Pakti i fshehte LSI i jep votat PD

Pakti i fshehtë, LSI i jep votat PD

Deputetët e LSI-së kanë shpëtuar mazhorancën, duke bashkuar votat me të për miratimin e Kodit Ajror. Shumica, falë votave të LSI-së, ka siguruar 84 votat e nevojshme për kalimin e një ligji të tillë, që kërkon një shumicë të cilësuar

Ndërsa nga njëra anë kërkon bashkimin me socialistët, nga ana tjetër, Lëvizja Socialiste për Integrim bashkëpunon me demokratët, duke minuar kështu çdo përpjekje për bashkimin e të gjithë socialistëve në një koalicion parazgjedhor. Në një kohë kur e gjithë opozita kishte bllokuar Kuvendin në shenjë mospajtimi me ligjin e dosjeve dhe vonesat që po shkakton mazhoranca me shqyrtimin e dekretit të Presidentit për Kodin Zgjedhor, deputetët e Lëvizjes Socialiste për Integrim kanë bashkuar votat me deputetët e djathtë për miratimin e Kodit Ajror. Për shkak se Kodi i miratuar përfshihet tek ligjet që kërkojnë një shumicë të cilësuar votash, pra 84, qeveria e gjendur me gjysmën e Kuvendit bosh, ku deputetët e PS-së, PSD-së dhe PDK-së kishin braktisur sallën, ka mundur që të arrijë të miratojë ligjin, falë mbështetjes dhe mirëkuptimit që ka gjetur nga deputetët e LSI-së.

Nuk dihet nëse ky bashkëpunim është pjesë e një pakti të fshehtë të arritur mes PD-së dhe LSI-së, por zhvillimet e djeshme në Kuvend flasin qartë për një mirëkuptim jo të rastësishëm të këtyre dy forcave, duke siguruar minimumin e kuorumit të domosdoshëm për të miratuar një ligj të tillë. Dyshimet se bashkimi i votave kanë qenë produkt i një marrëveshjeje të fshehtë mes LSI-së dhe PD-së, përforcohen edhe më shumë po të përmendim faktin se vetëm një orë para se të kryhej votimi për Kodin Ajror, Kryeministri Sali Berisha kishte deklaruar se do të votonte edhe Kodin Zgjedhor me Ilir Metën. Faktikisht, ky i fundit duket se, për të mos u kompromentuar hapur për një bashkëpunim me PD-në, nuk ka marrë pjesë në këtë votim, duke çuar në të vetëm deputetët e tij.

Natyrisht, nga ana e saj, PD-ja kërkon ta shfrytëzojë këtë moment si mjet presioni ndaj socialistëve, duke u treguar këtyre të fundit se largimi nga Kuvendi s’do ta pengojë atë të kalojë pa konsensusin e opozitës edhe ligje që kërkojnë një shumicë të cilësuar votash, siç mund të jetë ai i prokurorisë, ndryshimet në kodin penal dhe atë të procedurës penale, apo edhe Kodin Zgjedhor. Ndërkohë, Kodi Ajror i miratuar dje në Kuvend, synon të krijohet baza ligjore e gjithë veprimtarisë së kësaj fushe, si operimit ajror dhe aeroportual, i shërbimeve kryesore dhe ndihmëse të aviacionit, krijimi dhe funksionimi i strukturave të institucioneve dhe të industrisë së aviacionit, si dhe përdorimit të hapësirës ajrore shqiptare.

Ligji transformon Drejtorinë e Aviacionit Civil në Autoritetin e Aviacionit Civil, si një agjenci shtetërore me statusin e një ndërmarrjeje publike, por me buxhet dhe politikë të sajën të pagave. Detyrë kryesore e kësaj agjencie do të jetë licencimi dhe certifikimi i transportuesve ajrorë, si dhe inspektimi i zbatueshmërisë së detyrimeve ligjore që do të lindin nga ky projekt. Nëpërmjet këtij kodi përcaktohen, për herë të parë në mënyrë të qartë, edhe procedurat, dhe mënyra e vendosjes së tarifave dhe çmimit të këtij transporti.

Kryesisht, përcaktimi i çmimeve i lihet tregut, por duke vendosur si një klauzolë të veçantë ndërhyrjen e ministrit për të vendosur apo rregulluar ato konform vlerës reale. Duke u bazuar në përvojën dhe praktikën europiane në fushën e aviacionit civil, hartuesit e këtij ligji i kanë kushtuar një rëndësi të veçantë dhe rasteve të aksidenteve dhe dëmtimeve fizike dhe materiale të pasagjerëve gjatë udhëtimit.

Në një kapitull të veçantë bëhet në mënyrë të detajuar përcaktimi i të gjitha hapave, që nga investigimi dhe dëmshpërblimi për të gjitha pasojat që vijnë nga incidentet apo aksidentet ajrore. Kështu, në rast vdekjeje të një personi, kompensimi përfshin koston e trajtimit mjekësor, të ardhurat e munguara të viktimës së aksidentit gjatë trajtimit mjekësor deri në çastin e vdekjes dhe koston e funeralit, të cilat i rimbursohen personit që është i detyruar të mbulojë këto shpenzime deri në masën e 100 mijë USD-ve.


Gazeta: Shekulli


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama