam gjetur arsye të mjaftueshme për të besuar se e gjitha kjo ja vlen, prandaj edhe vazhdoj ta bëj këtë punë.

Ç’raport keni me celularin? Ju ndodh që ta fikni?

Ndonjëherë në fund të ditës shndërohet në një raport rraskapitës... Por asnjëherë nuk më ka qëlluar ta fik për të qëndruar në qetësi. Nuk e bëj, sepse nuk mendoj se duhet t’i shmang përgjegjësitë në këtë mënyrë. Çdo telefonatë mund të sjellë një shqetësim dhe ta mbyllësh celularin për ta injoruar, nuk më duket zgjidhja optimale. Ajo që bëj, është që përzgjedh problematikat që më përcillen në celular, por gjithmonë dua ta kem këtë mundësi, të cilën nuk mund ta realizoj në rast se thjesht fik telefonin. Me pak fjalë, qetësia që fitoj duke mos ditur se çfare pritet prej meje, është më e vogël se ajo që fitoj duke ditur se çfarë kam mundësi të bëj dhe çfarë më takon të bëj.

Këtu futen edhe telefonata të fisit apo miq të familjes që kërkojnë ndere apo favore?

Në të vërtetë kjo ndodh shumë rrallë, është i fundit i shqetësimeve të mia. Sepse ata që më njohin e dinë që asnjëherë nuk kam pasur veshë për të dëgjuar për ndere apo favore por, për të vendosur në vend një gjë që vlen dhe është e drejtë.

Prandaj e zgjodhët degën e drejtësisë?

Në fakt vetëm tani mund ta them se drejtësia është profesioni që më shkon më shumë për shtat. Dikur nuk mendoja kështu, madje e kam nisur këtë fakultet pa dëshirë fare, e detyruar nga një nëntë në katër vitet e gjimnazit, që më pengoi të merrja medaljen e artë dhe të zgjidhja degën që doja shumë në atë kohë: gjenetikën.

Mendova se do përmendnit teatrin... Aq më tepër që të nesërmen e emërimit si Prokurore e Përgjithshme, shtypi e lidhi emrin tuaj me atë të babait, Haxhi Rama.

Të rritesh me një baba që punën e përditshme e ka të lidhur me artin, do të thotë të jetosh një fëmijëri si në përrallë, të paktën për një njeri i cili e sheh artin si ushqimin e tij shpirtëror. Fëmijëria ime është e mbushur me kujtime që lidhen pikërisht me këtë botë, apo më mirë të them që jam rritur mes saj: kam qenë lexuesja e parë e veprave që ka shkruar im atë para se ato të viheshin në skenë dhe kam qenë kritikja e tij e parë, kam ndjekur shpesh aktorët në prova dhe nuk kam munguar në asnjë premierë, jo vetëm të pjesëve të tim eti por pothuaj në të gjitha ato që ka vënë në skenë teatri “Aleksandër Moisiu”. Ka qenë një lidhje vërtetë e fortë, e cila jo vetëm ka ndikuar në formimin tim por, kur kam kuptuar se do të niste të dobësohej sepse po vendosja të merrja një tjetër drejtim në jetë dhe interesi im tashmë do të fokusohej diku gjetkë, më ka ngjallur trishtim. E megjithatë jam përpjekur të jem vazhdimisht në kontakt në mënyre organike me gjithçka që lidhet me artin. Do ishte normale në fakt që të isha marrë me art, edhe unë vetë e kam menduar. Por im atë ma bëri të qartë shumë shumë shpejt se unë nuk vleja për këtë gjë, duke më thënë se në këtë fushë do mbetesha një individ i zakonshëm. Sipas konceptit të tij, pak a shumë “asgjë”.

Që në fotografitë e para, të nesërmen e emërimit, spikatët ndër të tjera edhe për elegancën dhe hiret femërore. A mendoni se një pjesë e suksesit qëndron edhe këtu?

Asnjëherë nuk e kam besuar se që të kesh sukses në një profesion, jashtë atyre që kanë të bëjnë me artin, të nevojitet edhe një paraqitje e mirë fizike. Ajo vlen vetëm në çastin e parë, kur hyn në një ambient të ri dhe vetëm kaq. Veçanërisht në këtë lloj profesioni do ta lija pamjen jashtë çdo ndikimi për sukses, të paktën unë nuk e konsideroj aspak si një armë drejt fitoreve.

