Batutat e Lazes ne qeline e policise
- Botuar: 18 vite më parë
- Shkruar nga:
“Çuna, nuk dua t`ju rëndoj me fjalë. Për çfarë më keni sjellë këtu”?! Këto kanë qenë fjalët me të cilat presidenti i Elbasanit Arben Laze u është drejtuar hetuesve të policisë dhe Krimeve të Rënda në përballjen e parë me ta, pas arrestimit me akuzën e trafikut të drogës në formën e grupit të strukturuar kriminal. Mbrëmjen e së mërkurës më 24 dhjetor, biznesmeni i njohur si financuesi i ekipit të futbollit të qytetit të Elbasanit, ka qenë i pari mes katër të arrestuarve që është thirrur për t’u marrë në pyetje nga hetuesit. Që në fillim të seancës, biznesmeni 39-vjeçar ka bërë të paditurin, duke pyetur me gjakftohtësi për shkakun e ndalimit në polici. Kreu i futbollit elbasanas u ndalua rreth orës 17:00, ndërsa dy orë më vonë ka dalë nga dhomat e izolimit të Drejtorisë së Policisë së Tiranës dhe është thirrur në qelinë e hetimit. Pasi ka pyetur hetuesit për shkakun e ndalimit, biznesmeni ka dëgjuar me hollësi hetuesit, teksa i tregonin për telefonatat, takimet, bisedat, pagesat dhe veprimtarinë e tij gjatë muajve të fundit. Një veprimtari e cila, sipas hetuesve, e implikon presidentin e Elbasanit në trafikimin e lëndëve narkotike përmes grupit të organizuar kriminal. I përballur me përshkrimin e hollësishëm të veprimeve që ai vetë kishte kryer, presidenti i arrestuar i Elbasanit Arben Laze, ka ndryshuar pozicion, duke mos shqiptuar asgjë më shumë sesa fjalët: Kërkoj një avokat. Më pas, hetuesit kanë vijuar me pyetjen e të arrestuarve të tjerë të aksionit antidrogë të koduar “Mesfushori”. Fajton Laze, vëllai i sponsorit të ekipit elbasanas të futbollit është thirrur nga hetuesit, të cilët i kanë komunikuar edhe akuzën e armëmbajtjes pa leje pasi gjatë ndalimit i është gjetur një armë zjarri pa leje tip pistoletë. Vëllai i Arben Lazes ka preferuar të heshtë ndërsa oficerët e hetimit kanë vijuar me pyetjen e dy të ndaluarve të tjerë, Arben Prifti nga Fieri dhe Shkëlqim Hyzmo nga Lushnja. Edhe këta të fundit kanë preferuar të heshtin përballë hetuesve, të cilët u kanë komunikuar akuzat të dyshuarve. Sipas burimeve zyrtare, Prokuroria e Krimeve të Rënda do të depozitojë ditën e sotme në Gjykatë, kërkesën për caktimin e masës së sigurisë ndaj Arben Lazes dhe tre të tjerëve, ndërsa seanca pritet të zhvillohet ditën e nesërme.
Presidenti në trafik droge
Biznesmeni i njohur Arben Laze shfaqej publikisht në krah të ekipit të futbollit të Elbasanit, ndërsa prej tre muajve ishte vendosur në qendër të një hetimi të Prokurorisë së Krimeve të Rënda për akuzën e trafikut të drogës. Gjatë këtij hetimi, Prokuroria dhe policia kanë mbajtur në survejim biznesmenin dhe një grup të gjerë bashkëpunëtorësh të tij. Nga survejimi është mësuar se të martën e kësaj jave, Arben Laze është nisur për në Maqedoni, pasi ka marrë një porosi për 1043 gramë heroinë, nga shtetasi Arben Prifti me qëndrim në Fier. Sipas akuzës, Laze ka dhënë konfirmimin, është nisur për në Maqedoni dhe më pas me anë të telefonit ka porositur vëllain e tij Fajton Laze, për të bërë dorëzimin e lëndës narkotike. Heroina i është dorëzuar shtetasit Shkëlqim Hyzmo në Lushnje, por menjëherë është bllokuar nga policia e cila pasi ka këqyrur telefonin e blerësit te drogës, ka arrestuar edhe porositësin e saj Arben Prifti. Telefonatat e këtij të fundit kanë nxjerrë në pah implikimin e Fatjon Lazes, e më pas edhe të vetë presidentit të Elbasanit, i cili nga ana tjetër ishte përgjuar teksa fliste për ngarkesën e drogës dhe dorëzimin e saj. Pas zbardhjes së këtyre fakteve, prokuroria menjëherë urdhëroi arrestimin e katër të implikuarve ndërsa Arben Laze ra në pranga vetëm pak çaste pasi kishte hyrë në Shqipëri nga Qafë-Thana, teksa po kthehej nga Maqedonia. Burimet zyrtare kanë dyshime serioze se udhëtimi i Lazes për në Maqedoni është bërë për likujdimin e sasive të drogës. Kjo për faktin se pak ditë më parë ai dyshohet se ka tërhequr një shumë parash nga një bankë në formën e kredisë. Droga nisej nga Turqia dhe pasi mbërrinte në Maqedoni, i dorëzohej biznesmenit ose njerëzve të tij në vendin fqinj me Shqipërinë. Prokuroria tha se pasi hynte në Shqipëri, sasia e drogës trafikohej sipas rastit në Itali ose në Greqi. Hetuesit po verifikojnë edhe pasuritë e biznesmenit të arrestuar, por sipas të dhënave paraprake ai nuk ka llogari të dyshimta në banka ndërsa zotëron disa pasuri të paluajtshme kryesisht në qytetin e Elbasanit.
