Po nuk jemi këtu për festivalet, po për filmat. Olta nuk këndon vetëm në skena, por edhe në filma për fëmijë - këtë e kemi zbuluar vetëm pak ditë më parë, ku ajo na tregon se si e dubloi një vajzë me ngjyrë të moshës së saj, në filmin e quajtur "Barni". Dublon zërin e dy personazheve në këtë film, Sara dhe Karen, natyrisht këndon në serialin amerikan, i cili shfaqet edhe sot në ekranet për të vegjël. Ka jetuar bashkë me personazhin që kishte marrë si detyrë t\'i jepte "zë në shqip" për një periudhë të gjatë kohë.
Seriali kishte zgjatur disa muaj dhe bashkë më të vëllanë shkonte çdo ditë në studion e regjistrimit për të punuar, ku dhe kujton se ka marrë pagën e parë pas një pune. Në ndryshim nga shumë të tjerë, që me shumën e parë të të hollave që fitojnë, blejnë diçka që ta mbajnë si kujtim, Olta ka zgjedhur një mënyrën ndryshe. I ka vendosur ato në bankë, që shuma e tyre të rritet bashkë më të. Por kukullat nuk mungojnë as në dhomën e saj të ngjyrosur verdhë e blu e të mbushur me yje të imët e të vegjël. Një piano e vogël qëndron në qoshe të dhomës, ku Olta e prek tastierën e saj bardh e zi, sa herë që ka nevojë për tinguj. Duket se shpirti fëmijëror nuk i është ndarë ende këngëtares së Eurovizionit, që këtë herë ia la stafetën një tjetër bashkëmoshatareje të saj. Kukulla e saj e preferuar është "Barbi" e cila nuk mungon në radhën e arushave që kanë mbipopulluar atë dhomë katër me katër.
Olta, dimë se përveçse këndoni, realizon dhe filma të animuar, duke bërë dubluesen. Na tregon diçka për këtë?
Fillimisht ka qenë një gjë e nisur qëllimisht, por ka ardhur pak si rastësisht. Vëllai, i cili është më i vogël se unë, ka marrë pjesë një kompeticion për fëmijë. Ishte viti 2006, përfaqësues të një studioje, e cila dublon filma të animuar, ashtu sikurse dhe filma të tjerë, dilte në kërkim të aktorëve të rinj të vegjël, ka qenë vëllai im. Aty morën vesh se im vëlla kishte dhe një motër, e cila ishte këngëtare dhe menduan se mund të kisha cilësi dhe në aktrim apo dublim dhe, në këtë mënyrë, më provuan. Aty unë kam marrë edhe rrogën e parë për një punë.
Sa ishte shuma që keni marrë?
Më duket se ka qenë 250 mijë lekë të vjetra. Them se mirë kam marrë, për një fëmijë që këndonte, dublonte dhe pavarësisht se këndimin unë e kisha dhe pasion, të paguhesha që në atë moshë për diçka që unë e bëja edhe për qejf, kjo normalisht që ishte një stimulim shumë i madh.
Çfarë bëre me ato lekë që more nga dublimi i filmit?
Po nuk më kujtohet, më duket se i bashkova me ca lekë të tjerë dhe tashmë janë duke u rritur në banka. Nuk kam blerë gjë konkrete.
Cili ka qenë filmi që keni dubluar?
Ka qenë një serial për fëmijë, i titulluar "Barni". Aty, përveçse dublonim me fjalë, edhe këndonim, pasi kishte dhe pjesë të shumta muzikore që këndoheshin nga vetë protagonistët e atij seriali. Nuk ishte film vizatimor i animuar, por ishte me njerëz realë. Kishim personazhin që na karakterizonte. Ishte një eksperiencë që nuk e kisha provuar, nuk ma merrte mendja ta provoja. Ishte ndryshe nga të tjerat, por që më pëlqente dhe e shihja veten në një prizëm tjetër. Eksperiencë e bukur, që vlen të kujtohet.
Në atë serial dubloje vetëm zërin e njërit personazh, apo të disave?
Jo, ka qenë pak më e zgjeruar; unë kam kënduar dhe kam dubluar për dy personazhe që më ishin caktuar. Ofertat prapë vazhduan, pasi u ndava nga sezoni i parë i dublimit, por normalisht fakti që isha e impenjuar me punë të tjera, sepse, unë, sa fitova festivalin, nuk më linte më kohë që të merresha me filmat. Po të më vinte ndonjë ofertë tjetër do ta pranoja, sepse ishte e këndshme.