Mjaft femra në politikë marrin tone burrërore ndërsa shquhen për reagime tipike femërore. Ndërkohë që tek ju bie në sy e kundërta: veshje mjaft femërore, ngjyra të ëmbla, ton i qetë zëri dhe një “kokëfortësi mashkullore” për të mos u tërhequr pas. Cilat janë modelet tuaja për sjelljet në publik?

Në të vërtetë nuk ndjek ndonjë model, dhe nuk më ka pëlqyer kurrë kjo gjë. Eshtë thelbësore që të jem vetvetja në ato që bëj dhe të ndihem në paqe me veten dhe me ato parimet e mia, mbi të cilat kam ngritur ekzistencën. Këshillat për sjelljet në publik i kam marrë që fëmijë, nëpërmjet prindërve të mi. Sigurisht që këshillat e tyre nuk kishin parasysh se unë do të bëhesha një ditë një person publik, por vetem se duhej të bëhesha një person që sillet mirë në shoqëri, që di të komunikoje dhe të njohë vlerat e atyre që e rrethojnë. Por, unë besoj se kjo ka vlejtur po njësoj.

Por a mund të ndjehet një femër e paragjykuar apo e sulmuar thjesht sepse është femër dhe ka një punë të rëndësishme?

Të tjerët munden ta paragjykojne dhe jam e bindur se kjo ndodh në të shumtën e rasteve. Por të ndjehesh ti vetë e paragjykuar sepse je femër, ky është kompleks inferioriteti dhe për mua është e patolerueshme. Mendoj se kjo është beteja e parë që një femër që aspiron të jetë dikushi duhet ta fitojë. Në rast se kjo nuk ndodh, zor se mund të ketë fitore të rëndësishme drejt aspirates së saj.

Një post si ky i Kryeprokurores, a mos është më i thjeshtë për meshkujt?

Mendoj se çdo lloj pune varet nga vullneti i njeriut që merr përsipër ta bëjë, nga ajo që ai do të arrijë dhe prioritetet e tij. Vendimmarrja është një proces njerëzor dhe nuk lidhet me gjininë. Se cili arrin të marrë më lehta vendimet, a cili drejton më mirë, kjo mbetet gjithmonë e lidhur me individin dhe profesionalizmin e tij.

Por mund të bëhet më e vështirë kryerja e një detyre të tillë nga femrat për shkak të orëve të kaluara jashtë shtëpisë. Ju vetë sa orë kalon në zyrë?

Mesatarisht 10 orë në ditë. Por ka edhe ditë të tëra që qëndroj edhe më shumë, kjo varet nga ngarkesa e punës.

Me pak fjalë gjithë kohën jashtë. Nga cilat punë të shtëpisë nuk keni hequr ende dorë dhe nuk mund t’ua besoni duarve të dikujt tjetër?

Nga veshja e vajzave të mia çdo mëngjes, kur ato nisen për në shkollë e kopësht. Të gjitha punët e tjera janë të delegueshme me përjashtim të kësaj dhe punës që bëj për t’i edukuar ato me kujdesin e nevojshëm që çdo femër duhet të ketë ndaj paraqitjes së saj të jashtme. E bëj me kënaqësi këtë gjë, duke u përpjekur të kombinoj veshjet e tyre me karakterin: vajza e madhe është më sport kurse e dyta pranon më lehtë veshjet vajzërore.

Po veshjet tuaja si i zgjidhni? Cili është stili i preferuar?

Jam munduar të ruaj të njëjtin stil të përhershëm në veshjet e mia, duke i bërë ato pak më zyrtare, por që gjithsesi të mbeten femërore. Stili im i preferuar mbetet diçka mes atij sportiv dhe elegant, pa teprime dhe pa shumë detaje që bien në sy. Më pëlqen që e veçanta e veshjes të dallohet nga një sy i kujdesshëm dhe jo nga kushdo. Përgjithësisht nuk më pëqen të dal nga stili im dhe nuk tentoj ta ndryshoj atë. Ky është edhe kriteri i parë që përdor kur zgjedh një veshje, pastaj sigurisht që duhet edhe të më rrijë mirë. Pastaj më pëlqejnë pa masë edhe xhinset, madje gjatë gjithë kohës sime të lirë janë pothuajse e vetmja veshje që më pëlqen të kem.

