Laert Vasili Pse me zgjodhen greket artistin e vitit
- Botuar: 18 vite më parë
- Shkruar nga:
Shtypi grek iu shpalli artistin e vitit 2008. Mund të na tregoni më shumë rreth këtij vlerësimi dhe si u ndiet?
Një nga gazetat greke “Elefterotipia” shpalli tetë personat e vitit 2008. Në këtë listë emri im zinte vendin e dytë. Mendoj se ishte nder i madh për mua duke qenë i vetmi aktor, që përfshihesha në të.
Djemtë e rinj që kanë emigruar në Greqi kanë pasur mbështetjen më të mirë të dashurat greke. Ju jeni njëri nga ata?
Të dashurat e mia si ato greke dhe shqiptare nuk kanë patur mundësinë të më qëndrojnë pranë se vet profili i punës sime pa orar bën të pamundur një marrëdhënie normale. Sa për djemtë shqiptarë në qoftë se kanë patur mbështetje apo jo nga të dashurat greke, mund t’ju përgjigjem me bindje se ato kanë qenë pedagoget e tyre në edukatën seksuale.
Pas kaq vitesh karrierë si aktor në Athinë, çfarë mendoni se keni arritur dhe çfarë s’keni mundur ende?
Pas 14 vitesh që punoj si aktor, mund të them se kam arritur një ëndërr të madhe që kisha, për të vënë në skenë një tragjedi greke në teatrin kombëtar shqiptar.
Aktorët në Shqipëri janë pothuaj kategoria me varfër e artistëve. Po në Greqi çfarë është një aktor profesionist?
Në të gjithë botën aktori është i varfër përveç aktorëve super stare të Hollivudit, dhe aktorëve të kinemasë evropiane. Kuptoj, që pyesni për varfëri materiale, përndryshe pasuria shpirtërore ne teatër nuk mund të shpërblehet materialisht.
Duke patur parasysh shfaqjet tuaja në Greqi, “Emigrantët” dhe “Një në dhjetë”, a keni plan t’i ktheheni sërish temës së emigrantëve?
Me shfaqjen “Emigrantët” u vlerësova me çmimin e parë të regjisë në Festivalin Ballkanik 2005-së. Me shfaqjen “Një në dhjetë” u vlerësova Mess Future Prize në Festivalin Ndërkombëtar të Sarajevos në 2008-të gjithmonë duke përfaqësuar Greqinë. Me këto dy çmime ka producentë që më ofrojnë teatrot e tyre për të bërë një shfaqje duke patur në thelb problematikën e emigrantëve. Por është endet herët për të filluar një projekt tjetër.
Jeni shquar po ashtu për përgjigje të zgjuara në media. Çfarë është inteligjenca për një aktor?
Aktori profesionist dallon nga aktori amator vetëm nga dëshirë që ka për të zgjeruar horizontet e tij nëpërmjet leximit të literaturës klasike dhe bashkëkohore, gjë që e bën të japë në skenë gjithmonë diçka të re.
Publiku shqiptar ju ka fiksuar në serialin televiziv “Dashuria erdhi nga larg”. Dashuria e vërtetë vjen nga afër apo nga larg?
Distancat larg dhe afër janë diametralisht të kundërta përveç faktin se ndjenjat nuk përputhen me gjeografinë.
Me çfarë po merreni aktualisht, dhe cila është shfaqja më e afërt?
Jam duke bërë prova në teatrin kombëtar, veprën “Ditari i një mashtruesi” të Ostrovskit, e cila do dalë në premierë 14 Shkurt në sallën qendrore teatrin kombëtar të Athinës.
Çfarë mund të kenë të përbashkët një skenë teatri me një fushë futbolli meqënëse i ke provuar të dyja?
Shpirti i skuadrës ku 11 veta bashkëpunojnë për golin, po ashtu dhe në teatër e gjithë trupa e aktorëve bashkëpunon për t’i krijuar publikut ndjesinë se ajo çka ndodh në skenë është e papërsëritshme dhe prezente.
Një aktor dihet që është i ndjeshëm, por çfarë mund të jetë diçka që nuk të bën përshtypje?
Ajo që nuk më bën përshtypje janë grindjet e politikanëve në fushatën elektorale.
Një 35 vjeçar është në momentin që duhet të martohet, apo është pak vonë?
Jam martuar dhe kam fatin të kem njëzet fëmijë, nga rolet që kam interpretuar deri tani.
Cila është komenti më i mirë që kanë bërë mediat greke për ju, por komenti më i keq?
Në një fjalë përmblidheshin të dyja bashkë. Ky aktor megjithëse me origjinë nga Shqipëria shkëlqen në skenë si grek.
Ndiheni shqiptar, apo grek?
Trupi i njeriut ka nevojë edhe për gjymtyrët e majta por edhe për ato të djathta. Mos më pyesni në qoftë se e majta është greke apo e djathta shqiptare. Mund t’ju them vetëm se funksionojnë në harmoni të plotë me njëratjetrën.
Sa herë keni rënë vërtet në dashuri, sa here keni provuar dhembje?
Vetë fjala “bie në dashuri” dëshmon se do të ketë dhimbje ndryshe do të thoshim u ngrit në dashuri apo qëndroi në dashuri. Folja “bie” shpjegon humbjen e ekuilibrit emocional dhe zhdukjen e logjikës. Kjo na shtyn të bëjmë veprime pa patur asnjë lloj mbrojtjeje dhe kështu në një të ardhme jo të largët do shkaktojmë dhimbje.
Cilat janë më të bukura, vajzat shqiptare apo greke?
Unë nuk mund të përgjigjem sepse nuk i kam njohur të gjitha. Ju si thoni, kush janë më të bukur çunat shqiptarë apo çunat grekë?
A mund ta përshkruanit me fjalë momentin erotik?
Momenti i cili më bën të humbas në thellësinë e vështrimit të vajzës, që kam përballë.
PanoramaPlus