Cila ka qenë tematika e filmit, në të cilin ke qenë protagoniste me zë?
Ishte film për fëmijë me tematikë të përgjithshme, edukative. Serialet kryesore të famshme të Amerikës, që prodhohen atje. Personazhet e mi ishin Karmën dhe Sara, njëra prej së cilës ishte një vajzë zezake, me ngjyrë. Mendonin se përshtatej timbri i zërit tim me personazhin, në momentin kur këndonte bashkë me miqtë e saj, ashtu sikurse në momentin kur fliste. Ishte një vajzë e moshës sime. Çdo gjë vinte në promocion të moshës apo të zërit, sepse të tilla ishin cilësitë që kërkoheshin. "Barni" ka qenë personazhi kryesor i atij filmi, ai ishte një person i veshur me një veshje prej klouni. Ishte thjesht si një personazh i animuar, i cili jetonte mes atyre njerëzve realë. Përreth tij ishin disa personazhe fëmijë, që ndihmonin "Barnin" në përcjelljen e disa mesazheve që kanë qenë të rëndësishme për çdo fëmijë. Ishte film edukues për të vegjël, që tregohej nëpërmjet këngës, vizatimit, disa rregullave. Në çdo pjesë të filmit futej "Barni", si personazhi kryesor.
Do të donit që ajo eksperiencë të ripërsëritej?
Në qoftë se do më vinte një tjetër ofertë, si për të kënduar në një film, po ashtu edhe për të dubluar, normalisht që do ta kisha bërë dhe do ta pranoja. Kam shumë filma të preferuar, këto serialet me kukullën Barbi janë mjaft të dashur për mua, për shembull, princesha Barbi dhe Mjelma, duke qenë se paraqesin diçka, një personazh të dashur për çdo njeri.
Do të interpretonit një personazh negativ?
I druhem urrejtjes, sepse kur isha fëmijë vetë, i urreja personazhet negativë. Një personazh urrehet shumë lehtë dhe është e vështirë të fitosh simpatinë më vonë. Nuk e di nëse mund ta bëja mirë një anën negative.
Kolonën zanore e kujt filmi të animuar do të doje të realizoje?
Anastasijan. Ajo është trashëgimtarja e fisit të fundit të Romanovëve në Rusi. Aty Anastasija dashurohet me Dimitrin, që ka qenë shërbëtor në pallatin e saj në Rusi. Gjatë asaj kohe, kjo familje ra nga froni dhe është një histori e treguar këndshëm dhe në serial të animuar. Edhe vija melodike është shumë e bukur.
Do të preferonit të ishit aktore reale në një film?
Mbas një prove të rëndësishme ose mbas një trajtimi, ku do të më tregonin se realisht vlej për atë gjë, pse jo. Do më pëlqenin filmat muzikalë me të rinj, sepse dhe i ndjek.
Për çfarë keni ndërmend të studioni ?
Është një lëmsh me thënë të drejtën, sepse akoma nuk e kam të vendosur mirë se çfarë dua të bëjë dhe se cila degë do të jetë e mirë për mua, që të më ndihmojë dhe të jem e zonja në një fushë tjetër, përveçse këngës. Një mendje më thotë të vazhdoj për ekonomi. Lënda ime e preferuar është biologjia, por mami është një pengesë e madhe për të mos zgjedhur degën e mjekësisë. Për ekonomikun them se mund të kesh më shumë mundësi punësimi, ajo çka është më e rëndësishmja tani për tani në çdo vend. Kënga është një dhunti që ma ka dhënë natyra, zoti, një talent që ia vlen të kultivohet që, duke pasur mënyra të tjera, pse të harxhoj një jetë të tërë shkolle vetëm për zërin, kur unë mund t\'i bëj të dyja së bashku. Një kurs privat mund të bëjë zërin, ashtu sikurse në një moment tjetër do të zgjidhja një degë tjetër, që është rëndësishme dhe kështu luaj me dy gjëra në xhep dhe jo me një, mund të luaj me dy gurë.
Ju kemi parë, disa ditë më parë, pjesë të një kamere të fshehtë. Si ratë pre e saj?
Po, bashkëpunëtor i kamerës ishte babi im, ishte ai që më futi në kurth. Kishte rënë dakord me organizatorët për realizimin e kamerës dhe i dinte të gjitha. Me morën në telefon nga Vizion plus dhe më thonë se do të drejtoja një emision, por nuk do të isha vetëm drejtuese, por do të bëja dhe voks pope në rrugë. Nejse, pranova. Dal për xhirime bashkë me një vajzë tjetër që do të më ndihmonte. Tema ishte; "Bukuria". Unë duhet të pyesja kalimtarët, se çfarë mendimi kishin për bukurinë shqiptare. Kështu bëra, gjithçka ishte e inskenuar. Kur pyeta një vajzë, ajo më kthehet; "Ik më, u bëre ti surrat qofte të më pyesësh mua për bukurinë shqiptare"! Aty u shtanga fare dhe thashë me vete, çfarë është kjo. Më pas e provoj dhe me një djalë, i drejtoj pyetjen, ai fillon dhe heq këmishën dhe me thotë mua, kjo është bukuria shqiptare. Aty fillova me të qarë, i dorëzova mikrofonin asaj vajzës dhe thashë nuk e bëj dot këtë punë.
Çfarë ndjeve në ato momente, nuk ndjeve që mund të ishte një kamerë e fshehtë?
Jo, absolutisht fare. Unë isha aq e hutuar, sa dhe kur më thanë që ishte lojë, nuk e kuptoja. Thashë me vete, pse më ndodhin mua gjithë këto gjëra, kaq e padëshiruar qenkam unë për këta njerëz?! Deri në atë kohë kisha kaluar shumë strese, jo kontestimet për këngën apo Festivali i Evrovizionit në Beograd, prandaj u preka shumë.
Muzika
Pret të niset për në Bullgari, ku do të realizojë dhe klipin e saj të dytë. Premton se do jetë këngë shume e bukur dhe që pret suksesin nga publiku. Rryma do të jetë baladë, aty ku Olta ndihet si në shtypin e saj. Tingujt e baladës i konsideron profesionistë, janë këngë që më përshtaten me zërin, thotë ajo. Nuk do të ngelet vetëm në këtë rrymë, madje na premton se në verë do të nxjerrë një këngë ritmike, sepse e quan stinë, e cila ka nevojë për ritme. Por, sa i përket pjesëmarrjes në festivale, duket se në këto momenti i ka dhënë "block", pret të promovohet me klipe, ndërsa skenat e konkurrimit le të presin radhën. Kur e pyesim për jetën e përditshme, na tregon se ajo rrjedh shumë thjesht, shkolla në pjesën e paradites, më pas në shtëpi, çlodhja dhe përgatitja e detyrave për të nesërmen. Është një nxënëse shumë e mirë në të gjitha lëndët. Olta na rrëfen se nuk i pëlqen ta shpërdorojë kohën duke dalë për kafe, siç është bërë e modës tani nga moshatarët e saj, madje shumë rrallë mund ta bëjë këtë.
Reshit Boka; më ranë lotët kur Olta fitoi festivalin
Gjaku i këngës në familjen Boka nuk ka ardhur rastësisht. Këngëtarja e suksesshme, Olta Boka, është vajza e një këngëtari po kaq të pëlqyer në muzikën popullore. Duke intervistuar Oltën, mësuam se i ati i saj ishte Reshit Boka, emër ky i dëgjuar për këngët e Shqipërisë së Mesme. Kitara është instrumenti i preferuar i Reshitit dhe pjesën më të madhe të kohës e kalon më të. Për vajzën ai ka qenë një ndihmesë shumë e madhe dhe e ka shoqëruar vazhdimisht ngado. I ka përjetuar me emocion çmimet dhe pjesëmarrjet e së bijës në evenimente të ndryshme muzikore. Ai kujton se në momentin që dëgjoi në skenën e Pallatit të Kongreseve, që vajza e tij fitoi çmimin e parë, i ranë lotët. Ishte një emocion i pakrahasueshëm, thotë, sepse Olta do të prezantonte Shqipërinë në Eurovizion. Të gjithë këndojnë në këtë familje dhe, bashkëshortja, rrëfen Boka, që nuk di të këndojë, e shumta e shumta, kur lan enët, ia thërret ndonjë kënge.
Reshit Boka, emrin tuaj e kemi dëgjuar në prezantime të ndryshme të këngës popullore. Na thoni diçka me tepër për veten tuaj ?