Xhinset pra janë “uniforma” e të shtunës?

Jo, sepse edhe e shtuna vazhdon të jetë ditë pune. Zakonisht pushoj të dielave, ditë në të cilën bëj ç’është e mundur që t’ia kushtoj vetëm familjes dhe miqve.

A kanë ndryshuar gjatë këtij viti marrëdhëniet shoqërore. Sa kohë u kushtoni miqve të vjeter dhe a keni krijuar miqësi të reja?

Jam mundur shumë të mos i ndryshoj raportet e mia shoqërore. Sigurisht që ato janë të kufizuara në kohë, për shkak të ngarkesës dhe angazhimeve të mia të punës por, mundohem të ruaj gjithmonë një raport shoqëror jashtë pozicionit të Prokurores së Përgjithshme. Kohën time të lirë më pëlqen ta kaloj me miqtë e mi te vjetër, e kam fjalën për njerëz me të cilët kam shoqëri të paktën prej dhjetë vitesh apo edhe më shumë, me të cilët jam e njohur dhe më ka pëlqyer ta kaloj kohën kur nuk isha në pozicionin që jam sot. Eshtë shumë e rëndësishme për mua që në këto ambiente unë jam thjesht Ina, që të mund të më thonë edhe që “tani po flet kot”, apo që të mund të flasim edhe për gjëra fare të vogla e jashtë problemeve që has çdo ditë në punën që bëj. Vijoj të kem një raport mjaft të veçantë me tim vëlla, i cili jeton në Itali: arrijmë të lexojmë tek njeri tjetri edhe ato mendime që të tjerët nuk arrijnë dot. Eshtë një nga personat, fjalët e të cilit, më fusin seriozisht në mendime. Ndërkohë kam krijuar shumë njohje të reja e të mira, por është shpejt të flasësh për miqësi.

Posti i Prokurores së Përgjithshme, ju detyron togën e shoqërimit. Sa ka ndikuar kjo në jetën tuaj private? Nga cilat gjëra keni hequr dorë?

Ka qenë një nga zakonet e reja që më ka rënduar shumë me marrjen e kësaj detyre, veçanërisht në ditët e para, kur ishte ende e vështirë të përcaktoje se ku mbaron detyrimi i togës së shoqërimit për të zbatuar detyrat e saj dhe ku fillon e drejta për të jetuar momentet personale të çdo dite. Me kalimin e kohës besoj se kam vendosur një raport të drejtë me togën time të shoqërimit, megjithëse kam kuptuar se nuk jam personi më adapt për t’u mundësuar atyre kryerjen e detyrës sipas të gjitha rregullave dhe rregulloreve. Jo vetëm për shkak të togës së shoqërimit por, për shkak të të qenit person publik kam qenë e detyruar të heq dorë nga shumë zakone të miat të përditshme, qoftë edhe nga të të dalurit vetëm nga shtëpia dhe marrjes së makinës për të bërë një xhiro pa motiv, qoftë nga një shëtitje nëpër rrugë apo një dalje për shopping apo pa ndonjë qëllim të caktuar... Duket sikur këto të drejta janë banale dhe njeriu nuk mund të ankohet që nuk i gëzon. Por në thelb ato janë thjesht humane dhe lidhen me ndjesinë e të qenit i lirë ose jo.

Në mbyllje të ditës, pasi toga e shoqërimit ju ka “dhënë lirinë”, me çfarë merreni?

Nuk kam një rregull të mirëpërcaktuar për mbrëmjet, përgjithësisht përpiqem t’i kaloj me familjen. Pavarësisht nga dita që kam kaluar, kur kthehem në shtëpi dhe gjej vajzën time të vogël që del tek dera me vrap duke thirrur e më fal dashuri pa fund dhe pa kushte, them që asgjë në botë nuk vlen më shumë se kjo dhe i gëzohem pa fund këtij momenti. Pastaj pjesën tjetër të mbrëmjes, e kaloj duke bërë gjërat që më kanë pëlqyer gjithmonë: lexoj letërsi dhe dëgjoj muzikë. Do të doja të frekuentoja më shumë teatrin apo kinemanë, por kjo nuk është gjithmonë e mundur. Së fundmi kam krijuar një raport më intensiv me pikturën, e cila më është shndërruar në lloj hobi të ri. Ndoshta sepse ajo më jep mundësinë të shijoj një vepër arti në intimitet, pa qenë e detyruar të shfaqem në publik, kështu që edhe ky lloj raporti me pikturat që kam në shtëpi më ndihmon të krijoj një gjendje të mirë artistike dhe çlodhëse.

Përmendët daljet në publik: si i ka përjetuar bashkëshorti juaj faktin që në shumë ambiente, përfshirë edhe median, duhet të prezantohet si “bashkëshorti i Kryeprokurores”?

Unë besoj se e ka përcjellë mirë faktin që prezantohet edhe si bashkëshorti i prokurores, rrethanë të cilën i është dashur ta konsiderojë seriozisht që në momentin kur kemi vendosur së bashku që unë të merrja përsipër një detyrë si kjo.

Si jeni njohur me bashkëshortin tuaj? Cili është profesioni i tij?

Përmes njohjeve të përbashkëta, si fillim ishim miq të mirë derisa kuptuam se ajo që na lidhte ishte shumë më tepër se kaq. Profesioni i tij është oficer policie, profesion të cilin e do shumë, pavarësisht problemeve që ai krijon.

Meqënëse u kthyem sërish te problemet, si i përjetojnë vajzat polemikat e mediave?

Në rastet e polemikave, që të dy mundohemi t’i mbajmë fëmijët jashtë diskutimeve që bëjmë rreth tyre dhe shpresoj që të mos jetojnë me to kur ato ndodhin. Të paktën jo në këtë moshë.

Po tek ju vetë, sa ndikojnë komentet e mediave? I ndiqni të gjitha edicionet e lajmeve apo gazetat?

Ndjeshmëria ime ndaj tyre varet nga shumë faktorë. Së pari nga fakti nëse komenti mbështetet mbi një të dhënë reale, apo ngrihet mbi një fakt të deformuar. Gjithsesi një koment kritik, i mbështetur mbi një fakt të vërtetë dhe i analizuar mirë, më bën të mendoj thellë, dhe pse jo, edhe të reflektoj. Nuk mund të them se i ndjek të gjitha edicionet e lajmeve por, duhet të them që azhornohem me lajmet e ditës dhe ndalem në ato që më interesojnë më shumë.

Jo vetëm sondazhi i revistës JETA, por edhe ai i televizionit “Top Channel” ju kanë përcaktuar femrën e vitit për 2008. Keni lënë pas në renditje femra të politikës, këngëtare dhe prezantuese, aktore. Pse mendoni se jeni më e votuara?

Fillimisht do të doja t’i falënderoja të gjithë ata që më kanë votuar. Pse kanë votuar për mua? Pa dyshim mendoj se kjo lidhet me faktin që prezenca ime në median e shkruar e vizive gjatë vitit që shkoi ka qenë dominuese në krahasim me femrat e tjera, të cilat kanë një rol publik në shoqërinë shqiptare, dominancë që ka ardhur në të vërtetë jo aq se unë e kam kërkuar këtë prani të mediave, gjithmonë për shkak të veprimeve të mia, por për shkak të ngjarjeve të rëndësishme në të cilat organi i Prokurorise është bërë faktor. Fakti që ky protagonizëm është përcjellë pozitivisht tek publiku, më jep kënaqësi por, do të tregoja mungesë të madhe modestie, nëse do të merrja përsipër të jepja arsyet. Gjithsesi, sipas meje, te qenurit femër në një post kaq të vështirë është gjithmonë një arsye e mjaftueshme për të mbetur në memorien dhe vlerësimin e publikut, sigurisht kur performon mirë detyrën që ke marrë përsipër.

Marrë nga revista “Jeta”

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama