Por ish-kryeministri pranon se është folur jo pak për politikën, ngaqë ata në radhë të parë ishin aktorë të rëndësishëm të politikës shqiptare të asaj kohe. Në intervistën e tij për "Shqip", Meksi deklaron se "u bisedua në përgjithësi mbi gjendjen në Shqipëri. Probleme që kishin të bënin me vendin; gjendjen e Shqipërisë; a do bëhet Shqipëria; sa kohë duhet etj.; por, z.Meksi, si një politikan profesionist, normalisht duket se mban edhe gjëra për vete, si për takimin e Triestes, apo edhe për të tjerë që erdhën më pas, ku politikanët ndërkombëtarë kanë tentuar të pajtonin aktorët shqiptarë të politikës. Ish-kryeministri Aleksandër Meksi, përmend ish-kreun e socialistëve italianë, të ndjerin Betino Kraksi, i cili inicioi një takim mes Berishës, Meksit, Godos, por edhe me eksponentë të Partisë Socialiste, që ish-kryeministri nuk i përmend...
Z.Meksi, ia kishit dhënë dorën ndonjëherë më përpara Fatos Nanos?
Besoj se po, pasi në kohën kur isha nënkryetar Parlamenti, në vitin 1991, ia kisha dhënë dorën jo vetëm Fatosit, si deputet, por të gjithë deputetëve të Partisë Socialiste.
Kush ishte Fatos Nano në atë kohë për ju?
Fatos Nanon në atë kohë e konsideronim Kryeministër të qeverisë komuniste, të asaj postkomuniste - të qeverisë së stabilitetit të vitit 1991 - dhe kishim bërtitur shumë rrugëve për ta rrëzuar, gjë shumë normale në Shqipërinë e asaj kohe.
Domethënë, ishte armiku "par exelence"?
Ishte kundërshtari politik "par exelence", armiq kam përrallat e Enver Hoxhës, nuk besoj ato të Fatosit. Ishte kundërshtari që duhej rrëzuar me grevat e minierave në qershor, për të mirën e Shqipërisë, ku unë kam marrë pjesë aktive. Mbetej kryetari i Partisë Socialiste, që u krijua po në qershor.
Të flasim për takimin në fjalë. E dinit që në atë konferencë ku po shkonit qe i pranishëm edhe Fatos Nano? U takuat me të gjatë udhëtimit?
Në atë kohë nuk kishin nisur ende sekretet. E dinim shumë mirë që do të bënte edhe Fatos Nano pjesë në delegacion. Me të mbërritur u takuam me Ylli Jasën, të cilin nuk e kam takuar më që atëherë, ndërkohë që me familjen e tij kam pasur njohje që më parë. Ndërsa, Mentor Çokun nuk e njihja, megjithëse kishte qenë shumë pranë rrethit tim familjar. Që nga ai takim, krijuam një miqësi që e ruajtëm gjatë gjithë kohës që kam qenë Kryeministër. E kam pritur edhe disa herë në Kryeministri. Për sa i përket Fatos Nanos, nuk më kujtohet nëse e takova gjatë rrugës. Por besoj se duhet të jemi takuar në avion, në rast se kemi udhëtuar në të njëjtin aeroplan.
Është përfolur shumë ai takim...
Unë nuk shoh asgjë të çuditshme. Në Shqipëri ata që nuk dinë ç‘ka ndodhur, mund të thonë ç‘të duan. Unë kam pyetur disa prej njerëzve që kanë folur për këtë takim dhe kam marrë konfirmimin e asaj që po them. Pyetjes sime se ç‘është thënë gjatë atij takimi sekret, nuk kanë ditur t‘i japin asnjë përgjigje, më kanë thënë vetëm se në atë takim duhet të jetë bërë ndonjë pazar. Nuk kishin mësuar akoma se në Itali diskutoheshin pazare financiare, investimesh, e jo pazare politike.
Çfarë lloj pazari u bë në atë takim?
Atje nuk u bë asnjë lloj pazari. U hëngër, u pi, u diskutuan tema të ndryshme dhe në orën 2 të mëngjesit u ndamë për të fjetur. Nuk besoj të jetë bërë ndonjë pazar pas orës 2, pasi siç mësova më vonë, Mentor Çokun e kisha më shumë mik unë, kështu që do të kisha marrë vesh ndonjë gjë nga takimet e më pasme që pata me të. Pastaj, nuk besoj as të kishte vende për pazare. Dihej që Partisë Socialiste ia kishte marrë ferra uratën, nuk kishte nevojë të bëheshin pazare.
Për disa ka qenë e çuditshme kjo darkë e përbashkët në një çast kur raportet mes asaj që përfaqësonit ju e asaj që përfaqësonte Fatos Nano kanë qenë tepër të acaruara. Si shpjegohet që raportet u zbutën deri në këtë pikë?
Qe raporti normal mes njerëzve që gjenden në të njëjtën tavolinë ngrënieje në prani edhe të dy personave të tjerë, që do të thotë se duhet të ishim të sjellshëm, të bisedonim e të hanim, gjë që besoj se e kemi bërë më së miri.
Sa kohë pas këtij takimi u burgos Fatos Nano?
Me sa më kujtohet, në vitin 1994, por nuk besoj se kjo ka lidhje me takimin në fjalë, siç shpresoni ju. Ishte një takim më së shumti miqësor. Profesor Mentori pyeste për Shqipërinë, biseduam gjatë edhe me Yllin. Pastaj dolëm në rrugë e shëtitëm të gjithë së bashku, bëmë edhe fotografitë, pastaj bashkërisht u kthyem në hotel, secili në dhomën e tij. Që nga ai takim e deri te arrestimi rrodhi shumë ujë.
A u thye ndopak akulli mes jush?
Nuk kishte probleme akulli as atje e as këtu. Të nesërmen shkuam në simpozium, ku foli edhe Fatosi e Saliu. Në fakt duhen lexuar edhe gazetat e kohës për të qenë të saktë lidhur me atë takim. Unë nuk mund të mbaj mend gjithçka dhe mendoj se është shumë mirë kur për një ngjarje konsultohen të gjitha burimet. Por mua, më bëhet qejfi që Ylli Hasa ka thënë të vërtetën, pasi në rrëfimin e tij ka thënë atë që ka ndodhur realisht. Po të qe diskutuar diçka tjetër, do ta kisha mësuar edhe unë edhe ai, nga i ndjeri Mentor Çoku.
Ku u përqendrua biseda gjatë asaj nate?
Në përgjithësi mbi gjendjen në Shqipëri. Biseda më se të zakonshme dhe dua të vërej se të gjithë i ndenjëm larg temës së politikës, duke qenë se qemë kundërshtarë politikë. Probleme që kishin të bënin me vendin; gjendjen e Shqipërisë; a do bëhet Shqipëria; sa kohë duhet etj.
Z. Ylli Jasa thotë se në tavolinë m‘u krijua përshtypja e njerëzve në pozita të pabarabarta. Tha se Nano dukej si njeri me një peshë të rëndë mbi supe, ndërsa ju kishit avantazhin e njerëzve pa njolla pas krahëve. Ndihej vërtet kjo ngarkesë?
Më normale do të qe të thuhej se - duke qenë se diskutohej për Shqipërinë - atij i binte pesha e partisë që përfaqësonte.
Megjithatë mos të harrojmë që në atë kohë ngarkesat politike kanë qenë shumë të forta.
Por jo kur haje e pije në një tavolinë miqësore. Ose më saktë, pas të ngrënave e të pirave ose ndahesh miqësisht, ose zihesh. Ne nuk hymë në këtë kategori.
Është spekuluar shumë me hamendësimin se atë natë janë ndarë pushtetet?
Është përrallë e sajuar nga ata njerëz që duan të jetojnë në një botë virtuale. Por besoj se në një tavolinë të përbërë nga shqiptarë, zor të asistosh në ndarje pushtetesh, pasi të gjithë e duan për vete. Kjo as me njerëzit që i ke në partinë tënde e jo më me ata që u përkasin partive rivale.
Si e shpjegoni faktin që z.Jasa i janë kërkuar disa herë fotot?
Nuk e di cili mund të ketë qenë motivi. Ndoshta pasi kanë ditur që i pranishëm ka qenë edhe Ylli. Edhe mua kur më kanë pyetur indirekt për takimin, më kanë folur për fotografitë.
Përse fotot janë mbajtur mbyllur për kaq gjatë?
Sepse nuk i janë dashur kujt. Nuk kanë pasur interes t‘i botonin.
Interes ka pasur. Ylli Jasa thekson se i janë kërkuar disa herë, por nuk ka pranuar t‘i japë...
Po të donin, mund të vinin t‘i merrnin tek unë. Do ua jepja.
Ka pasur takim tjetër të këtij lloji?
Ishte simpoziumi shkaku i takimit, ashtu siç kishte ndodhur edhe marsin e një viti më parë në Romë. Në një simpozium të organizuar nga Kraksi gjendeshim unë, Saliu, Sabri Godo e disa eksponentë të Partisë Socialiste.
Gazeta: Shqip