Jam këngëtar i këngës popullore qytetare. Kam marrë pjesë në shumë evenimente kombëtare dhe ndërkombëtare, si Maratona e Këngës Popullore Qytetare, Sofra e Tiranës, Kënga Qytetare e organizuar në Elbasan, por edhe jashtë Shqipërisë me Ansamblin Tirana. Unë, qysh në adoleshencë kam kënduar jo vetëm këngë popullore, por edhe ato të lehtat, serenatat, këngët e liqenit. Kryesisht këndoj këngë të Shqipërisë së Mesme. Këngët e jugut i përdor më shumë në festa familjare apo dasma.
Keni marrë ndonjëherë pjesë në festivalet e muzikës së lehtë?
Këngën e lehtë e kam pas dëshirë dhe e kam kënduar për qejf qysh në fëmijëri, adoleshencë e në rini. Me kalimin e kohës u adoptova tek tradita më shumë për nevoja ekonomike dhe jam i kënaqur që zgjodha këtë lloj zhanri. Të qenit muzikant është një profesion, me të cilin unë jetoj. Bashkëpunimet e mia me kolegë, me këngëtarë, kanë qenë të shumta, si me Artiola Toskën, Greta Zanin, Valbona Halilin.
Ju vetëm këndoni apo edhe prodhoni muzikë?
Me raste bashkëpunoj me këto këngëtarë të muzikës popullore në aktivitete të ndryshme. Këndoj jo vetëm këngë popullore të kënduara ndër vite, por dhe krijime. Bashkëpunimi më i afërt i imi është me Jorgo Papingjin. Kam dëshirë gjithashtu të bashkëpunoj me Edi Balilin, po nuk e di se sa do të realizohet, këto janë planet.
Familja Boka ka një traditë të hershme familjare, apo jeni ju i pari dhe më pas vijnë fëmijët tuaj?
Jo nuk është se vijmë nga një familje muzikantësh me traditë në këtë fushë. As im atë dhe as nëna ime nuk kanë qenë këngëtarë të afirmuar, ata thjeshtë kanë kënduar për vetën e tyre, por asnjëherë për të tjerët. Person i dukshëm nga familja jonë dhe që është afirmuar, jam unë, por edhe Olta tashmë. Më parë askush nuk ka dalë në skena. Në festa dhe gëzime familjare këndojmë të gjithë, ashtu si bëjmë sot e kësaj dite.
Olta e do këngën popullore?
Ne jemi një familje që jemi ushqyer me këngën popullore. Çdo ditë, në shtëpinë tonë, tingujt e klarinetës nuk mungojnë. Normalisht që Olta e do këtë muzikë, madje kam bindjen që e këndon shumë mirë. Deri më tani nuk kemi bërë ndonjë eksperiment që të këndojë në lidhje me këtë fushë, po në ta ardhmen, pse jo, mund ta provojë. Nuk do ta pengoj Oltën në zhvillimin e jetës së saj. Deri sa të konsolidohet mirë. Ajo ka qysh e vogël që këndon, por duhet të jetë Olta të vendosë në lidhje më zhanrin e muzikës që do përdorë.
Keni menduar të realizoni një duet me vajzën tuaj?
Nuk e kam menduar. Ndoshta po, nuk e përjashtoj, madje Petri Bozo, kur na ftoi natën e Vitit të Ri në Radiotelevizionin Shqiptar, më tha që do të ishte mirë të kishim një bashkëpunim bashkë me Oltën. Në të ardhmen ndoshta. Kurrë mos thuaj kurrë. Atë ditë thash që do ta kem parasysh ta ideoj një gjë të tillë, sepse morën pjesë të gjitha familjet në traditë të muzikantëve e këngëtarëve. Ideja e Petri Bozës dhe kjo pyetja juaj sikur po më ngacmon pak për një duet në të ardhmen.
Si ju duken festivalet e organizuara për këngën popullore?
Natyrisht që janë shumë të mira, sepse nxjerrin në pah vlerat e këngëtarëve të mirëfilltë të këngës popullore qytetare. Sot ka shumë këngëtarë që nuk dua t\'i fyej, por që kanë guximin të marrin pjesë në eveniment të tilla. Që të marrësh një vlerësim, sepse të pjesëmarrja në to është vlerësim më vete, duhet që të kesh talent dhe vlera. Që ti të këndosh këngën popullore qytetare, është shumë e vështirë dhe të duhet një stazh pune. Të duhet eksperiencë, kjo është shumë e rëndësishme.