Elbasani, qyteti dhe ekipi i tronditur pas arrestimit
Dje i gjithë ambienti futbollistik në qytetin e Elbasanit ka qenë i tronditur nga arrestimi i presidentit të klubit, Arben Laze, i cili pak përpara arrestimit ka qenë duke u marrë me përgatitjet për ndeshjen kundër Besës. Një ndeshje, të cilën presidenti Laze synonte që bashkë me ekipin e tij ta fitonte ditën e shtunë dhe të bënin një mbyllje sa më të mirë vitit 2008. Ditën e nesërme pritet që në shkallët e stadiumit të Elbasanit të ketë një pjesëmarrje të gjerë nga ana e tifozerisë vendase, e cila do të mbështesë me mish e shpirt ekipin e zemrës, që sot ka nevojë më shumë se kurrë nevojë për to. Disa nga tifozët e zjarrtë të ekipit verdheblu pretendojnë se ndaj Arben Lazes gjithçka ka qenë e sajuar me qëllim që të shkatërrohet futbolli i Elbasanit.
Tifozët e Elbasanit janë të mendimit se arrestimi i Lazes ka qenë i qëllimshëm dhe është bërë për të dëmtuar ekipin e Elbasanit. Këto fjalë dëgjoheshin dje në mbarë opinionin sportive në qytetit e Elbasanit, por dhe në terrenet stërvitore të kompleksit “Shefqet Lamçja” një ditë pas arrestimit të presidentit, Arben Laze. Gjithçka të duket e çuditshme teksa mendon se Arben Laze deri pak orë para se të arrestohej ka qenë duke u marrë me punët e çdo dite që kanë të bëjnë me mbarëvajtjen e ekipit.
Familja
Në shtëpinë e presidentit të Elbasanit, Arben Laze duket sikur ka rënë rrufeja. Askush nuk mund t’i qetësojë familjarët e tij në lidhje me këtë çështje. E vetmja gjë që mësohet është fakti se familjarët e presidentit Laze vazhdojnë të dyshojnë për arrestimin e Arbenit. Ato janë ende të pa qartë në lidhje me këtë ngjarje, që ka tronditur pa masë prindërit e Lazes, bashkëshorten dhe dy fëmijët e tij, por dhe miq të familjes e të afërm të tjerë. Ato kanë shumë dyshime në lidhje me akuzat e ngritura.
Skuadra
Pas takimit me Kryebashkiakun e Elbasanit njëkohësisht dhe aksioner nëpërmjet institucionit që drejton prej afro dy vitesh, ka reaguar dhe kapiteni i ekipit verdheblu, Juljan Ahmataj, i cili veçmas me shokët e ekipit të tij u ka kërkuar atyre që të japin maksimumin dhe të vendosin shpirtin në fushën e lojës kundër ekipit të Besës këtë javë. Ahmataj, i tronditur nga arrestimi i presidentit, Arben Laze ka deklaruar: “Në ekipin ku unë bën pjesë asgjë nga këto që kanë ndodhur nuk ka për të ndikuar në ndeshjen kundër Besës së Kavajës, por përkundrazi të gjithë ne do të japim maksimumin”, - u shpreh ai.
Policia: Për Lazen përgjuam 20 persona
TIRANE - Hetimi ndaj presidentit të klubit të futbollit të Elbasanit, Arben Laze dhe pjesëtarët e grupit të arrestuar nga policia dy ditë më parë, ka nisur që në muajin shtator 2008. Burime nga Policia e Shtetit thanë dje se hetimi ka nisur rreth katër muaj më parë, ndërsa për personat e marrë nën hetim ishin kërkuar vendime përgjimi nga Gjykata e Krimeve të Rënda, nëpërmjet prokurorisë për rreth 20 persona. Kjo ndaj katër personave të arrestuar dy ditë më parë, me qëllim dokumentimin dhe evidentimin e veprimtarisë kriminale të tyre. Të njëjtat burime pohuan se në muajin shtator, policia ia ka përcjellë procedimin penal, për kompetencë prokurorisë së Krimeve të Rënda. Pas regjistrimit të procedimit nga ky organ, policia ka marrë përgjigje pozitive për të vazhduar hetimet e mëtejshme. Për Arben Priftin, Shkëlqim Hyzmon dhe vëllezërit Arben e Fation Laze, policia ka ngritur një grup të posaçëm të cilët janë marrë me mbajtjen në vëzhgim të personave të personave të autorizuar nga organi i akuzës dhe Gjykatës. Nga informacionet që posedonte policia, dyshohet se Laze kishte ngritur një rrjet të trafikut të heroinës nga Turqia në Maqedoni, nëpërmjet një personi të tretë, që e sillte mallin në Maqedoni. Prej andej dyshohet se heroina vinte në Shqipëri, për tregun e brendshëm, atë italian dhe më së shumti në drejtim të Greqisë. Gjatë momentit të marrjes në pyetje, të arrestuarit nga policia nuk kanë preferuar të japin shpjegime.
Panorama