Është përhapur shumë muzika tallave, sa e ndihmon apo e pengon kjo zhvillimin e muzikës shqiptare?
Tallavaja nga popullorja ndryshon, sepse tallavja ka një origjinë që nuk është shqiptare dhe pa dashje ka hyrë në Shqipëri. Rinia e do këtë lloj muzike, se për momentin krijon alegro. Kjo nuk është së është autoktone shqiptare, është e huazuar nga Turqia, Bullgaria, Rumania, Greqia. Ne kemi muzikën tonë që ka vlera të pakrahasueshme. Po të flasësh për vlerat e këngës popullore qytetare, do shumë kohë.
Ka më shumë prodhimtari të këngës popullore sot, apo më parë?
Në fakt, sot në treg dallohen krijimet e mira dhe ato jo të mira. Unë doja të nënvizoja faktin e kompozitorëve, që me të vërtetë kanë dhënë vlera në krijimin e fondit të artë të muzikës shqiptare. Për shembull, Edi Balili. Ka qenë shumë i talentuar qysh i vogël dhe më të kam bërë një album në vitet \'95-\'96.
Sa albume numëron tuajt?
Tani, që t\'i numëroj, nuk janë pak, mund të jenë nja 6 albume. Unë kam bashkëpunuar edhe me kolegun tim, Bujar Çiçin.
Përveçse këndoni, i bini ndonjë instrumenti muzikor?
Po, i bie kitarës, i kam rënë gjithmonë, që i vogël, madje deri në një farë kohe kam qenë edhe muzikant. Nuk është se kam bërë shkollë për këngën, po kjo nuk të privon që ti ta këndosh dhe ta ushtrosh si profesion. Jorgo Papingji është më adap për krijimin e teksteve. Nuk dua t\'i fyej të tjerët, po Jorgo është më goditës për sa i përket teksteve të këngës popullore. E gjen fabulën në mënyrë perfekte që, kur ta dëgjojë tjetri, të dëgjojë edhe melodinë, dhe fjalët lidhen shumë mirë.
Për Oltën keni qenë një ndihmë e madhe në drejtim të këngës. Si e shikoni zhvillimin dhe talentin e saj muzikor?
Pa dyshim që po, kam qenë një mbështetje. Dhe nga Olta nuk ka pasur kundërshti, aq më tepër që unë jam vetë në këtë fushë dhe që është shumë pozitive për të. Unë dua që ajo të ecë me këmbët e veta, t\'i krijojë vetë marrëdhëniet me të gjithë. Ajo është mësuar keq dhe kërkon gjithmonë përkrahjen time, dhe në bashkëbisedim me kompozitorë më kërkon mua. Nejse, Olta sapo i ka kaluar të 17-tat, dhe tashmë kam besim që do t\'ia marrë dorën.
Si u ndjetë kur Olta u shpall fituese e Festivalet në Radiotelevizionin Shqiptar?
Oo, shumë i emocionuar. Isha në sallë së bashku me bashkëshorten time dhe dy miqtë tanë. Nuk e mendoja, arrija ta shihja deri te vendi i tretë, por që të dilte në vend të parë, nuk ma priste mendja. Kur doli që Olta kishte marrë pikët dhe ishte fituesja e festivalit, të them të drejtën më ranë lotët. Gruaja gëzonte, duartrokiste, ndërsa unë qava, nuk e mbajta dot. Olta për vete ka qarë dy orë më pas. E kam shoqëruar ngado; në Itali, ku u bë regjistrimi i këngës, në Kosovë, Maqedoni, Turqi, pa diskutim dhe në Beograd. Këtu dua të theksoj se Shqipëria ishte i vetmi vend që nuk organizoi festën e vet, për të promovuar këngën që do e përfaqësonte në Evrovizion. Dhe për këtë më vjen shumë keq. Ne shkonim në festat e të tjerëve, ndërsa vetë nuk bëmë asgjë, ky është një turp, se ne në radhë të parë duhet të vlerësojmë veten tonë dhe më pas të na vlerësojnë të tjerët.
Si i përjetuat kontestimet për këngën e vajzës suaj?
Tashmë ajo ka kaluar, por më kujtohet një miku im, që më tha me shaka: Mirë mo Shit, jurinë në Tiranë e bleve, po atë në Beograd nga e gjete mikun që u fute dhe dole ne finale". Ishte e pamundur që unë të blija jurinë, nejse, iku ajo kohë.
Gazeta: Shekulli











